Max Verstappen triumfon në GP të Gjermanisë, duke rrëmbyer suksesin e dytë sezonal në fund të një gare të cmendur e të paparashikueshme. Në podium me hollandezin e Red Bull është edhe Ferrari i një Sebastian Vettel të jashtëzakonshëm, autor i një rikuperimi të pamendueshëm nga vendi i fundit. I treti suprizë është Kvyat me Toro Rosso. Shkatërrimtare prova e Mercedes: Bottas out, Hamilton i 11°. Nuk ka munguar asgjë në të dielën e cmendur të Hockenheim: shi në momente të ndryshme, kaos në bokse, incidente, katër herë Safety Car, tërheqje, penalitete…me pak fjalë, gara më spektakolare e sezonit. Në fund ia ka dalë Verstappen, i aftë të administronte pit-stop e shumtë e ndryshimet e gomave, ndërsa ishte fenomenal duke mos e humbur kurrë përqendrimin edhe në kondicionet më ekstreme.
Për Ferrari, pas gafave të së shtunës, ishte një e dielë e rikuperimit të pjesshëm: të dyja makinat e Maranello bën një nisje spektakolare, me Leclerc që e pa veten i katërti (nga i 10) e Vettel i tetti (nga i 20). Vetëm se Leclerc u tradhëtua në pistë të lagur, duke u përplasur pas murit, pikërisht kur kishte përfituar nga një Virtual Safety Car për tu ngjitur i dyti. Gjermani nuk mundi të gjente kurrë ritmin me goma të mesme, por në 15 xhirot përmbyllëse (garuar me gomat slick) ishte autor i një rikuperimi të tërbuar deri në vendin e dytë. Një rezultat shumë i rëndësishëm në një periudhë të komplikuar për të.
E kundërta për Mercedes, që përjetuan një makth të vërtetë: Hamilton, që u nis i pari, përfundoi pas murit i tradhëtuar nga asfalti i rrëshqitshëm kur ishte në krye. Anglezi arriti të futet në bokse për të ndryshuar pjesën e përparme, por mori 5 sekonda penalitet për prerjen e rrugës. Sikur të mos mjaftonte, kur ishte i 12 bëri edhe një rrotullim të pazakonshëm që e la të tretin nga fundi, përpara vetëm Williams e jashtë zonës së pikëve. Bottas, që mund ti rikuperonte shumë pikë në klasifikimin e përgjithshëm, e përplasi W10 e tij pak më vonë, ekzaktësisht në të njëjtën pikë, ndërsa ishte i katërti.
Kështu, edhe në hidhërim, buzëqeshja është e gjitha për Lewis, që në një të dielë të zezë ka limituar dëmet në luftën për titull: është gjithnjë ai në krye, me 39 pikë avantazh ndaj finlandezit, 61 ndaj Verstappen e 82 ndaj Vettel.