• |
ide | kryesore

Ristani kundër të vetëve: PD gaboi me djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve

Lajme, Të fundit



Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani e konsideron si fakt mjaft të rëndë lënien pa përfaqësi të popullit opozitar në pushtetin qendror dhe vendor. Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Ristani kërkon reflektim nga lidershipi demokrat mbi pasojat që solli vendimi për të mos të hyrë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Arben Ristani thekson se “Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë me strategji të qartë, të mirëorganizuar, të fuqizuar me njerëz të aftë e të besueshëm”. Në të kundërt, sipas Ristanit, “uniteti grusht-bashkuar rreth verbërisë ndaj realitetit të mban të mbërthyer në një rrugë e cila çon vetëm në një drejtim – drejt humnerës”.

Ai flet edhe për nevojën që ka PD për të rivendosur besimin dhe për të rilidhur marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, sidomos ata amerikanë, dhe këtu mbetet shumë punë për t’u bërë.

Postimi i plotë i Ristanit

Para disa ditësh jam shprehur publikisht në lidhje me një fakt të qartë si drita e djellit: pavarësisht përpjekjeve, opozita nuk arriti ta ndalonte mbajtjen e zgjedhjeve vendore me Ramën kryeministër.

Zgjedhjet u mbajtën, edhe përkundër përbetimeve të disa personave publike, analistëve pro-opozitarë, njërit prej të cilëve jam i detyruar t’i përgjigjem sot me këtë shkrim. Besoj ju kujtohet solemniteti i atyre që përbetoheshin se nuk do lejonin zgjedhje me 30 qershor – solemnitet që mbante nënshkrimin viral #metoo.

Zgjedhjet u mbajtën. Jo vetëm kaq, por mesa duket këtë vit në horizont nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, pa Ramën kryeministër. Ky ishte përbetimi tjetër i madh që bëhet tym. Ajo që mbetet janë prokurorja e përgjithshme e përkohshme, përjetësisht besnike ndaj kryeministrit Rama, ajo që mbetet është një katastrofë institucionale, ekonomike dhe njerëzore, me pak ose aspak dritë në fund të tunelit.
Në këtë situatë jam shprehur se PD mund dhe duhet ta mundë në zgjedhje – dhe jo në llafe – Ramën dhe Rilindjen, si e vetmja rrugë qe kemi, edhe pas keshillave dhe insistimit të partnerëve ndërkombëtare, evropianë dhe amerikanë.

Kam shprehur mendimin se fakti që sot PD dhe populli opozitar mbeten të papërfaqësuar në nivel qendror dhe vendor është shumë i rëndë. Ky rezultat, pavarësisht bindjes që na u krijua kur morëm vendimet tona për të dorëzuar si grup mandatet e për të mos hyrë ne zgjedhje me Ramen, ka nevojë për reflektim nga lidershipi i PD, mbi bazën e gjykimit të shëndoshë mbi atë që ndodhi, si dhe pasojave që ai solli.

Rruga që duhet ndjekur, sipas mendimit tim, kalon nga puna për të rritur besimin dhe angazhimin e mbështetësve të opozitës. Na duhet një program i mirë, i qartë dhe i kuptueshem nga njerëzit. Por kryesor është besimi – na duhet të ringjallim besimin se jemi si parti dhe si individë, në lartësinë e premtimeve tona. Shumë punë mbetet për të bërë për të rivendosur besimin dhe për të rilidhur marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, sidomos ata amerikanë.

Gjithashtu kam përmendur nevojën për të bashkuar partinë me të gjithë ata që kane kontribuar për PD ndër vite, me ata që kanë ekspertizën dhe eksperiencën për organizimin e partisë dhe suksesin e saj në betejat elektorale, pavarësisht qejfmbetjeve, komplekseve, apo kontradiktave parimore.

Në mënyrë të permbledhur këto kam thënë.

E gjitha kjo, për ” këshilltarin mediatik / zërin më të afërt mediatik” (sipas medias ku e lexova lajmin), Gjekmarkaj, është konsideruar si një “gjuajtje e Ristanit ndaj Lulzim Bashës”. Sipas analizës së analistit Gjekmarkaj, meqë atëherë unë nuk dola kundër vendimit për të dorëzuar mandatet e për të bojkotuar zgjedhjet e Ramës, që sot e tutje duhet të mbyll gojën e të hesht përgjithmonë.

Kjo nuk më duket një këshillë me vend – as për mua, as për këdo, që si unë, do që PD të vijë në pushtet, për të mirën e shqiptarëve.

Nuk më duket me vend që të mos kemi të drejtë të reflektojmë mbi gabimet tona. Nuk më duket me vend që një analist të mund të ketë të drejtën të ndryshojë qëndrime e deklarata sipas rastit dhe dëshirës, ndërsa politikanit i hiqet mundësia të reflektojë mbi gabimet e bëra dhe konkluzionet e nxjerra.

Vetë Gjekmarkaj, pak kohë më parë është shprehur se Lista “Basha” e kandidatëve për deputetë në 2017 ishte e fëlliqur, e neveritshme, e hartuar për të vjelë frytet e një marrëveshje okulte të bazuar në interesa financiare. Akuza këto tmerrësisht të rënda, ndoshta të justifikuara në një farë mënyre nga lënia e tij jashtë listës së kandidatëve.

Megjithatë, unë besoj se në këtë moment kaq të rëndë, në një krizë të plotë eknomike, politike dhe juridike, kushdo që orientohet nga e mira nuk duhet të heshtë, pavarësisht mënyrës sesi analizon Gjekmarkaj; përkundrazi – çdokush duhet të flasë sa të mundet më fort, të bëjë gjithçka që ka në dorë, në mënyrë që të dalim të gjithë së bashku nga mizerja rilindëse.

Në kohën kur analistë e gazetarë, mendje “të bukura” e media “të pavarura” shkruajnë e komunikojnë si militantë partish, duke e kaluar Shqipërinë në plan të dytë në funksion të interesave të veta, lind nevoja që shqiptarët të aderojnë në formacione që mendojnë më shumë për Shqipërinë sesa partinë.

Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë me strategji të qartë, të mirëorganizuar, të fuqizuar me njerëz të aftë e të besueshëm.

Ideja se ne duhet të flisnim kur ishte koha për të folur, ndaj tani duhet të heshtim përgjithmonë, më shtyn të mendoj se, sipas kësaj aksiome Gjekmarkiane, njeriu politik është i destinuar të jetojë paradoksin e mërzitshëm në të cilin, nëse flet jashtë llafollogjisë së miratuar nga lidershipi, je i dënuar të quhesh automatikisht ose i shitur, ose i hatërmbetur. Nga ana tjetër, nëse njeriu politik i mbështet dhe miraton tezat e lidershipit, me shpresë dhe besim në vërtetësinë e tyre, ai duhet të heshtë përgjithmonë, pasi duhet të kishte folur kundra tyre më parë.

Ku do na shpjerë ky qëndrim? Uniteti grusht-bashkuar rreth verbërisë ndaj realitetit të mban të mbërthyer në një rrugë e cila çon vetëm në një drejtim – drejt humnerës.



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *