• |
ide | kryesore

Pyet Haradinaj: Nëse s’ka njohje të Kosovës nga Serbia, a duhet që të armatosemi?

Arkiva, Lajme, Të fundit



“Nuk mund ta quajmë si njohje reciproke në kufijtë ekzistues sepse ne jemi shtet i pavarur dhe nuk kërkojmë asgjë tjetër në dialog pos njohjes reciproke. Nëse nuk jeni gati për këtë, atëherë a është porosi për ne që edhe ne të armatosemi?”-shprehet Haradinaj.

Dëshira për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën e ka theksuar presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është në logjikën e këshillës për të dy vendet, ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Këto komente ai i ka bërë sot gjatë një konference për media. Kryeministri Haradinaj e ka falenderuar presidentin francez Macron, i cili të hënën dhe të martën ka qëndruar për vizitë në Beograd, për siç ka deklaruar: “sinqeritetin e shprehur, duke thënë se Kosova dhe Serbia janë dy shtete europiane, me perspektivë europiane”, gjë që sipas tij, shpjegon shumë.

Presidenti francez Macron, gjatë qëndrimit në Beograd ka theksuar që nuk ekziston një zgjidhje e gatshme dhe magjike për problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, për zgjidhjen e problemit kërkohet kompromisi, i cili nuk nënkupton mbetjen në pozicionet fillestare dhe diametralisht kundërshtuese të palëve në dialog. Megjithatë, kryeministri Ramush Haradinaj, ka theksuar që kompromisi i vetëm që Kosova mund ta bëjë për të arritur njohjen nga Serbia, është heqja e taksës prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Alekasandar Vuçiç, ka deklaruar të martën që në takimin me presidentin francez Macron, i ka kërkuar atij mbështetjen dhe mirëkuptimin që cështja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk mund të zgjidhet ashtu siç dëshiron secila palë veç e veç, por që “zgjidhja duhet të jetë e ndërmjetme”. Haradinaj ka theksuar se ekziston hezitim për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për shkak se Serbia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, po thonë se marrëveshjen “nuk mund ta quajnë si njohje reciproke, në kufijtë ekzistues”. “Ne jemi shtet i pavarur dhe ne nuk kërkojmë asgjë tjetër në dialog pos njohjes reciproke. Nëse nuk jeni gati për këtë, atëherë a është porosi për ne që edhe ne të armatosemi? Pra, nuk ka shumë hapësirë këtu në mes”, tha Haradinaj.

Por, presidenti serb Vuçiç e ka arsyetuar blerjen e armëve nga Serbia, duke thënë se po jetohet me frikën nga luftërat dhe konfliktet.

“Njerëzit më pyesin se pse blejmë armë. Blejmë armë që të mos na sulmojë askush. Për këtë arsye blejmë armë. Nëse shohin që Serbia është mollë e kalbur, secili do ta marrë atë me lehtësi. Por, nëse e shihni se është e fortë si arrë, atëherë nuk është e lehtë që ta thyeni. Pra, thjeshtë, ne duhet ta bëjmë punën tonë, por duhet t’i kuptojmë edhe gjithë të tjerët. Duhet të shohim se cilat janë edhe kërkesat e tyre”, u shpreh Vuçiç.

Siç ka theksuar presidenti serb Vuçiç, presidenti Macron pritet të organizojnë një takim ndërmjet liderëve shtetërorë të Serbisë dhe Kosovës, së bashku me kancelaren gjermane Angela Merkel, si vazhdimësi e takimit të Berlinit. Sipas tij, ky takim ka gjasa të organizohet në muajin shtator. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, ka ngecur qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia. Serbia ka vënë kusht heqjen e taksës, për vazhdimin e dialogut.

Por, Qeveria e Kosovës, përkundër thirrjeve edhe të Bashkimit Europian, edhe të Shteteve të Bashkuara, nuk është tërhequr nga taksa. Krahas dialogut të lehtësuar nga BE, i cili vazhdon të mbetet i ndërprerë, një nismë për bisedime kanë iniciuar edhe kancelaria gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Por, as kjo nismë, me gjithë disa përpjekje, deri tani nuk ka sjellë si rezultat vazhdimin e dialogut.



2 Comments

  1. Rramushi nuk e do luften me vra serbin, por me vra Thacin. I ka ngel pishman qe nuk ia numeroi ne 99′-en.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *