• |
ide | kryesore

Futbolli shqiptar në zi, ndërron jetë ikona e Tiranës

Sport

Një yll më pak në gjerdanin e futbollit shqiptar. Fatmir Frashëri nuk është më, duke humbur ndeshjen më të rëndësishme, atë për jetën e tij, si pasojë e një sëmundje të gjatë. Ish-futbollisti i Partizanit dhe Tiranës është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të rëndësishme.

I lindur në 3 prill të vitit 1941, Frashëri arriti të shkruante historinë me bardheblutë duke fituar 4 herë kampionatin si futbollist dhe 1 herë si trajner i Tiranës. Në fakt, Frashëri triumfet e para i pati marrë me fanellën e kuqe të Partizanit, me të cilët fitoi dy tituj kampion në sezonet 1962-1964. Por kjo nuk e ndaloi mbrojtësin që ishte rritur tek të rinjtë e Tiranës të rikthehet bardheblu deri në vitin 1972. Me fanellën kuqezi të Kombëtares, Fatmir Frashëri zhvilloi 12 takime.

Si trajner, Frashëri, që kishte treguar potencialin se dinte ta bënte këtë profesion që kur luante në fushë, ishte po aq fitues sa kur ishte lojtar. Kampion me Dinamon në sezonin 1985-86, ndërsa me Tiranën, që e ka drejtuar në katër periudha të ndryshme, fitoi dy Kupa Republike në vitet 1975-76 dhe 1976-77. Por titullin kampion do ta fitonte pikërisht në vitin e tij të fundit në aktivitet sportiv: arriti ta shpallë Tiranën kampion në 2002-03, ndërsa më pas u bë edhe president nderi i bardhebluve.

Frashëri në karrierë drejtoi edhe skuadra si Naftëtari, Besa e Dinamo. Ish-mbrojtësi është vlerësuar edhe me titullin “Mjeshtër i Madh” nga presidenti Ilir Meta.

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu