• |
ide | kryesore

Kush është “i tmerrshmi i Beratit” që u lirua sot nga burgu

Lajme, Të fundit



Është liruar nga burgu Lul Caka, i njohur ndyshe si i tmerrshmi i Beratit. Caka ka përfunduar dënimin me 25 vite burg, dhënë pas masakrave të viteve 97-98 të ndodhura në qytetin e Beratit.

Caka vuajti dënimin për vrasjen e Pëllumb Eminit, si dhe për tentativën për vrasje të Gani Malushit dhe Ilir Ngresit.

Lulzim Cakën, Apeli i Vlorës e gjeti fajtor për tentativën e vrasjes së Gani Malushit dhe Ilir Ngresit, duke e dënuar me 25 vjet burg në dhjetor të 2012.

Apeli la në fuqi dënimin e dhënë nga Gjykata e Fierit, ndërsa kjo çështje u end në dyert e gjykatave për një dekadë. Ngjarja për të cilën u dënua ka ndodhur në muajin mars të vitit 1998, ku Caka i ka bërë rezistencë forcave të policisë. Caka, i sapoliruar nga burgu me një manipulim dokumentesh i ishte kthyer aktivitetit kriminal.

Pas një informacioni për vendosjen e tij në fshatin Pobrat, është angazhuar e gjithë Drejtoria e Policisë së Beratit. Forcat e policisë, të kryesuara nga Gani Malushi dhe Ilir Ngresi (që kanë humbur jetën nga atentate më pas), rrethojnë Cakën së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij. Por, të armatosur me kallashnikov, ata i bëjnë për rreth gjysmë ore qëndresë policisë. Caka u kap i plagosur, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Xhevahir Çela, mbeti i vrarë. Pas kësaj ngjarjeje, ai akuzoi shtetin që dha urdhër për eliminimin e tij, ndërsa nga hetimet rezultoi se “i forti” i Beratit kishte qëlluar edhe ndaj shokut të tij.

Pas ngjarjes së marsit 2008, Prokuroria e Beratit filloi hetimet dhe çështja u hetua deri në vitin 1999, kur dhe u transferua në Fier, për shkak të trazirave në qytetin e gurtë. Pas gjykimit, ku dëshmuan një sërë punonjësish policie, Lulzim Caka u gjet fajtor për vrasjen e Xhevair Çelës dhe tentativës së vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit. Më pas, çështja shkoi në Gjykatën e Apelit të Vlorës, e cila la në fuqi vendimin e Fierit. Mbrojtja i bëri rekurs në Gjykatë të Lartë, e cila nuk e kaloi për shqyrtim. Çështja shkoi në Gjykatë Kushtetuese, madje edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kjo e fundit gjeti shkelje në këtë proces gjyqësor dhe rekomandoi që gjykatat shqiptare të rigjykonin Lulzim Cakën. Gjykata e Lartë, në një vendim të muajit prill të këtij viti, e ktheu çështjen në Apelin Vlorë, e cila dje vendosi sërish dënimin e Lulzim Cakës me 25 vite burg. Kjo gjykatë pyeti sërish disa dëshmitarë, ish-punonjës policie gjatë operacionit për kapjen e Cakës në vitin 1998, të cilët konfirmuan fajësinë e të pandehurit.

Për fajësinë e tij, gjykata ka lexuar deklarimet e dy punonjësve të ndjerë të policisë, Gani Malushi dhe Ilir Ngresi, të cilët kanë treguar konfliktin me Cakën. Madje, Ngresi, ka humbur jetën nga një atentat, i bërë nga Kastriot Jaupi, një nga miqtë më të ngushtë të Lulzim Cakës. Krimet e Lul Cakës Lulzim Caka u rekrutua nga banda e Karbunarës, e cila drejtohej nga Bujar Sulaj (Loshi i Karbunarës), djali i tezes së tij. Më 26 mars 1996, Caka rishfaqet në skenë, kur akuzohet se ishte një prej atentatorëve të dy shefave të krimit të Beratit dhe Kuçovës, tek Ura e Samaticës.

Oficerët e policisë arritën të shpëtonin, por makina e tyre u dogj nga atentatorët. Por më tepër se nga policia, Caka do të gjurmohej dhe sulmohej gjatë këtyre viteve nga hasmit e tij. Më 20 korrik 1997, Lulzim Caka, bëri hapin e gabuar të përfshirjes në hakmarrjen mes fisit të palëve dhe Yzeirëve në fshatin Rërëz në Berat. Duke qenë njeri i afërt i fisit të Çalëve, Caka u implikua në vrasjen e Nezir Yzeirit, kunatës së tij Ashime dhe djalit të adoptuar të saj, Ilir Yzeiri.

Ndërkohë në qershor 1998, ai hapi një tjetër hakmarrje, kur vrau Lulzim Eminin, vëllain e “Miles”, të fortit të Fierit. Pas një ndjekjeje të gjatë të policisë, ai u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burgim për këtë vrasje. Por hekurat e burgut të Lushnjës nuk ishin tepër të sigurt për një vrasës si Caka. Më 6 janar 2001, nëpërmjet një sharre, ai arriti të priste hekurat dhe të largohej nga qelia për t’u hakmarrë për përdhunimin dhe vrasjen e nënës së tij, Xhevries 56-vjeçare dhe vëllait Bardhoshit. Dy personat e dyshuar për krimin e fundit, Valter Bega, 21 vjeç, dhe Maringlen Cami, 22 vjeç, u vranë më 22 mars 2001 prej tij. Në dhjetor të vitit 2001, ai u kap në Foxhia të Italisë. Ndërsa në vitin 2003 u ekstradua në Shqipëri, ku vuajti dënimin në burgun e Kosovës në Lushnje.



4 Comments

  1. Ju te kalemit per data dhe logjike jeni hata fare. Lexojeni mer tyta ate qe keni shkrujt perpara se te shtypni “Return”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *