• |
ide | kryesore

Burg për presidentin e FFK Agim Ademi: Federata e Futbollit reagon institucionalisht

Sport



Futbolli kosovar është futur në kaos të plotë pas vendimit të Gjykatës për të dënuar presidentin e Fderatës Kosovare të Futbollit, Agim Ademi, me nëntë muaj burgim, për veprën penale të detyrimit në tentativë. Gjyqi që vazhdonte që nga 14 janari i vitit 2012 kishte nxjerrë fajtor dy të akuzuarit Ademin dhe Muharrem Ramën. Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, duke i marrë shumën prej 30.000.00 euro, e një veturë të tipit “BMË X5”.

Në lidhje me këtë dënim, që avokati i Ademit, Qazim Qerimi, e ka konsideruar politik (“Ndaj Agim Ademit nuk duhej nisur fare procedura penale. Në këtë rast më tepër ka qenë procedurë si një vendim politik”), ka reaguar Federata e Kosovës, që i ka dalë në krah presidentit, me pretendimin se është i pafajshëm. Sipas njoftimit të FFK, kryetari Ademi do të ankohet për vendimin e gjykatës, jo vetëm për të mbrojtur postin e tij në FFK, por edhe për të ruajtur kredibilitetin e institucionet që drejton.

Njoftimi i plotë:

“Me rastin e komunikimit të vendimit të sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku presidenti i FFK-së, Agim Ademi është dënuar me 9 muaj burgim, proces ky i nisur qysh në vitin 2012, sot pasdite, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, nën drejtimin e presidentit Ademi ka mbajtur një takim. Me këtë rast, presidenti Ademi para anëtarëve të KE-së ka thënë se komunikimin e vendimit të sotëm e konsideron të padrejtë dhe të pabazuar, sepse nuk e ndjen veten fajtor.

Presidenti Ademi do të vazhdojë t’i ndjekë deri në fund të gjitha procedurat ligjore – ankimore, të cilat janë të parapara me ligjet e vendit, jo për ta mbrojtur postin por për ta dëshmuar pafajësinë e tij dhe për ta mbrojtur kredibilitetin e institucionit. Gjithsesi, presidenti Ademi do t’i respektojë të gjitha vendimet e institucioneve çfarëdo qofshin ato në përfundim.

Presidenti Ademi falënderon të gjithë akterët e futbollit për përkrahjen dhe premton se do të vazhdojë njësojë me punë dhe përkushtim në drejtimin e FFK-së dhe sukseseve të reja, ashtu siç ia garanton Kushtetuta e vendit dhe aktet normative të FFK-së.

Njëkohësisht KE i FFK-së i jep mbështetje të fuqishme presidentit Agim Ademi që të vazhdojmë së bashku me trendin e sukseseve nën drejtimin e tij dhe fton opinionin e gjerë dhe të gjithë dashamirët e futbollit që këtë lajm ta marrin me qetësi dhe maturi.

KE i FFK-së konsideron se kjo është një tjetër sfidë e radhës, e cila besojmë fuqishëm se do të tejkalohet dhe do të na bëjë edhe më të fortë në realizimin e vizionit dhe objektivave të FFK-së”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *