• |
ide | kryesore

PD: Pse Shqipëria nuk mori gjë në Samitin e Poznanit

Lajme



“Ekonomikisht, sot Shqipëria është më e izoluar se kurrë ndonjëherë gjatë 30 viteve të fundit. Sot Shqipëria është vendi më i izoluar nga tregu dhe ekonomia europiane. Praktikisht jemi vendi më i papërgatitur në Evropë për t’u bërë pjesë e tregut të përbashkët evropian” – thuhet në një deklaratë të PD-së të lexuar nga ish-deputeti Agron Shehaj.

Sipas tij, samiti i Poznanit i vendeve të Ballkanit Perëndimor e rikonfirmoi izolimin ekonomik dhe politik të Shqipërisë dhe paaftësinë e vendit tonë për të qenë pjesë e ekonomisë evropiane dhe se Shqipëria nuk mori asgjë nga ky samit, asnjë qindarkë dhe asnjë mbështetje ekonomike.

“Të gjitha vendet e tjera të Ballkanit morën dhjetëra e qindra miliona euro falas, kurse Shqipëria mori një foto me të cilën mburret Kryeministri në Facebook. Është e njejta histori që përsëritet në të gjitha takimet e Procesit të Berlinit. Shqipëria shkon e papërgatitur, pa projekte dhe propozime” – tha Shehaj që shpjegoi sipas tij edhe arsyet e këtij refuzimi për Shqipërinë.

“Shqipëria shkon si vendi më i korruptuar në Evropë. Shqiëpria shkon si vendi me një qeveri të kapur nga krimi. Korrupsioni dhe lidhjet me krimin janë arsyeja pse BE nuk i jep Shqipërisë asnjë qindarkë. Para katër muajsh, Komisioni i Buxhetit te Parlamentit Europian deklaroi se: “Shqipëria nuk ka asnjë kapacitet për të thithur më shumë fonde të BE-së se sa asistenca teknike që merr aktualisht dhe prandaj BE nuk duhet të rrisë fondet për Shqipërinë”. Ekonomia është katastrofa më e madhe e qeverisjes së rilindjes” – tha Shehaj.

Ish-deputeti akuzoi qeverinë për projekte klienteliste.

“I vetmi projekt ekonomik i Edi Ramës ka qenë vënia nën kontroll e të gjithë ekonomisë së vendit. Të vetmet politika ekonomike të qeverisë kanë qenë grabitja dhe privatizimi de fakto i pasurive të Shqipërisë në duart e Edi Ramës dhe një grushti klientësh të tij. Koncesionet kanë pasur vetëm qëllimin e grabitjes së pasurive dhe pronave publike. Kontratat publike kanë pasur vetëm këtë qëllim. Ligjet ekonomike, që nga ligji i investimeve strategjike, tek ai i Korporatës së Investimeve, tek ai për shitjen e pronave publike e deri tek ligjet special si ai i teatrit kanë pasur qëllim vetëm grabitjen e Shqipërisë” – tha Shehaj që u ndal edhe te rënia e investimeve të huaja.

“Që të mos ketë trysni nga kompanitë dhe qeveritë e huaja, në mënyrë të qëllimshme EdI Rama e ka izoluar ekonomikisht Shqipërinë nga bota, duke mbajtur larg projektet e huaja dhe investitorët e huaj. Shqipëria dhe Koreja e veriut janë të vetmet vende në botë që nuk kanë pasur investime të huaja në këto 6 vite. Zero investime të reja ka marrë Shqipëria nën qeverisjen Rama. Qeveria ka mbajtur larg çdo biznes të huaj për t’u përfshirë në Shqipëri. Miliarda euro koncesione janë dhënë por asnjë prej tyre nuk i është dhënë ndonjë kompanie të huaj. Të gjitha u janë dhënë kompanive të klientëve të qeverisë, pa asnjë kapacitet dhe përvojë.

Nga ana tjetër, qeveria qëllimisht ka nxitur largimin e investitorëve perëndimorë duke i zëvendësuar ata me lindorë ose vendas. Nga Deutsche Telecom dhe T-mobile tek Sheratoni, tek bankat më të rëndësishme franceze dhe kompanitë farmaceutike më të mëdha në botë janë larguar. Të gjithë janë zëvendësuar me investitorë lindorë ose shqiptarë” – thotë Shehaj.

“Nga bregdeti tek nafta, kromi dhe pasuritë nëntokësore, tek aeroportet, portet dhe rrugët kombëtare, tek shëndetësia dhe arsimi. Çdo gjë është vënë nën kontroll nga një grusht klientësh të qeverisë. Të cilët janë biznesmenë grabitqarë që vetëm vjedhin, nuk krijojnë dhe nuk prodhojnë. Në vend të mundësive Edi Rama u afroi shqiptarëve si model ekonomik, Drogën. Ekonomia e drogës po mbizotëron në tregun vendas. Po furnizon ndërtimet e shumta pa efikasitet ekonomik, po mbështet lluksin e shfrenuar. Droga po shkatërron strukturën ekonomike të vendit.

Ekonomia shqiptare tashmë bazohet në grabitjen dhe paratë e pista. Rezultati i kësaj katastrofe ekonomike të Edi Ramës është mungesa e mundësive ekonomike. Mos krijimi i vendeve të reja të punës, papunësia dhe varfëria për qytetarët shqiptarë. Nga mungesa e mundësive shqiptarët po largohen nga vendi, po ikën veçanërisht rinia , profesionistët, Mjekët, inxhinierët. Po ikin zanatçinjtë, teknikët, elektricistët, marangozët.

Ky shkretim i Shqipërisë nga njerëzit po e thellon prapambetjen ekonomike dhe varfërinë e vendit. Rrëzim i këtij modeli ekonomi është prioritet kombëtar. Partia Demokratike i fton të gjithë shqiptarët, të protestojmë nesër së bashku. Edhe kundër varfërisë, edhe kundër shkatërrimit ekonomik, për një Shqipëri të mirëqenies dhe mundësive për të gjithë” – tha Shehaj. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *