• |
ide | kryesore

Shkarkimi i Metës/ Komisioni Hetimor zbardh planin paraprak dhe hapat që do të ndiqen

Lajme, Të fundit



Komisioni Hetimor i ngritur “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, ka bërë publik në mbledhjen e ditës së sotme planin paraprak të hetimit ndaj kreut të shtetit, Ilir Meta.

Në nisje të mbledhjes, Komisioni vendosi miratimin e “Planit Paraprak të Hetimit”, që përcakton veprimet hetimore që do të kryhen të bazuara në tri shtylla kryesore: objekti dhe baza ligjore, hapat proceduriale që do të ndiqen nga Komisioni, si dhe rrethi i personave të ngarkuar.

Kërkesa për shkarkimin e Metës u bë nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste, pas vendimit të tij për të çdekretuar 30 qershorin si datë të paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

PLANI PARAPRAK I HETIMIT

Në mbështetje të nenit 77, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 11, pika 4 dhe të nenit 14, gërma “ç” të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”  si dhe të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 84/2019 “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore””, Komisioni vendosi të miratojë Planin Paraprak të Hetimit[1], i cili, në përputhje me objektin e hetimit, përcakton veprimet hetimore që do të kryhen, si më poshtë vijon:

KREU I

OBJEKTI DHE BAZA LIGJORE

Objekti i hetimit të Komisionit Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, në vijim Komisioni, të ngritur me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë nr. 84, datë 08.07.2019, është:

Verifikimi i të dhënave, fakteve dhe rrethanave për veprime e mosveprime të Presidentit të Republikës, të cilat përbëjnë shkak ligjor për shkarkimin e tij nga detyra, në përputhje me nenin 90/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Kontrolli i veprimtarisë së Presidentit të Republikës në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Baza ligjore e punës së këtij Komisioni do të jetë:

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

[1] Miratuar me vendimin e ndërmjetëm nr.2, datë 15.07.2019 të Komisionit Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”

Ligji nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”.

Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Rregullorja e Brendshme e Komisionit.

KREU II

HAPAT PROCEDURIALE QË DO TË NDIQEN NGA KOMISIONI

Hapat proceduriale që do të ndiqen gjatë zhvillimit të hetimit janë:

Përgatitja dhe miratimi i Planit Paraprak të Hetimit.

Miratimi i Rregullores së Brendshme të Komisionit.

Njoftimi i Presidentit të Republikës në lidhje me të drejtën për t’u shprehur në Komision.

Marrja e të dhënave zyrtare dhe jozyrtare që njihen publikisht, nga institucionet, lidhur me objektin e hetimit.

Përgatitja dhe miratimi i Planit Përfundimtar të Hetimit.

Seanca dëgjimore me Presidentin e Republikës.

Verifikimi, shqyrtimi dhe analiza ligjore e provave, e rrethanave, e fakteve dhe i seancës dëgjimore, të dala nga hetimi i kryer.

Përgatitja dhe miratimi i raportit përfundimtar.

Paraqitja në Kuvend e raportit përfundimtar.

KREU III

RRETHI I PERSONAVE TË NGARKUAR

Anëtarët e komisionit

Stafi teknik, konsulentët, specialistët, sipas nevojës.

KRYETARI

ULSI MANJA

 

 

 

 

 

 

 

 

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *