• |
ide | kryesore

Raketa ruse në Turqi rrisin tensionet mes Washingtonit dhe Ankarasë

Planet



Turqia sfidoi sot Shtetet e Bashkuara lidhur me sistemin rus e mbrojtjes raketore. Sistemi S-400 mbërriti në bazën ajrore Murted pranë Ankarasë, duke vulosur kështu zgjedhjen e presidentit Rexhep Tajip Erdogan, pavarësisht presioneve të Amerikës.

Pas takimit që zhvilloi me Donald Trumpin gjatë punimeve të G20-ës muajin e kaluar, Erdogani deklaroi se SHBA-ja nuk planifikonte sanksione ndaj Ankarasë për shkak të kësaj blerjeje të shumëdiskutuar.

Ndërkohë, shefi i Shtëpisë së Bardhë, ndonëse e pranoi që Turqia nuk ishte trajtuar në mënyrë të drejtë, sërish nuk e përjashtoi mundësinë e sanksioneve.

Sipas Shteteve të Bashkuara sistemet S-400 nuk përputhen me rrjetin e mbrojtjes që përdor NATO-ja dhe mund të vënë në rrezik avionët luftarakë F-35 të kompanisë amerikane Lockheed Martin, për prodhimin e të cilëve ka ndihmuar edhe Turqia që ka planifikuar dhe blerjen e tyre.

Nën sanksionet e mundshme amerikane, Turqia mund të përballet me përjashtimin nga programi i blerjes së avionëve F-35. Washingtoni e ka ndërprerë tashmë trajnimin e pilotëve turq në SHBA për këto lloj avionësh.

Marrëveshja e cilësuar si e para e këtij lloji ndërmjet Rusisë dhe një vendi anëtar të NATO-s, ka nxitur shqetësime se Turqia po orientohet më tepër drejt sferës së ndikimit të Moskës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *