• |
ide | kryesore

Miratohet skema e re e Superiores: dy skuadra zbresin direkt, e treta nga fundi luan playoff

F1, Sport



U zhvillua sot në Federatën Shqiptare të Futbollit mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv. Nën drejtimin e Presidentit Armand Duka, Komiteti Ekzekutiv ka diskutuar në lidhje me disa çështje të rëndësishme, ku spikat sidomos miratimi i strukturave dhe skemës për Kategorinë Superiore nga sezoni ardhshëm deri në sezonin 2022-2023.

Ajo që bie në sy dhe ka më shumë rëndësi, është se në luftë futet edhe një skuadër më shumë, referuar zonës së mbijetesës. Nga sezoni 2019-2020 nga Kategoria Superiore do të zbresin direkt dy skuadra (vendi i 9 e 10) dhe vendi 8-të do të luajë një play-out me fituesen e play-off të Kategorisë së Parë.

Play-off i Kategorisë së Parë është produkt i vëndeve të dyta të Grupeve A dhe B në këtë kategori, të cilat do të luajë një ndeshje finale ndërmjet tyre për të shpallur fituesen, që do të luajë me vendin e 8-të të Kategorisë Superiore. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e skuadrës që është renditur në vendin e tetë të Kategorisë Superiore. Kategoria Superiore do të fillojë më datë 24 Gusht 2019 dhe do të mbyllet më datë 23 Maj 2020.

Komiteti Ekzekutiv në këtë mbledhje të datës 5 Korrik 2019 vendosi dhe shtyrjen e mbledhjes se Komisionit të Licensimeve të klubeve për dhënien e licensave të Kategorisë Superiore për edicionin 2019-2020. Afati i fundit për pranimin e dokumentave përkatëse konform Rregullores së Licensimit të Klubeve për pjesmarrjen në veprimtaritë e FSHF-së, Neni 13, dhe Pika V e Aneksit I (Kriteret Financiare) do të jetë data 31 Korrik 2019. Në rast se edhe pas këtij afati, kriteri financiar nuk do të jetë përmbushur, materialet do ti paraqiten Komisionit të Licensimit të Klubeve në gjendjen aktuale, çka do të thotë se klubi juaj mund të rrezikojë mosmarrjen e licensës e për rrjedhojë edhe mospjesmarrjen në kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore për sezonin 2019-2020.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *