• |
ide | kryesore

Video/ Kane nga mesi i fushës, gjunjëzon Ronaldon e Higuain: spektakël mes Juventus e Tottenham

Sport, Video



Dalja e parë e Maurizio Sarri në krye të Juventus ka shkuar keq, por vetëm për meritë të Harry Kane, që sic duket ka ndjerë ende atmosferën e derbit me ish-teknikun e Chelsea. Një gol i magjishëm i sulmuesit të Anglisë në minutat shtesë, kur nga mesi i fushës ka ndëshkuar pakujdesinë e Szczesny, që nuk e kishte menduar të pësonte një gol në të tillë mënyrë.

3-2 dorëzohen bardhezinjtë përballë Tottenham në International Champions Cup, edhe pse kampionët e Italisë janë shumë mbrapa në krahasim me anglezët në përgatitje, duke qenë se Premier nis në ditët e para të gushtit. E megjithatë Sarri ka marrë përgjigje nga njerëzit e tij të besuar, Higuain i pari. Argjentinasi po mundohet të bindë këdo se mund të luajë një rol të rëndësishëm në skuadër dhe goli i parë sezonal i torinezëve ka firmën e tij.

Mund të mjaftojë ose jo për të mbajtur numrin 21 tashmë në skuadër, por në anën tjetër Sarri ka marrë sigurinë nga lojtari simbol i bardhezinjve: Cristiano Ronaldo ka shënuar golin e avantazhit provizor në sfidën me Spurs, duke treguar se është gati për një tjetër sezon si protagonist.

Cancelo dhe De Sciglio ishin dy lojtarët e vetëm që nuk u zëvendësuan nga Sarri dhe ky mund të jetë një tregues, të paktën sa i përket portugezit, sepse ish-milanisti ka peshën e tij në golin e barazimit 2-2 të Lucas Moura, me dy gabime të njëpasnjëshme. E para në pasimin e ndërprerë nga Sissokho dhe e dyta në vijimin e aksionit me pasimin për Moura, që mbrojtsi e la të pambuluar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *