• |
ide | kryesore

Ku ngjason kryeministri i ri i Britanisë, Boris Johnson me Donald Trump?

Arkiva, Kryesore



Boris Johnson, ish-kryetari i Bashkisë së Londrës dhe ish-ministri i Jashtëm i Britanisë, është zgjedhur lider i ri i Partisë Konservatore e për rrjedhojë edhe pasues i Theresa May-t në postin e kreut të qeverisë.

Në rezultatin e votimit të rreth 160,000 anëtarëve të forcës së djathtë qeverisëse, Johnson rezulton kryesues në përballjen kundrejt ministrit të Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, me 66 % të votave. Më herët, premisa potenciale e zgjedhjes së tij në krye të Britanisë, nuk u mirëprit nga disa ministra, të cilët kanë dhënë dorëheqjen duke arsyetuar se refuzonin të pranonin mundësinë për çanëtarësimin e vendit nga Bashkimi Evropian pa miratimin e një marrëveshjeje largimi.

Të paktën tre ministra të kabinetit: Philip Hammond, Rory Stewart dhe David Gauke, kanë paralajmëruar se do të dorëhiqen nga kabineti në harkun kohor të 36 orëve të ardhshme, në shenjë mospajtimi ndaj vendimit të Johnson-it lidhur me kahjen e paparashikueshme që mund të marrë procesi i Brexit-it. Njëfarësoj, Anne Milton, ministre e Biznesit, dha dorëheqjen paraprakisht këtë paraditë përpara emërimit të Johnson, duke shprehur shqetësimin për konkretizimin e skenarit famëkeq “hard Brexit”.

Fushata për të fituar pozitën e liderit të konservatorëve dhe njëherësh edhe të kryeministrit të ri të Britanisë, u karakterizua pikërisht më së shumti nga diskutimet për Brexit-in. Në këtë drejtim, kandidatët kanë ndarë pikëpamje diametralisht të kundërta: Hunt dha garancinë se do të siguronte largimin pas votimit të një marrëveshjeje, ndërsa Johnson në anën tjetër, ka shprehur vendosmërinë që Britania të dalë nga Unioni më datë 31 tetor, brenda afatit të shtyrë në Samitin e Brukselit në prill, duke përfshirë këtu edhe mundësinë e largimit pa marrëveshje.

Për nga ngulmimi dhe qendrimet refraktare për çështje të politikës së brendshme dhe të jashtme, lideri i porsazgjedhur për të prirë konservatorët dhe Britaninë, ka afinitete të theksuara me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump-in, të cilit i përngjet në temperament, fizik dhe ideologji politike, që janë subjekti më i ri në narrativën e gjatë të të ashtuquajturës “marrëdhënie e veçantë” midis dy vendeve, që nis rishtazi.

Kur Boris Johnson-i vizitoi Nju York-un pak vite më parë, i rrethuar nga një grumbull fotografësh që përpiqeshin të fiksonin figurën e tij, ai vuri re një vajzë që ecte në drejtim të tij. E shtangur nga skena, ajo u ndal dhe Johnson-i mbajti vesh për të dëgjuar frazën klishe: “Hey, mos është gjë Trump-i?”.

Johnson-i është i parapëlqyeri i Trump-it. Presidenti pagoi një haraç dorëgjerë për llogari të Johnson-it gjatë “vizitës së tij të punës” në Britani, verën e kaluar. Duke qëndruar pranë May-it në një konferencë shtypi, Trump tha se ish-kryebashkiaku i Londrës ishte “një djalë shumë i talentuar” për të cilin ai kishte “shumë respekt”. Kjo deklaratë përkon me largimin e Johnson-it nga radhët e konservatorëve në shenjë proteste ndaj Marrëveshjes së Brexit-it, të negociuar mes May-it dhe Brukselit.

Në atë kohë, buzëqeshja e May-it u shndërrua në grimasë, ndërsa Trump shkeli si zakonisht normat diplomatike. “Isha shumë i pikëlluar kur pashë se ai po dilte nga qeveria”, tha Trump. “Unë vetëm po them se unë mendoj që ai do të jetë një kryeministër i madh. Unë mendoj se ai ka atë që i nevojitet në atë detyrë.”

 

 

Trump-i dhe Johnson-i kanë aq shumë karakteristika të përbashkëta sa nuk është e vështirë të hamendësohet mbi shkaqet burimore të famës së tyre, apo për të kuptuar pse publiku amerikan i ngatërron me ose pa qëllim me njëri-tjetrin. (Rasti i identifikimit të gabuar pranë “Central Park”-ut ka ndodhur vetëm një herë). Ngjashmëritë e tyre sipërfaqësore janë të dukshme, jo vetëm për faktin se që të dy kanë flokë pothuajse komik, që janë bërë gati-gati një markë e tyre tregtare. Të dy kanë lindur në Nju Jork, Trump në Queens dhe Johnson në Manhatan. “Çifti” ndan një talent për t’u vetëpromovuar, dhe për ta shndërruar famën dhe influencën e tyre në një ndikim të papërpunuar politik, për të zbrapsur dhe për të joshur votuesit në të njëjtën gjatësi vale.

Andrew Gimson, autor i biografisë “Boris: Ngritja e Boris Johnsonit”, thotë se ish-Sekretari i Jashtëm ka një lidhje unike me Trump-in. “Ka një arsye pse Trump ka arritur aty ku është: ai është një interpretues i madh, gjithmonë duke dhënë një shfaqje. Edhe Boris është një interpretues, ai dëshiron të kënaqë njerëzit, të jetë interesant,” thotë Gimson.

“Ata janë politikanë anti-sistem, ata shokojnë të ashtuquajturit njerëz të rritur që mendojnë se politika duhet të bëhet në një mënyrë shumë solemne, ose që nuk mund të bëhet kurrë një njoftim serioz me një ‘cicërimë’ Twitter-i. As Boris as Trump nuk janë teveqelë.”- shkruan autori.

Ka një artificë gjithashtu edhe në artin e tyre. Trump-i “tregton” imazhin televiziv të një biznesmeni të suksesshëm, edhe pse shumë nga ndërmarrjet e tij janë kthyer në dështime epokale. Johnson-i ka kaluar duke hartuar me durim “personin” e tij publik të një profani të parrezikshëm, kur në të vërtetë është një individ i vrazhdë dhe ambicioz.

Sonia Purnell, autorja e një biografie tjetër “Just Boris: Një përrallë e bjondit ambicioz”, ka punuar me Johnson-in kur ishin gazetarë në Bruksel në fillim të viteve ‘90. “Ai është një aktor i madh, ai është një gaztor. Flokët nuk ta mbushin syrin për ambiciet e tij. Gafat që ai bën, janë në të vërtetë të bazuara në skenare, nuk janë spontane,” thotë Purnell.

 

 

Dëshira e Johnsonit për të qënë hokatar ose provokativ, e ka përndjekur gjatë detyrave të ndryshme që ka kryer. Rubrikat e tij të mëparshme kur punonte si gazetar, kanë shkaktuar zemërim mes kritikëve të tij, kur ai përdori sharje raciale për të syrgjynosur edhe më shumë ata që qendrojnë në margjinat e shoqërisë, njerëzit me ngjyrë. Megjithatë, Johnson ka kërkuar falje. Vetëmbrojta “Unë isha duke bërë shaka” është një jelek shpëtimi që shpesh nxjerr nga situata të pavolitshme edhe Trump-in, sa herë që vërejtjet e tij të patakta shkaktojnë reagime të ashpra.

Nuk ka dyshim se Johnson-i dhe Trump-i lodrojnë me aftësitë e tyre për të tronditur dhe për të parë sesi të qenit “politikisht jokorrekt” mund të përdoret si një armë për të ushqyer vrullin e populizmit, që i ka shpënë që të dy në piedestal. Në rastin e Trump-it, kjo strategji e çoi atë drejt fronit presidencial, ndërsa pothuaj barabar me të, Johnson-in e ndihmoi që të udhëheqë fushatën e Brexit-it në vitin 2016.

Kjo gatishmëri për të qenë të vrazhdë dhe cinikë ndaj kundërshtarëve është shenja më dalluese e tyre. Ndërkohë që presidenti injoron frikën e korporatave amerikane për një luftë të mundshme tregtare me Kinën, miku i tij britanik shfrytëzon një shkëputje të ngjashme midis “punonjësve” dhe atyre që i druhen politikës së tij që paralajmëron kaos ekonomik.

Në një gosti private për të festuar datëlindjen e Mbretëreshës, Johnson-i u pyet nga gazetarët për frikën e justifikueshme të punëdhënësve se largimi i vendit nga Bashkimi Europian mund të kishte impakt negativ në vendet e punës në industrinë e prodhimit të makinave dhe të aviacionit. “Të p*****t biznesi!”- u përgjigj ai. Kundërshtarët e tij janë përpjekur t’ia vendosin si një “shirit turpi” këtë frazë rreth qafës së tij qysh atëherë, por ai duket se Johnson-i i pakomplelsuar e vesh atë si një simbol të krenarisë.

Për Trump-in dhe Johnson-in, sundimi duhet të prihet nga shprehja gati proverbiale e Oscar Wilde-it se “ka vetëm një gjë në botë më të keqe sesa të flitet keq për ty, që është që të mos flitet fare”. Narcizmi në politikë zor se është një cilësi e rrallë, por që të dy e kanë shpënë këtë të metë në një nivel të ri.

 

 

Shumë më i dëmshëm sesa vetëvlerësimi i fryrë është moskuptimi i të vërtetës faktike se që të dy jo vetëm që nuk shtiren si politikanët e tjerë, por ata në fakt gënjejnë. Gënjeshtrat e Trump janë të dokumentuara aq mirë, saqë “Neë York Times”-i i katalogonte secilën prej tyre në vitin 2017 (ai thoshte diçka të pavërtetë çdo ditë për 40 ditët e para të mandatit të tij presidencial).

Ndërsa, gënjeshtra e madhe e Johnson-it është mashtrimi i elektoratit britanik, të cilit iu tha se votimi kundër Brexit-in do të shoqërohej me faturën e majme të 350 milionë eurove, që i duheshin paguar BE-së. Ky pretendim  u risoll në vëmendje kohëve të fundit, në pritje të zhvillimit të zgjedhjeve të brendshme të konservatorëve dhe Johnson-it do t’i duhet të përballet para togave të zeza me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Dhe kur bëhet fjalë për gratë, ngjashmëria me Trump-in është e dukshme. Megjithëse Johnson-i kurrë nuk ka ngacmuar ose sulmuar asnjë prej partnerëve të tij, ai është sigurisht “seksualisht i pavullnetshëm”, siç ka thënë një ish-ndihmës i tij. Petronella Wyatt, historia e tij e njohur e dashurisë, rrëfen se Johnson-i i pati thënë dikur: “E gjej vërtetë të paarsyeshme që burrat duhet të ‘izolohen’ me vetëm një grua”. Gjithsesi, ashtu sikurse Trump, mungesa e besnikërisë së tij martesore, nuk ka ndikuar as për Johnson-in në bazën e mbështetësve.

Megjithatë, kur vjen puna tek bërja për vete kolegëve të tij, Johnson-i është ca më pak i suksesshëm. Një nga arsyet që ai nuk arriti të fitonte udhëheqjen e Tory-t në vitin 2016 ishte sepse nuk mundi të merrte mbështetjen e mjaftueshme të deputetëve. Çuditërisht, në rastin e Johnson-it, një pjesë e kësaj rrjedh nga droja. “Dikush tjetër tha se e kishte ftuar Johnson-in në një darkë në shtëpinë e saj dhe ai ishte kaq i tronditur nga mundësia e bërjes së një bisede kokë më kokë me dikë, saqë ofroi në këmbim të mbante një fjalim para të gjithë partisë.”

Pavarësisht nga marrëdhëniet e tanishme të ngrohta, Johnson-i e ka fare të qartë se ai duhet të “masazhojë” egon e Trump-it, si mënyra më e mirë për të ecur në hapat e tij. Në vitin 2015, Johnson-i e pa kandidatin republikan si një rrezik të vërtetë. “Unë jam vërtet i brengosur se ai mund të bëhet president”, thoshte dikur pretendenti më favorit për të marrë kreun e konservatorëve dhe për rrjedhojë edhe drejtimin e ekzekutivit të Britanisë.

 

 

Ka padyshim disa dallime të mëdha mes tyre,  sidomos përsa i përket intelektit dhe arsimit. Ndërsa Trump ka një problem famëkeq me kujtimin e emrave të përveçëm apo të vendeve, Johnson-i ka një kujtesë jashtëzakonisht të mprehtë dhe është në gjendje të mbajë mend të gjitha pasazhet e bisedave sado të parëndësishme që ka zhvilluar qoftë edhe me njerëz çfarëdo.

“Çështja është se Boris është mjaft bujar për njerëzit. Në tërësi, ai është mjaft tolerant. Ai do të tronditej nga disa gjëra që Trump thotë, siç ishte rasti i gjyqtarit Gonzalo Curiel, i cili u stigmatizua vetëm prej origjinës meksikane. Unë nuk mendoj se Boris do ta thoshte këtë.”- thotë Gimson.

Përsa i përket çështjes së migrimit, Johnson-i e ka përshkruar veten si “politikani më pro-imigracion në Britani”. Madje, May në të kaluarën e ka kritikuar propozimin e tij për amnisti ndaj emigrantëve të paligjshëm, diçka që Trump nuk do ta bënte kurrë.

Çmimi për suksesin e Johnson-it në fushatën pro-Brexit ka qenë rritja e vrullshme e numrit të njerëzve që nuk e duan atë në asnjë kolltuk pushteti. Ndërsa ai ishte përbuzur më parë si një klloun i rëndomtë, tani është i urryer nga shumë njerëz. Në një interpretim artistik deri-diku profetik, punimi në grafiti në Bristol i përvijuar gjatë fushatës së referendumit për qendrimin/largimin nga BE-ja (fotoja kryesore), paraqet trumfin e ideologjisë djathtiste të “çiftit” Trump-Johnson.

Ata mund të bëhen partnerë me interesa dhe përfitime reciproke në arenën ndërkombëtare. Për shumë nga kritikët e tyre, e vetmja “marrëdhënie e veçantë” e vërtetë që ka secili prej tyre, ka të bëjë veçse me egon.

Nuk do të jetë shumë vonë përpara se Johnson-i t’ua kujtojë të gjithëve se ai ishte një njujorkez. Në vitet e fundit ai hoqi dorë nga shtetësia amerikane, për t’i shpëtuar taksimit të dyfishtë. Por, përpara kësaj, ai u shfaq edhe një herë në emisionin shumë popullore të David Letterman-it, ku bëri një deklaratë që qendron brenda kontureve të fizionomisë së tij politike. “Unë mendoj se unë mund të jem president i Shteteve të Bashkuara. Ju e dini, duke folur teknikisht.”

Përtej aureolës së suksesit imediat, Johnson-i dhe Trump-i do të duan të qeshin të fundit, por tanimë për miliona njerëz, shakatë e tyre janë pa kripë dhe nuk ngjallin buzagaz.

 

Burim informacioni: Huffington Post

Përshtati për Lapsi.al: Kristi KABA

 

 

 

 

 

 



2 Comments

  1. C’eshte ky taksirat qe referoni vetem media te majta ju te lapsit? Keto mediat e majta te korrekteses politike, jane pikerisht arsyeja per popullaritetin e ciftit Trump-Johnson. Keta te dy e kuptuan me mire se te gjithe urrejtjen e njerezve per diktaturen e korrekteses politike dhe luajten mjeshterisht. Duket e cudishme por ka njerez qe nuk i pelqen t’i thone qe e zeza eshte e bardhe dhe anasjelltas dhe mesa duket ato jane shumica ne Angli dhe Amerike. Cifti tha te verteta te thjeshta si: Islami nuk eshte fe e paqes; te jesh burre i bardhe nuk eshte ndonje mekat; kush ka koqe eshte burre, pavaresisht se i pelqen te thote jam grua; kultura e Arabise nuk eshte e barazvleshme me ate te Frances; nese vjen ne Angli apo SHBA te pakten duhet te perpiqesh te mesosh anglisht; perendimi e ka te pamundur te strehoje te gjithe te mjeret apo kriminelet e botes; kur marreveshja thote duhet te paguash 2% te PPB,duhet te paguash 2% te PPB; kur njerezit votojne BREXIT presin BREXIT. Por sigurisht kur thua gjera te tilla, duhet te presesh te te quajne edhe turpi i njerezimit, nga njerez qe dhe pyllin e egersirave e kane teper.

  2. Filmi i shkëlqyeshëm, por është një kopje e keqe! Më në fund e pashë HD streaming të këtij filmi. Mendova se disa prej jush do të donin ta shihnin gjithashtu.

    Lirimi Filma 2018-2019 Full Movie Pa pagesë Online

    Ky është vendi ku unë isha duke e shikuar atë >> STARMOVIE32.XYZ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *