Nisma ishte propozuar kohë më parë nga kreu i grupit të PS, Taulant Balla, por sot kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, njoftoi se PS është tërhequr. Gjatë mbledhjes së sotme të këtij komisioni, Manja argumentoi se PS ka bërë një hap pas për të shmangur debatin politik.

Propozimi i PS-së synonte që në Rregulloren e Kuvendit të specifikohej që Prokuroria të japë prova në Këshillin e Mandateve kur kërkon heqje imuniteti për një deputet.

Kjo nismë e PS u shoqërua me debate të forta politike në atë kohë dhe u kundërshtua nga PD, pasi në rastin e kërkesës së Prokurorisë për të arrestuar ish-deputetin Saimir Tahiri, deputetët e PS kërkuan paraqitjen e provave dhe nuk e dhanë autorizimin për arrestimin e tij, edhe pse, deputetët nuk gëzojnë imunitet.