• |
ide | kryesore

Lëvizja Vetëvendosje pro ruajtes së Teatrit: Vendi në duart e një karteli me trajta politiko-mafioze

Arkiva, Lajme, Të fundit

Lëvizja Vetëvendosje mbështet ruajtjen e Teatrit Kombëtar. Nëpërmjet një reagimi në Facebook të qednrës së Lëvizje Vetëvendosje në Shqipëri, rreshtohen argumentat se pse teatri duhet ruajtur, pse ai kërkohet me kaq ngulm të prishet nga pushtetarët, dhe pse vendit i takon një shtet të qytetarëve, e jo një shtet në shitje për oligarkët.

Metodat si po kërkohet të prishet teatri, nëpërmjet ‘ligjit special’ në parlament, VV i lexon si dëshmi të shndërrimit të ligjit në duart e një karteli me trajta politiko-mafioze.

Sipas VV, kapitali i oligarkëve e kontrollon plotësisht shtetin, sepse pangopësia e pushtetarëve të partive të vjetra e ka nxjerrë demokracinë dhe shtetin në shitje. Ky teatër politik duhet të përfundojë.

Reagimi: 

Politika e Teatrit dhe teatri i politikës

Politika e Teatrit

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri mbështet ruajtjen e kompleksit të objekteve të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental në Tiranë. Prej fillimit të rezistencës qytetare, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë marrë pjesë në organizimet dhe prezantimet e ndryshme në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Prandaj, solidarizimi ynë është vazhdimësi e mbështetjes tonë për qytetarët të cilët prej më shumë se një viti e gjysëm protestojnë kundër planeve për ta rrënuar këtë simbol të kulturës shqiptare me vlera shoqërore, artikekturore, edukative, shpirtërore, artistike dhe historike.

Politika kombëtare duhet të ruajë trashëgiminë kulturore; politika qytetare duhet të prioritizojë demokracinë dhe të përfillë qytetarët; politika shoqërore duhet të kujdeset për mirëqenien dhe standardet e jetesës; ndërsa politika e drejtësisë do të duhet të luftonte kundër mafias e interesave të përfitimit të shpejtë që synojnë uzurpimin dhe shkatërrimin e së përbashkëtës. Çdo qasje tjetër nuk do të ishte politikë por vetëm antipolitika me të cilën kasta në pushtet ushqen shqiptarët tash e tre dekada.

Sipas specialistëve të historisë dhe arkitekturës, kompleksi i Teatrit Kombëtar ka vlera unike arkitekturore për Shqipërinë, dhe perfaqëson si pak objekte të mbetura me vlera historike në Tiranë, një mekanizëm të komunikimit kulturor në breza. Ai është tejet i rëndësishëm sa i përket kujtesës sonë të përbashkët dhe këtë e ndjejnë edhe ata që nuk janë specialistë. Shumë arkitektë restauratorë kanë dëshmuar me fakte se Teatri Kombëtar është krejtësisht funksional nëse restaurohet sipas standardeve bashkëkohore. Ndërkaq, kthimi i një pjese të këtij kompleksi në muze do të shtonte një vendndodhje të çmuar në hartën historiko-kulturore të qytetit, që do t’i shërbente kultivimit artistik të brezave të ardhshëm. Nevoja për një tjetër teatër në Tiranë nuk mund të justifikojë rrënimin e ndërtesës së tanishme, që do të rrafshonte një pjesë tejet të rëndësishme të historisë tonë të përbashkët. Një teatër i ri mund të ndërtohet tjetërkund.

Synimi për ta shkatërruar teatrin ekzistues dëshmon për një qark të shkurtër mes pushtetarëve dhe oligarkëve të ndërtimit, duke cenuar pasurinë historike e larminë arkitekturore të Shqipërisë. Ky rast tregon edhe se si ligji bie pre e oreksit të mafias së ndërtimit. Miratimi i një “ligji special” për interesa specialë, ka për qëllim t’i zhvasë qendrës historike të Tiranës një pjesë të zonës së mbrojtur, me synimin për të ngritur ndërtime të reja, të larta e private në truallin e Teatrit Kombëtar. Njëkohësisht, zona historike e Tiranës është rrudhur në vitin 2017 me vendim të Këshillit të Ministrave, për t’i hapur rrugën ndërtimeve të reja në zonën e mbrojtur. Kjo dëshmon se si ligji është shndërruar në plastelinë në duart e një karteli me trajta politiko-mafioze. Prej fillimit të viteve 2000, ka patur dy tentativa të tjera nga pushteti për ta prishur Teatrin Kombëtar, por ato tentativa fatmirësisht janë ndalur nga lart. Kësaj radhe, janë qytetarët ata që po e mbrojnë Teatrin Kombëtar me qëndresën e tyre.

Sa i përket çështjes së politikave sociale, tashmë mbingarkesa me ndërtime të larta i ka cenuar rëndë standardet e mirëqenies dhe të jetesës në Tiranë. Rritja e dendësisë së popullsisë ka ardhur në përpjesëtim të zhdrejtë me hapësirat publike, sportive, kulturore, edukative, infrastrukturore, të gjelbëruara, zbavitëse e kështu me radhë. Tirana e mbushur me beton po synon ta mërgojë gjelbërimin në periferitë e saj, me projekte që tingëllojnë bukur, por pa efekt të konsiderueshëm, si “pylli orbital”, ose ta shndërrojë gjelbërimin publik në gjelbërim privat, përmes projekteve të “kopshteve vertikale”, ku parqet prishen për t’u kthyer në shumëkatëshe betoni, e më pas ato maskohen me bimë kacavjerrëse nëpër ballkone e dritare. Tashmë Tirana i ka shkollat e mbingarkuara, nuk ka kinema publike, i ka rrugët e trotuaret të ngushtuara e të mbingarkuara, është e ndotur, dhe ka plot probleme të tjera infrastrukturore e urbanistike që e vështirësojnë jetën e qytetarëve. Ndaj qëndresa për Teatrin Kombëtar është edhe qëndresë kundër politikave anti-sociale, të cilat shohin vetëm interesin e drejtpërdrejtë për fitim të shpejtë, kundër interesit afatgjatë të qytetarëve dhe të qytetit.

Teatri i politikës

Situata rreth Teatrit Kombëtar i shpërfaq pushtetarët si aktorë të një teatri marionetash. Atyre ua luajnë telat ato pak kompani të mëdha e korporata të cilat tashmë kontrollojnë përmes monopolesh, oligopolesh e kartelesh gati gjithë ekonominë e Shqipërisë. Politikat që burojnë nga interesat e oligarkëve i kanë prioritetet e investimit në fusha jo emergjente për qytetarët. Ajo që pushtetarët mundohen ta shesin si qeverisje serioze, në të vërtetë është një aktrim i qeverisjes. Një qeverisje vërtetë në dobi të interesit publik kurrsesi nuk mund të kuturisë në të tilla projekte antipublike. Në çdo vend të zhvilluar politika demokratike afirmon fuqinë e vet drejtuese mbi të gjithë qytetarët, përfshi edhe mbi kapitalin. Në Shqipërinë ku të gjitha partitë ndjekin ideologjinë neoliberale, shteti është dobësuar aq shumë sa që shërben vetëm për të shpërndarë tendera e leje ndërtimi, koncesione e licenca. Kapitali i oligarkëve e kontrollon plotësisht shtetin, sepse pangopësia e pushtetarëve të partive të vjetra e ka nxjerrë demokracinë dhe shtetin në shitje.

Ky teatër politik duhet të përfundojë. Politikat shkatërrimtare neoliberale dhe uzurpimi i hapësirëve publike, duhet të zmrapset. Krahas të drejtës së qytetarëve mbi qytetin, Shqipëria ka nevojë për shtet të qytetarëve, shtet të zhvillimit, modernizimit e drejtësisë, që e lufton krimin, monopolet e kartelet, dhe që mbron publiken dhe vlerat historike e kombëtare.

Tiranë, 22 korrik 2019
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri

5 Comments

  1. Ore ju te vv keni shkruar gjithe kete artikull dhe per cudi perse nuk e thoni troc qe per prishjen e teatrit ka gishte vetem Edvin Rama por thoni se fajin ekane partite vjetra ,sipas jush o te helmatisur fajin e ka PD si parti me e vjeter . Dyshoje qe ky atikull eshte shkruar ne zyren Edvin Rames, bravo po i sherbeni me zell

  2. Se mos na del neser qe ka dakortesi dhe luli & co. Sic tashme e dime qe gruaja e nishanit eshte bashkpronare. Duhet dikush te na thone pervec rams dhe velines ke kemi tjeter dhe leket e kujt tjeter do pastrohen ne lavatricen e madhe te tiranes.

  3. Prandaj dhe ne flasim ketu me shume per sorren plak dhe junior per ram + lul + sal + met + velinen + buzkuqen vic serbi se e ” dime ” kete. E verteta nuk mbytet kurre po kurre hic. Nuk ndodh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu