• |
ide | kryesore

Mbrojtja raketore ruse, shefi i Pentagonit bisedë me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë

Planet, Të fundit



Sekretari i Mbrojtjes në detyrë Mark Esper tha të premten (12 korrik) se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndryshuar qëndrim lidhur me rolin e Turqisë në programin për avionët amerikanë F-35, për sa kohë Ankaraja do të ketë sistemin rus të mbrojtjes raketore. Ai tha se do të bisedonte me homologun e tij turk më vonë gjatë ditës. Komentet zoti Esper i bëri pas njoftimit se në Turqi ka mbërritur dërgesa e parë e sistemit rus S-400.

Zoti Esper, i pati thënë ministrit turk të Mbrojtjes Hulusi Akar në Bruksel më 26 qershor se Turqia nuk mund të ketë si sistemin S-400 ashtu edhe avionët e avancuar luftarakë amerikanë F-35.

“Jemi në dijeni që Turqia i ka marrë sistemet S-400, por pozicioni ynë në lidhje me F-35 nuk ka ndryshuar. Do të flas me homologun turk mbi këtë çështje sot pasdite”, tha zoti Esper në Pentagon.

Të premtem ministria turke e Mbrojtjes tha se dërgesa e parë e sistemit mbrojtës raketor rus, S-400, arriti në Turqi, vend anëtar i NATO-s, një zhvillim që mund të përshkallëzojë tensionet me Shtetet e Bashkuara që kanë paralajmëruar sanksione ndaj Ankarasë.

Dërgesa e parë arriti në bazën ajrore Murted, afër Ankarasë, thuhet në një njoftim të ministrisë.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha pas takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë punimeve të G20-tës muajin e kaluar se Shtetet e Bashkuara nuk planifikojnë sanksione ndaj Ankarasë për shkak të blerjes së sistemet S-400. Presidenti Trump tha se Turqia nuk ishte trajtuar në mënyrë të drejtë, por ai nuk i përjashtoi sanksionet.

Shtetet e Bashkuara thonë se sistemet S-400 nuk përputhen me rrjetin e mbrojtjes që përdor NATO-ja dhe mund të vënë në rrezik avionët luftarakë F-35 të kompanisë amerikane Lockheed Martin, për prodhimin e të cilëve ka ndihmuar edhe Turqia ndërsa ka planifikuar dhe blerjen e tyre.

Nën sanksionet e mundshme amerikane, Turqia mund të përballet me përjashtimin nga programi i blerjes së avionëve F-35. Washingtoni ka ndërprerë tashmë trajnimin e pilotëve turq në Shtetet e Bashkuara për avionët F-35.

Marrëveshja me Rusinë, e para marrëveshje e tillë ndërmjet Rusisë dhe një vendi anëtar të NATO-s, ka nxitur shqetësime se Turqia po orientohet më afër sferës së ndikimit të Moskës.
Turqia ka refuzuar t’i nënshtrohet trysnisë amerikane, duke ngulur këmbë se zgjedhja se çfarë pajisjesh mbrojtëse të blejë, është çështje e sovranitetit të saj.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *