• |
ide | kryesore

Shpjegimi/ A e rihapi Macron në Beograd idenë e ndryshimit të kufijve?

Arkiva, Kryesore



Vizita e dyditore e presidentit Macron në Serbi nuk pati pothuajse fare jehonë në mediat e mëdha të Parisit. Megjithëse e para pas 18 vjetësh e një kryetari shteti francez, as shtypi i Beogradit nuk i bëri shumë jehonë, mesazheve të pakëndshme për Kosovën. Prandaj Lapsi.al qëmtoi me kujdes, për të gjetur dhe dekriptuar “lajmet” që Macron prodhoi lidhur me dialogun serbo –kosovar dhe me mundësinë e arritjes së një marëveshje midis tyre.

Në vigjilje të kësaj vizite kanali publik francez France Info theksonte se dialogu do të rifillojë kur të bashkohen kushtet, se ideja e shkëmbimit të territoreve qëndron në tavolinë dhe se Parisi është i hapur ndaj saj. Të njëjtën gjë konfirmoi edhe agjensia e lajmeve AFP.

Po a e vërtetuan këtë tezë fjalët që tha Macron në Beograd? A është ringjallur ideja që u quajt e vdekur pas samitit të Berlinit?

Lapsi.al i ka rimarë edhe njëherë tezat kryesore të qëndrimeve të presidentit francez dhe është përpjekur të lexojë mes rreshtave…

Macron ka thënë: « Së bashku me disa homologë të tjerë e kemi pasur një takim në Berlin dhe konform angazhimeve të marra, pas disa javësh do të organizoj një takim në Paris në një format të reduktuar, bashkë me udhëheqësit kosovarë, presidentin, kryeministren tuaj (serbë pra-shën i Lapsi.al) dhe kancelaren gjermane. Dhe në lidhje me këtë çështje, dua ta tregoj angazhimin e Francës që të gjrndet një marrëveshje globale dhe e përhershme ».

Macron ka thënë: « Për të arritur tek një marrëveshje duhet që secila palë të përmbahet nga çdo gjest unilateral dhe jo-konstruktiv, dhe në këtë drejtim zhvillimet në javët e fundit janë preokupuese. Dhe vendimet kundër angazhimeve të marra duhet të abrogohen ».

Macron ka thënë: « I takon më pas dy palëve dhe vetëm atyre që ta përcaktojnë përmbajtjen një marrëveshje, t’i shqyrtojnë të gjitha opsionet që mund të dërgojnë tek një marrëveshje globale dhe definitive ».

Macron ka thënë: « Dua të ritheksoj këtu, se Franca do të jetë plotësisht e angazhuar për ta përkrahur dhe për ta ndërtuar bashkë me Gjermaninë, në një kuadër të një ndërmjetësimi evropian, jo vetëm vazhdimin e dialogut, por të një dialogu kërkues që mëton të gjejë një zgjidhje konkrete në muajt që vijnë. Në çdo rast, për këtë angazhohem personalisht, ju e dini, jam i angazhuar. Jam i angazhuar sepse besoj në të ardhmen e këtij rajoni, jam i angazhuar për shkak të respektit të vendit tuaj dhe popullit tuaj, jam i angazhuar për shkak të borxheve reciproke që i kemi. Por, jam i angazhuar po ashtu sepse besoj në Evropë”.

Macron ka thënë: « Dhe kushdo që beson në Evropë nuk mund të pranojë fatalitetin e konflikteve të pavendosshme dhe ta pafundme në Evropë, ose idetë që këto konflikte duhet të arbitrohen nga fuqi joevropiane për tërë kohën. Dhe riangazhimi ynë është edhe shenjë e sovranitetit evropian në të cilin besojmë dhe i cili do të jetë pranë jush”.

Pra, po të shihen togëfjalëshat e shenjuar me të zezë nga Lapsi.al aty mund të nxirren disa konkluzione. Emanuel Macron do marrë nismën që dialogu të fillojë sa më shpejt, në javët apo maksimumi muajt e ardhshëm. Për këtë ai ka bërë apel për heqjen e taksës Haradinaj ndaj produkteve serbe të cilën e ka cilësuar si një gjest unilateral dhe jo konstruktiv.

Por, nga shumëkush kjo taksë është interpretuar si një barrikadë që u vu për të ndaluar procesin e shkëmbimit të teritoreve, e mbështetur në heshtje nga Berlini.

Një shenjë tjetër që duket sikur i hap dritën jeshile idesë të ndryshimit të kufinjve është edhe teza se i takon vetëm dy palëve të gjejnë kompromisin. Kjo gjë është mbështetur fort nga Thaçi dhe Vuçiç që pretendonin se nuk kanë pse të na pengojnë ndërkombëtarët kur vetë armiqtë gjejnë zgjidhje.

Si një sinjal se Parisi është i hapur ndaj planit të dy presidentëve serbë edhe kosovarë mund të merret edhe togfjalëshi tjetër se dialogu mund ti shqyrtojë ‘të gjitha obsionet”.

Por, ndërkohë që kjo analizë lë të kuptosh sikur Macron është i hapur ndaj ndryshimit të kufijve, në fjalën e tij gjenden edhe elemente që të bëjnë të mendosh për të kundërtën. Ai aty ka theksuar se kjo do të bëhet bashkë me Gjermaninë, në një kohë që Berlini ka dalë shumë kundër edhe publikisht kësaj teze që e ka quajtur si hapja e kutisë së Pandorës në Ballkan. Nga ana tjetër, presidenti francez ka përmendur sovranitetin europian mbi këtë marëveshje dhe rrefuzimin që ajo të arbitrohej gjithmonë nga fuqi jashtë BE. Kjo gjë duket sikur largon linjën e fortë të lobimit që mbërrin deri në Shtëpinë e Bardhë dhe deri tek John Bolton që e kanë përkrahur tezën e ndryshimit të kufijve. Edhe presidenti kosovar Hashim Thaçi, pas pezmit të takimit të Berlinit, deklaroi disa herë se nuk do të ketë zgjidhje pa aleatin tonë të madh, SHBA.

Pra duke dekriptuar këto mesazhe, shpesh të dyzuara, mund të mbërrihet në përfundimin se Franca as nuk e mbështet, por as nuk e përjashton idenë e arritjes së një marëveshje me shkëmbim kufijsh dhe se Parisi nuk është aq kategorik sa Berlini në rrefuzimin e kësaj ideje.

©Lapsi.al



2 Comments

  1. Pse merreni me Macronin? Ne kemi liderin tone global per te cilin Macron eshte as me shumse as me pak se nje idiot. Pastaj ne kemi Spartak Ngjelen qe amerikanet e paguajne me flori dhe Beton Haxhiun, ministrin Cakaj qe esbte marre me politike qe14 vjec, apo Tao Taon dhe Dylqinjen e Doganave. Keta po qe jane koka te medha qe bota na i ka zili

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *