• |
ide | kryesore

Dinamo me valixhe në dorë: skuadra e vërtetë është në letër…

Sport

Në pritje të zyrtarizimit të ngjitjes në Superiore, Blutë stërviten me 9 lojtarë të rinj dhe qartësinë se pas dy ditësh, kur të formalizohet vendimi nga Komisioni i Licensimeve, do të zbardhet edhe lista e lojtarëve që janë akorduar me klubin. Pasi ndoqi promocionin një sezon të tërë, për herë të parë madje në 7 vitet e endjes në Kategorinë e Parë, vigjilja e kampionatit të ri duhet të ishte krejt ndryshe për Dinamon. E pra, objektivi në lojë është shumë i rëndësishëm, sepse ajo Superiore që duhet të provonte ta merrte në fushë, mund ti serviret në pjatë të argjendtë.

Kjo është edhe nyja që ka komplikuar përgatitjet e Dinamos, ku grumbullimi ka nisur prej një jave, sa për të thënë që skuadra është e grumbulluar, por paraqitet në forcë një ditë po e një ditë jo. Situata është fiktive dhe të gjithë aty ndihen me valixhet në dorë: ajo që vrapon në kodrat e liqenit me 9 lojtarë të rinj e ndonjë tjetër që vjen të provohet, është një skuadër fantazëm që do të zhbëhet sapo zyrtarizimi për Superioren të bëhet.

Dinamo e vërtetë, ajo që do të zbresë në fushë, në momentin e konkretizimit të skenarit të parashikuar, është në letër dhe mbi të cilën punohet nën tavolinë. Tekniku, Igli Allmuca, njeriu që drejtoi blutë e kryeqytetit në kohët e vështira, atëherë kur ishte meritë kur siguroje pagat për lojtarët, e ka të qartë se shanset janë vendosur. E megjithatë për momentin vazhdon të stërvisë të rinjtë në dispozicion, edhe pse e di që skuadra e vërtetë është në letër…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu