• |
ide | kryesore

Video / Teuta eliminohet duke fituar: Kallaku nuk mjafton ndaj Ventspils

Sport



Teuta ka dominuar dhe fituar ndaj Ventspils. 1-0 janë imponuar “Djemtë e Detit” në shtëpi ndaj miqve letonezë në sfidën e kthimit të raundit të parë paraeliminator të Ligës së Europës. Pavarësisht fitores së sotme, durrsakët janë të detyruar ta mbyllin këtu garën e tyre në këtë kompeticion me letonezët komodë pas rezultatit 3-0 në sfidën e parë.

Sfida në “Niko Dovana” ka nisur me vrull për Teutën që i është afruar golit që në minutën e 3′-të. Bushiç ka shfrytëzuar një harkim të Kallakut nga e majta duke e dërguar topin brenda zonës, por shtylla i ka mohuar avantazhin. Mundësia tjetër e shënimit për durrsakët ka ardhur në të 16′-ën me Nikaç, por gjuajtja e tij është ndalur nga portieri kundërshtar. Sulmi durrsak ka provuar me Arapin, Nikaç dhe Bushiç, por pa sukses. Drithërima për skuadrën e trajnerit Shkëmbi në minutën e 32′-të, por Aleksi largon një top mjaft të rrezikshëm, duke mbajtur në lojë të tijtë. Në minutën e 40′-të durrsakët gjejnë rrugën e rrjetës me Sidibe, por arbitri izraelit Erez Papir e anulon për faull të Rustem Hoxhës brenda zonës.

Edhe pjesa e dytë nis energjike për Teutën. Shumë shpejt, në të 47′-ën, Sherif Kallaku me një veprim të shkëlqyer i ka dhuruar avantazhin vendësve. Minuta të tëra shumë të mira për skuadrën e Shkëmbit, që ka kërkuar me ngulm golin e dytë. Në të 67′-ën kanë rrezikuar letonezët, por portieri Hidi ka dalë saktë. Tjetër tentativë e Teutës vjen në të 82′-ën, por gogitja fantastike e Avdylit është larguar nga portieri Maknovsk në goditje këndi. Në minutat e fundit është Hidi bën sërish shpëtimtarin ndërsa neutralizon një gjuajtje të rrezikshme të kapitenit Kazaçoks.

Një performance pozitive për durrsakët, por e pamjaftueshme për të përmbysur disfatën e 90 minutave të para, ku gabimet individuale dënuan me një humbje të rëndë skuadrën e Shkëmbit. Pas Luftëtarit një vit më parë, tani edhe Teuta dorëzohet përballë Ventspils.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *