• |
ide | kryesore

Presidenti francez viziton Beogradin

Lajme, Të fundit



Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të hënën në Beograd se vizita e tij dyditëshe në Serbi synon hapjen e një faqeje të re në marrëdhëniet dypalëshe. Presidenti Macron arriti të hënën pasdite në Beograd, duke shënuar kësisoj vizitën e parë të një presidenti francez në Serbi pas vitit 2001, kur atje kishte qëndruar ish presidenti, Jacque Chirac.

Vizita e presidentit Macron ishte planifikuar që në dhjetor por qe shtyrë për shkak të përballjes së tij me protestat e “jelekëve të verdhë” që kundërshtonin politikat e tij ekonomike. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe procesi tashmë i bllokuar i bisedimeve, pritet të jetë ndër çështjet kryesore të diskutimeve gjatë kësaj vizite.

Një nismë e presidentit Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel, për një takim të palëve në Paris më 1 korrik dështoi, meqë Prishtina nuk hoqi dorë nga tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, ndërsa Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tyre.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë edhe Francën, por, synimet e saj për integrim në Bashkimin Evropian janë të kushtëzuara me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Beogradi i kishte parë për të madhe Francës që e njohu pavarësinë e Kosovës, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar marrëdhëniet me Parisin u dukën të ftohura për shkak të reagimit të Serbisë ndaj trajtimit të Kosovës në manifestimet me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Atëbotë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte i ulur pranë udhëheqësve më të rëndësishëm botëror, madje afër edhe presidentit rus, Vladimir Putin, ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ishte ulur në anën e kundërt.

Serbia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, po kërkojnë garanci se rruga e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian është e hapur, pasi që disa udhëheqës evropianë ngritën mëdyshjet për gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u zgjeruar.

Në fillim të këtij muaji, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se “do të refuzoj çfarëdo zgjerimi para se të kryhen reforma të thella në funksionimin institucional të Bashkimit Evropian”. Zgjerimi kërkon mbështetje të njëzëshme të vendeve anëtare.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *