• |
ide | kryesore

Nga A2 në Bundesligë, volejbollistja e kombëtares tregon firmën me Nawaro: “Shkova e bindur se nuk do të bëhej”

Sport



Nga A2 në Bundesligë, nga Apolonia tek Nawaro Straubing: kjo është historia e bukur e volejbollistes Klajda Guci, që në një sezon të vetëm kurorëzoi ëndërrën e saj. Me Apoloninë, 18 vjecarja arriti të ngjitej në elitën e volejbollit shqiptar e në të njëjtën kohë performancat e saj me fierakët dhe ekipin Kombetar në turneun e Mariborit kanë shërbyer për të rënë në sytë e gjermanëve të Nawaro Straubing, ekip i cili luan ne Deutsche Volleyball-Bundesliga (Frauen). “Shkova në Gjermani e bindur se nuk do të bëhej – tregoi Guci – më dukej e pabesueshme për të qenë e vërtetë, ndaj dhe nuk e mora me presion. Ndoshta kjo më ndihmoi të dilja mirë. Trajneri i ekipit të parë më dha besim për të ardhmen gjë që më bën të ndihem tani edhe më e sigurtë”.

Numri 15, tepër efikase në pozicionin 4, si diagonaliste me pasin, ka nënshkruar një kontratë 1 vjecare me ekipin gjerman në një moment deciziv për karrierën e saj. Provën me Nawaro Guci e kaloi me sukses, duke firmosur parakontratën me klubin, sigurisht pasi kaloi edhe vizitat mjekësore, ndërsa në shtator do të prezantohet për të nisur aventurën në Bundesligë për sezonin 2019-2020. “Më pritën shumë mirë dhe u ndjeva si në shtëpi – tha Guci -. Aty është edhe një volejbolliste shqiptaro-maqedonase dhe ajo ma bëri edhe më të thjeshtë përshtatjen në dy javët e provës. Besoj se do të jetë mbështetje për mua edhe në sezonin që do të luaj aty”.

Për shkak edhe të moshës së re, Klajda do të stërvitet me ekipin e parë, por hapërirat për të luajur janë të limituara, ndaj hipoteza për të luajtur me ekipin e dytë merr prioritet. Pasi ka shkëlqyer në radhët e Apolonisë dhe ka luajtur me përfaqësuesen e U18 dhe U 19, për Klajdën erdhi edhe thirrja në kombëtaren e të rriturave. Për 18 vjecaren u interesua edhe Partizani, që insistoi madje deri në fund, por dëshira e vajzës për tu përballur me një kampionat të rëndësishëm europian ka bërë që të zgjedhë ekipin e Bundesligës. Për Klajdën është natyrisht një arritje e rëndësishme, por kalimi i volejbollistes kuqezi në një skuadër si Nawaro Straubing është një sinjal i fortë për volejbollin dhe kombëtaren, që po sheh elementët e saj më të mirë të luajnë në kampionatet elitare kontinentale.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *