• |
ide | kryesore

“Në Gjykatën Federale për drejtësi, vazhdojmë aktivitetin”: Skënderbeu shpërthen në akuza kundër UEFA dhe CAS

F1, Sport



Muaj të tërë pritje, e po aq shprese, të ngritur më tepër nga optimizmi i kaluar përtej cakut, deri në siguri, u rrëzuan në 12 korrik nga vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Një goditje e fortë, aq sa e ndjenë edhe përtej kufijve të vendit, me reagimin edhe të mediave prestigjoze, si një precedent që nga tashmë mund të godasë këdo. Është befasuar edhe vetë Skënderbeu, nga kursi që mori ngjarja, i bindur se kishte në duar armët për ta fituar betejën, ashtu si kishte deklaruar shpesh në javët e fundit. Por kohë për të bërë viktimën nuk ka dhe klubi korcar ka reaguar, përmes një komunikate zyrtare, duke kundërshtuar fort vendimin e CAS dhe duke treguar hapat që do të ndiqen “për rivendosjen e të drejtave të dhunuara barbarisht nga sistemi i drejtësisë sportive”, sic shkruhet aty.

Në padijeni është më mirë të mos shprehesh thuhet, por vetëm se ky nuk është aspak momenti për ta bërë. Tifozët kanë të drejtë të dinë cfarë do të ndodhë me fanellën që kanë mbështetur e kanë dashuruar, atë që vërtetë i solli gëzime të mëdha me 7 tituj kampion në nëntë vitet e fundit, por që tani rrezikon të tjetërsohet, të paktën në emër. Korcarët madje akuzojnë për një komplot të bërë kundër klubit të tyre, me një proces të paragjykuar sipas tyre që nga viti 2016. “Nuk mundet të mos jetë i paragjykuar një proçes ku KF Skënderbeu është dënuar në bazë të gjoja përceptimit publik të klubit dhe të personave lidhur me të, përceptim të cilin institucioni i UEFA’s, veçanërisht inspektorët e lidhur me çështjen, kanë tentuar të krijojnë, përmes metodave dhe formave nga më të paskrupullta” shkruhet në komunikatë.

Në shënjestër të Skënderbeut janë inspektorët e UEFA përgjegjës për hartimin e raporteve Dhont dhe Lietard, ndaj të cilëve ekzistojnë padi penale dhe civile për shpifje në organet kompetente Zvicerane. Në shpjegimin e hollësishëm të bardhekuqve kundërshtohen raportet e BFDS, pa asnjë bazë shkencore të provuar, mbi të cilat është mbështetur hetimi. Skënderbeu ka akuzuar CAS për lidhje direkte ose indirekte me palën akuzuese dhe se nuk ka marrë në konsideratë qëllimisht mbi 50 kundër-prova të paraqitura nga korcarët. “Sot mund të themi me sigurinë e plotë se sistemi i drejtësisë sportive i ngritur dhe i mbrojtur me fanatizëm nga federatat ndërkombëtare është një fasade dhe mburojë e një sistemi të kalbur dhe të korruptuar që ekziston brenda institucioneve të qeverisjes sportive” shkruhet në komunikatën e Skënderbeut, që premton shpërnguljen e betejës ligjore me një rekurs pranë Gjykatës Federale Zvicerane kundër vendimit të CAS datë. 12.07.2019. Në anën tjetër, Skënderbeu ka saktësuar se do të vazhdojë aktivitetin e tij më të njëjtin përkushtim, vizion dhe ambicie për të arritur rezultate edhe më të mira se ato të sezoneve të shkuara”.

– REAGIM –

Pasi jemi njohur me përmbajtjen e buletinit mediatik të CAS, datë 12.07.2019, lidhur me ankimin e bërë nga KF Skënderbeu kundër vendimit të Komisionit të Apelit të UEFA-s, ndiejmë detyrimin ndaj sportdashësve dhe qytetarëve të Korçës për të qënë sa më transparent ne lidhje me hapat e metejshëm të cilat do të ndiqen për rivendosjen e të drejtave tona të dhunuara barbarisht nga sistemi i drejtësisë sportive.

Së pari, vendimi i CAS në formën e tij të plotë dhe integral nuk i është komunikuar ende KF Skënderbeut, veprim i cili nën dritën e ngjarjeve të ndodhura, nuk është më i dyshimtë. Kjo pasi i gjithe proçesi ndaj klubit tonë ka qënë i paragjykuar, i njëanshem dhe i paracaktuar që prej vitit 2016.

Nuk mundet të mos jetë i paragjykuar një proçes ku KF Skënderbeu është dënuar në bazë të gjoja përceptimit publik të klubit dhe të personave lidhur me të, përceptim të cilin institucioni i UEFA’s, veçanërisht inspektorët e lidhur me çështjen kanë tentuar të krijojnë, përmes metodave dhe formave nga më të paskrupullta. Në lidhje me këtë, është e rastit të përmendet se ndaj inpektorëve të UEFA’s përgjegjës për hartimin e raporteve kundër klubit tonë, konkretisht Z. Dhont dhe Z. Lietard, aktualisht, ekzistojnë padi penale dhe civile për shpifje në organet kompetente Zvicerane.

Nuk mund të mos jetë i njëanshëm një proçes i cili mbështetet mbi raporte të cilat nuk kane asnjë bazë të provuar shkencore dhe të cilat nuk kanë të bëjnë fare me analiza të mirëfillta sportive. Është e papranueshme që CAS të marrë si të mirëqëna raportet e BFDS, sistem për të cilin askush nuk ka dijeni si funksionon, përfshirë edhe CAS-in. Është e papranueshme që CAS të mos marrë në konsideratë raportet shkencore të ekspertëve të basteve sportive dhe të ekspertëve sportiv të KF Skënderbeut, të cilët në mënyrë metodike dhe shkencore kane hedhur poshtë çdo argument të ngritur nga UEFA. Mbi të gjitha, është e papranueshme që të mos merren në konsiderate mbi 50 kundër-prova të paraqitura nga pala jonë, kur nga ana tjetër, e gjithë strategjia e inspektorëve të UEFA’s mbështetej mbi dëshmi personash anonim (as identiteti i tyre nuk na është bërë i ditur) ose personash të cilët kanë konflikt të hapur interesi në lidhje me proçesin.

Nuk mund të mos jetë i paracaktuar një vendim për të cilin vendimmarrës janë njerez me lidhje direkte ose indirekte me palën akuzuese. Në lidhje me këtë, KF Skënderbeu kishte bërë kërkesë për perjashtimin e kryetarit të trupës arbitrale, i cili, në mënyre të shprehur kundershtonte kerkesën tonë, në një kohë kur detyrimi i tij deontologjik është terheqja nga gjykimi i çështjes në rast të kërkimit të argumentuar të njërës prej palëve. Është e qartë që emerimi i ketij personi ka qënë në funksion të mbrojtjes së interesave të inspektorëve të UEFA’s dhe personave të lidhur më këtë institucion. Në kushtet kur 2 nga 3 arbitrat e çështjes kanë qënë të mandatuar për të mbrojtur njërën palë, i vetmi konkluzion logjik është parapërcaktimi i rezultatit final.

Sot mund të themi me sigurinë e plotë se sistemi i drejtësisë sportive i ngritur dhe i mbrojtur me fanatizëm nga federatat ndërkombëtare është një fasade dhe mburojë e një sistemi të kalbur dhe të korruptuar që egziston brënda institucioneve të qeverisjes sportive.

Në keto kushte, me vetëdijen që beteja ligjore në këtë sistem drejtësie është e kotë, bëjmë me dije se, pas konsultimit me perfaqesuesit tanë ligjore, brënda muajit Korrik 2019, KF Skënderbeu do të paraqesë rekurs pranë Gjykatës Federale Zvicerane kundër vendimit të CAS datë. 12.07.2019. Duke qënë të bindur mbi pafajësine tonë, ruajmë besimin se e drejta do të vihet në vënd.

Së fundmi, bëjmë me dije sportdashësit dhe mbështetësit tanë se KF Skënderbeu do të vazhdojë aktivitetin e tij më të njejtin përkushtim, vizion dhe ambicie për të arritur rezultate edhe më të mira se ato të sezoneve të shkuara.

Me Respekt,
KF Skënderbeu



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *