• |
ide | kryesore

Prapaskena/ Gjici e kishte shkarkuar Gjokën para ndeshjes: Nexhipi, Çyrbja, Shameti, Rama… me valixhet në dorë

F1, Sport



Furtunë e parashikuar nga sistemimi funksionues i presidentit të Kukësit, Safet Gjici. Eleminimi me Debrecen do të kishte pasoja dhe të forta madje. E kishte kuptuar i pari tekniku Ernest Gjoka, që pas 3-0 në Hungari, pasuar nga kërkesa frontale e numrit 1 të klubit: “Dua përmbysjen”. Përmbysje nuk pati dhe Gjoka u shkarkua (pa ceremoni): “Ne trajnerët jemi me valixhe në dorë”, deklaroi tekniku pas ndeshjes, duke aluduar për mundësinë e shkarkimit, por në fakt e vërteta është ndryshe.

Burime brenda klubit kuksian kanë saktësuar për Lapsi.al se trajneri fitues i Kupës së Shqipërisë në sezonin e kaluar u shkarkua që para ndeshjes nga presidenti Gjici. Madje tensionet arritën në një pikë sa kërkoi që Gjoka të mos ishte fare në pankinë për ndeshjen e kthimit në Europa League, duke ia kërkuar detyrën drejtorit sportiv Nderim Nexhipi. “Edhe nëse do kualifikohej Kukësi, vendimet ishin marrë” sqaroi burimi.

Pas ndeshjes Gjici nuk ka zbritur në dhomat e zhveshjes, për të vetmin motiv sepse vendimet për shkarkimet e largimet ishin bërë përpara. Arbër Cyrbja, pas një sezoni mes shumë dëmtimesh e problemesh fizike e dinte fare mirë se ishte ndeshja e fundit me Blutë. Lojtari megjithatë ka falenderuar klubin me një story në Instagram, duke konfirmuar largimin.

Por situata është edhe më e rëndë: “Kush nuk luan si duhet të marrë me vete cantën në fund të ndeshjes” raportohet të ketë thënë Gjici dhe në rrugën e daljes janë edhe Ylli Shameti, pavarësisht se zyrtarisht qendërmbrojtësi ishte me temperaturë. Shameti ka vuajtur shumë dëmtimet në sezonin që u mbyll dhe Gjici e kishte humbur prej kohësh durimin me gjirokastritin.

Edhe Valdet Rama, ylli i bujshëm i kuksianëve në janarin e kaluar është drejt ikjes. Numri 99 kërkon të largohet me cdo kusht, por po vuan presionin e Gjicit për ta mbajtur në skuadër me cdo kusht. Rama nuk ndihet mirë në skuadër dhe e ka bërë të qartë se pas ndeshjeve Europiane do të largohet jashtë Shqipërisë. Por furtuna e Gjicit mund të përfshijë edhe një njeri të besuar të presidentit. DS Nexhipi ka debatuar ashpër me presidentin në lidhje me merkaton dhe e ka marrë paralajmërimin. Situata në këtë moment është stabël me të dy që janë në periudhë reflektimi, por dicka është thyer dhe vështirë se ngjitet më.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *