• |
ide | kryesore

A janë gati të qeverisin Albini dhe Vetëvendosja?

2, Arkiva, Ide



“A duhet t’i besojmë Albin Kurtit”, tash e një kohë kjo është pyetja që më bëhet më së shpeshti prej njerëzve të pavarur politikisht, prej atyre që ose dalin në zgjedhje me njëqind pikëpyetje në kokë, ose në mungesë të një oferte bindëse nuk dalin fare, duke pranuar të bëhen viktima të pasivitetit të tyre qytetar.

Përgjigje ime është pozitive në këtë pyetje, edhe pse më duhet pastaj të jap sqarime shtesë, pra përse duhet dhe mund t’i besojmë Albinit, i cili për aq shumë vite ishte frymëzim i dhunës politike?

A mos ndoshta fshihet ujku nën petkun e ri konvencional me setër-e-pantallona-e-kravatë? Dhe ai, kur ne do të jemi qetësuar dhe relaksuar në sallonet tona, do t’i nxjerrë dhëmbët e tij të frikshëm, për t’u kthyer në origjinën e tij, duke e zhveshur edhe kostumin e burokratit monoton perëndimor, për ta zëvendësuar atë me petkun e revolucionarit latin.

Sigurisht, Kurti do ta ketë problem që ta bindë secilin votues se nuk është më ai i vjetri me megafon në dorë, hipur mbi një mur, duke bërë thirrje që të rrotullohen veturat e EULEX-it. Sigurisht, Kurti do ta ketë problem që ta bindë secilin që deklarata e tij e dhënë, në një tendë, në një ditë proteste, se shqiptarët e Kosovës nuk është që e duan Amerikën, por thjesht frikësohen prej saj, ishte thjesht një deklaratë e dhënë nën ndikimin e adrenalinës së protestës, e jo pse ai ndoshta vërtet mendon ashtu. Ose çfarë nëse ai vërtet ka menduar diçka të tillë, por tash nuk mendon më? Ndoshta ai bashkë me ne ka reflektuar?

Tek e fundit nuk është që po rrezikohet shumë nëse i besohet edhe Albin Kurtit. Këta qytetarë në këto 20 vjet ia kanë dhënë besimin e tyre secilit halabak. Hajna dhe keqbërës të të gjitha ngjyrave e kanë marrë besimin tonë, janë zgjedhur kryeministra dhe presidentë. Një të tillë e kemi ende komandant të përgjithshëm.

Shpjegimi im pse ne tash mund t’i besojmë Albinit, ose pse Albini është i gatshëm për pushtet, nuk është vetëm dhe thjesht te reforma estetike e tij, te kodi konvencional i veshjes, ndonëse edhe kjo e ka rëndësinë e vet. Unë them që duhet t’i besojmë Albinit sepse ai në vitet e fundit, posaçërisht në dy vitet e fundit, është rritur dhe është pjekur politikisht. Ai thjesht mund të duket pak i vjetër, pak i përsëritur, mirëpo askush nuk mund të thotë sot se ai është më pak i ditur, ose se në ndërkohë është korruptuar. Jo, ai është i njëjti, por thjesht në këto zgjedhje ka mbetur pa kauzë të fortë elektorale.

Haradinaj është pozicionuar fuqishëm kundër idesë së ndarjes, e me shumë mundësi edhe kundër Thaçit dhe Veselit, ndërsa LDK-ja është në fazën përfundimtare të konsolidimit të saj. Vetëvendosja historikisht ka përfituar elektoralisht kur të tjerët ishin bashkë, kurse këta ishin në anën tjetër. Kështu për shembull ata u rritën shumë në vitin 2017 pasi që LDK-ja kishte dalë nga një koalicion me PDK-në, kurse AAK-ja ishte futur në një koalicion me PDK-në.

Tash është krejt e kundërta. Të gjithë kanë ikur dhe po ikin nga PDK-ja. Është tjetër gjë nëse mund t’u besohet, sepse ka mundësi që edhe AAK-ja e edhe LDK-ja, pas zgjedhjeve vendosin të qeverisin bashkë me Thaçin dhe Veselin, mirëpo në këtë moment kjo nuk ka rëndësi.

Një ambient i tillë politik nuk është përparësi për Kurtin.

Në vitin 2017 ishin pak a shumë dy pole: ai i PDK-së me partnerët e rinj dhe partnerët e vjetër dhe ai LVV-së. Tash ka shumë më shumë. Gjithashtu, ndonëse kaluan vetëm dy vjet, gjendja në vendin tonë dhe në Ballkan në përgjithësi ka ndryshuar në mënyrë radikale. Kurti më nuk është i vetmi lider në Kosovë që po kërkon bashkim me Shqipërinë. Krahas tij këtë e kërkon edhe politikani më i diskredituar në vend, presidenti Thaçi. Është krejt irrelevante të insistohet në atë se kush e ka thënë i pari këtë ide, ose arsyet përse tash po thuhet prej Thaçit. Këtë gjë dhe këtë temë lideri i LVV-së duhet t’ia lërë në diskrecion votuesve. Janë ata që do të vendosin se kujt t’i besojnë ose kujt të mos i besojnë në këtë temë.

Tek e fundit, unë Albinit kurrë nuk i kam besuar në këtë ide. As sot e kësaj dite nuk besoj në idenë e bashkimit kombëtar. Kjo është një kartë populliste e panevojshme. Unë kryetarit të LVV-së i besoj për tjetër gjë. Ai është politikani më serioz në vend për t’i adresuar temat që një banori të thjeshtë të Kosovës ia prishin gjumin natën.

Të rrallë janë ata njerëz në vendin tonë, ata kryefamiljarë, ato nëna dhe baballarë, që i kanë njëmijenjë halle, që zgjohen natën në ankth se mos rastësisht po ndahet Kosova, ose nëse nuk po bashkohen Kosova dhe Shqipëria. Kjo mund të jetë një breng e ndonjë individi, por jo brengë kolektive. Kjo është një temë e mirë për të debatuar në studiot televizive, mirëpo kjo temë nuk ta paguan ratën e kredisë në bankë, nuk ta zgjidhë as temën e shkollimit të vajzës ose të djalit, nuk të ndihmon as në shërimin e një familjari, nuk ta paguan as rrymën, as nuk ta ulë çmimin e saj. Patjetër që ndarja është temë shumë e rëndësishme. Patjetër që duhet të luftohet deri në fund që ajo të parandalohet. Mirëpo, për ta bërë një gjë të tillë nuk kërkohet ndonjë ekspertizë e madhe. Ajo, thjesht, e kërkon një “jo” serioze. Kaq!

Janë ato temat tjera, ato që të lënë pa gjumë, që kërkojnë analiza serioze, që kërkojnë ekspertizë dhe ekspertë, që kërkojnë njerëz të shkolluar, të lexuar, idealistë dhe të ndershëm. Ose së paku disa prej këtyre parakushteve.

Prandaj për temën e ndarjes së Kosovës, për temën e bashkimit me Shqipërinë, kemi kaq shumë ekspertë, kurse për problemet në arsim e shëndetësi, për temën e oligarkisë dhe ndikimit të saj në ekonomi, kemi aq pak. Për kokë banori, të tillë ekspertë më së shumti gjenden në Vetëvendosje. Kjo është edhe një arsye pse në këtë pikë i besoj Albinit më shumë sesa të tjerëve. Nuk mund ta ketë prioritet arsimin një lider i një partie që personalisht nuk di të shkruajë, ose edhe më keq, nuk di as të lexojë rrjedhshëm. Të tillët ka mundësi që e dinë që arsimi është i rëndësishëm, ose kanë dëgjuar që arsimi është i rëndësishëm, por nuk e kanë as idenë më të vogël se, përveç ndërtimit edhe të një objekti shkollor, si mund të rregullohet ky problem. Për PDK-në, por edhe për partitë tjera, gjatë gjithë këtyre viteve Ministria e Arsimit ka qenë Ministri e Infrastrukturës. Jo vetëm për arsim, por edhe për shumë sektorë të tjerë LVV-ja dhe Kurti kanë koncept shumë më të qartë për të bërë ndryshime. Pra rreziku për ta provuar këtë lëvizje në pushtet është minimal.

 

Në këtë agim të fushatës elektorale dhëmbët e lëvizjes nuk janë më aq të mprehtë sa ishin para dy vjetësh.

Mënyra se si ra kjo qeveri e ka dëmtuar më së shumti PDK-në e Veselit. Ky subjekt menjëherë pas sabotazhit që Haradinaj ia bëri koalicionit, e ka shtypur butonin SOS, duke kërkuar ndihmë nga shefi faktik i partisë, z. Thaçi. Mirëpo, mënyra se si i erdhi fundi këtij koalicioni nuk është që i ka shkuar për shtati shumë as LVV-së, e cila më me shumë dëshirë do ta kishte rrëzuar atë, e jo që ajo të shembej përbrenda.

Për të arritur një rezultat të mirë në zgjedhje është tepër me rëndësi se si shkohet në zgjedhje. Parimisht ai që e rrëzon qeverinë, ai shpërblehet më së shumti nga votuesit. Kurse në rastin konkret kjo është edhe më e theksuar: për herë të parë në këto 10 vjet dikush e rrëzoi PDK-në nga pushteti, duke e lënë atë në përpëlitje për të kërkuar rrugë që të mos mbahen ato. Deri më tash, prej vitit 2007, ka qenë PDK-ja që i ka befasuar të tjerët. I ka hedhur nën kamion sa e sa partnerë, sa herë që e kanë parë një interes elektoral. Viktima e fundit ka qenë LDK-ja.

Do të kishim krejt tjetër muzikë nëse kjo qeveri do të rrëzohej nga mocioni i LDK-së-LVV-së. Këta do të organizonin fushatën zgjedhore mbi ketë premisë. Do ta portretonin koalicionin PAN si koalicion të dobët, të korruptuar dhe të përçarë. Tash, sa paku këto ditë, në “pole position” është AAK-ja, lideri i të cilës i befasoi të gjithë me lëvizjen e tij, më së shumti PDK-në dhe Thaçin, të cilët nuk e pritnin një hapje të tillë.

Sido që të jetë ende nuk ka marrë fund çdo gjë. AAK-ja thjesht e ka hapur lojën me një lëvizje të paparashikueshme të shahut. Tash lëvizjen e dytë i duhet ta bëjë presidenti Thaçi.

Nëse gjërat komplikohen, nëse zgjedhjet nuk mbahen në afatin e duhur, atëherë topi do të rikthehet prapë në Kuvendin e Kosovës. Opozita aktuale, LDK-ja dhe LVV-ja ka mundësi që ta marrin prapë kontrollin, duke e pamundësuar krijimin e çfarëdo qeverie të re.

Mirëpo, për momentin nuk kemi alternativë tjetër përveçse këtë analizë ta zhvillojmë, duke e marrë të mirëqenë faktin që në shtator do të kemi zgjedhje.

Nëse kjo është kështu, atëherë ku është LVV-ja? Cilat janë gjasat e saj.

Çdo palë zgjedhje janë të rëndësishme për subjektet politike, mirëpo këto zgjedhje për LVV-në janë kritike, janë “do or die” (bëje ose vdis). Ky subjekt është në skenën politike, si lëvizje politike, që 10 vjet. Që dhjetë vjet aktivitetin opozitar, për të cilën gjë më shumë nuk jam pajtuar se sa jam pajtuar, e ka kryer për mrekulli. LVV-ja dhe Kurti kanë qenë të pakompromis me pushtetin.

Konsistenca politike është arma e tyre më e fortë. Shpesh kjo armë ka qenë vetëvrasëse për ta. Janë të parët dhe të vetmit që për asnjë moment nuk i kanë besuar Thaçit dhe PDK-së, prej kur këta janë në pushtet, qoftë në qeveri ose në presidencë. Parimisht veprimtaria e tyre ka qenë “jo” për çdo gjë që Thaçi e PDK-ja kanë thënë “po”.

Nëse LDK-së dhe AAK-së në momente të caktuara u janë dridhur gjunjët përpara këtij tundimi, një gjë e tillë nuk u ka ndodhur LVV-së dhe Kurtit.

Në vitin 2017, pak përpara se të ndahej një pjesë e LVV-së për të formuar PSD-në, duket sikur ky subjekt politik e kishte rrumbullakuar ciklin politik. Ky vit ka qenë viti ideal kur ky subjekt do të duhej të kishte përfunduar në institucione. Ishte realizuar pjekja e plotë e saj. Sikur për çdo gjë që ka jetë, edhe për partitë politike, pas ciklit të pjekjes së plotë ka rrezik që vjen një fazë tjetër, ajo e hibernimit, që të mos themi dekompozimit. Për të arritur prapë në pikën kritike kërkohet edhe një cikël tjetër i plotë.

Sigurisht që tash as Kurti e as njerëzit rreth tij, nuk mund të dalin dhe të deklarojnë që “jemi në fazën e hibernimit politik, kështu që kërkoni të tjera alternativa politike”.

Një Vetëvendosje e votuar fuqishëm në këto zgjedhje nuk do të ishte, tashmë, një fitore për Kurtin, i cili atë e korri përpara dy viteve. Tash kjo do të ishte një fitore për ne të tjerët.

Për dallim nga viti 2017 kur ky subjekt politik kishte shumë pasion, shumë mllef, shumë dëshirë për hakmarrje. Një gjë e tillë i ka anët e veta negative dhe ato pozitive.

Pozitive, sepse kur ka pasion dhe mllef ka më shumë aktivizëm dhe mobilitet. Thirrjet për përmbysje të rendit kushtetues, thirrjet për burgosje masive, për linçime, janë atraktive për një pjesë të militantëve. Kjo shërbente si karburant për lëvizjen. Nëse partitë tjera i paguajnë militantët e tyre, i korruptojnë me vende të punës, LVV-ja këtë e bënte me frymëzim.

Kishte shumë viktima që PDK-ja ndër vite i ka lënë në rrugë dhe që e kërkonin saktësisht këtë gjë që e premtonte LVV-ja. Që Thaçi dhe Veseli, e pse jo edhe të tjerët rreth tyre, e në ndonjë rast edhe unë, të tërhiqeshin zvarrë. Që drejtësia ndaj tyre të realizohej në të gjitha shkallët, brenda disa orëve ose minutave.

Anët negative të kësaj fryme janë se pasioni dhe mllefi, derisa në njërën anë e rrisin adrenalinën, në anën tjetër, tek një shumicë e madhe e njerëzve, e rrisin frikën. Janë të paktë ata njerëz, ato familje, që do të dëshironin të jetonin në një shtet dhe në një shoqëri ku do të linçoheshin dhe tërhiqeshin zvarrë figurat e ndryshme politike, ose publike, qofshin ata edhe fajtorë. Secili njeri e meriton një trajtim dinjitoz. Madje edhe Thaçi. Ata do të donin të jetonin në një shtet pa Thaçin e Veselin, mirëpo jo sipas kushteve të LVV-së.

Pra, kjo situatë e rriti LVV-në deri në maksimumin e mundshëm për një lëvizje jokonvencionale, mirëpo dëshira e fortë për një fitore të plotë, pa aleat, e la atë jashtë pushtetit.

Pas kësaj humbje, e cila edhe mund të rikuperohej disi, sepse LVV-ja do të vazhdonte të ishte forca më e madhe politike në vend, ndonëse në opozitë, ky subjekt e mori goditjen e dytë të rëndë. Një numër i figurave të rëndësishme politike u goditën nga oligarkët, që operojnë në vendin tonë në shumë nivele. Biznesmenët e pasur nga Peja, që kontrollojnë edhe mediat në masë të madhe, i janë frikësuar jashtëzakonisht shumë Albinit, që ndoshta është i vetmi politikan, prej këtyre të mëdhenjve, që nuk është shitur në pazarin e Pejës, aty ku shiten njerëzit e gjallë.

Në këto rrethana, kur ende nuk ka marrë fund çdo gjë, Albini duhet ta shpëtojë atë çfarë mund të shpëtohet. Ai nuk do të duhej të kënaqej duke qëndruar në opozitë dhe duke i identifikuar fajtorët. Përpara se të kërkojë arsye për të mos u futur në qeveri, ai duhet të kërkojë arsye për t’u futur aty.

Nëse nuk gaboj Gordon Brown, ish-kryeministër i Britanisë së Madhe, ka thënë se për vendin mund të bësh më shumë duke qëndruar një ditë në qeveri sesa 1000 të tjera në opozitë. Për shkak të gjithë këtyre që u thanë më sipër, për shkak të zhvillimeve të fundit në këtë parti, Albini sigurisht që e ka të qartë që si i vetëm nuk do të këtë mundësi t’i fitojë zgjedhjet.

Ky tren iku në vitin 2017. Nëse ai vërtet dëshiron të shohë ndryshim në vendin tonë, ai nuk duhet të frikësohet nga partneritetet politike parazgjedhore, e as nga pjesëmarrja në qeverisje.

Nuk duhet të frikësohet nga pjesëmarrja në qeveri dhe as pjesëmarrja në përgjegjësi. Askush nuk do ta gjykojë atë në të ardhmen nëse partnerët brenda koalicionit nuk do të sillen konform standardeve të tij. Kurse, gjithashtu, nuk duhet ta kufizojë veten vetëm te një partner i mundshëm parazgjedhor. Sigurisht që PDK-ja nuk duhet të jetë assesi në menynë e LVV-së, mirëpo momentalisht – nëse nuk ka diçka që ne të tjerët nuk e shohim dhe nuk e dimë – Albini dhe Vetëvendosja janë duke shpenzuar energji të tepërt në komunikim me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Logjikisht një aleancë e tillë është më e duhura, mirëpo trokitja e tepërt vetëm në atë derë sikur e ka rritur arrogancën e LDK-së. Për t’i forcuar pozicionet me LDK-në, Albini duhet ta ketë në radarin e tij edhe AAK-në, e pse jo edhe Nismën. Njëra prej mënyrave për ta tërhequr LDK-në do të ishte kur kjo e fundit do ta shihte me sy rrezikun e një aleance tjetër të LVV-së. Në këtë rast LDK-ja do ta shihte veten fare lehtë në opozitë edhe për disa vite të tjera, potencialisht bashkë me PDK-në. Pastaj pazari që do të mundë të nxirrej me AAK-në dhe Nismën vështirë që do të mundë të realizohet me LDK-në.

Gjithashtu, Albini, përveç që nuk duhet të jetë peng i vetëm një alternative, LDK-së, nuk duhet të jetë peng as i vetëm një pozicioni institucional, pozitës së kryeministrit. Ai nuk duhet ta vlerësojë aq lart këtë pozicion. Praktikat e huaja po tregojnë që ka mjaft pozita të tjera interesante në institucione, që do të mundë t’i hynin në punë. Për shembull unë sot nuk e di kush është kryeministër i Italisë, ndërsa në çdo kohë unë e di kush është ministër i Brendshëm dhe zëvendëskryeministër i saj. Ideologjia e Salvinit duhet përbuzur, mirëpo jo edhe pragmatizmi i tij politik. Ai ka treguar që edhe duke qenë në institucione, edhe duke qenë thjesht një ministër, mund ta katapultojë veten fuqishëm në skenën botërore. Nëse për Italinë dora e hekurt kundër emigrantëve është politikë populliste, në Kosovë luftimi i krimit dhe korrupsionit do ta kishte efektin e njëjtë politik. Qytetarët e Kosovës, ata që kanë pritje të mëdha nga LVV-ja, tashmë dëshirojnë ta shohin këtë subjekt politik në pozita ekzekutive. Ata i kanë bindur të gjithë që si parti opozitare e kanë kryer misionin e tyre në mënyrë perfekte.

Qëndrimi i Vetëvendosjes në opozitë për një dekadë është mësim mjaft i mirë për udhëheqësit e kësaj partie. Mirëpo, ata duhet t’ia vënë pikën diku. Na kanë bindur që në partitë e tjera ka hajna dhe keqbërës, na kanë bindur që ata janë të kapur, që janë të paditur. Por çfarë pastaj? Cila është rruga? Partitë politike nuk janë organizata joqeveritare. Konstatimi i problemeve nuk mjafton. Ato duhet të gjejnë rrugë, pa marrë parasysh çmimin, për ta ndalur degradimin. Për ta ndalur degradimin në REPUBLIKËN e Kosovës.

Berat Buzhala/ Gazeta Express



3 Comments

  1. Sigurisht qe po pse jo. Personalisht me pelqen albini i aksionit i gazit lotsjelles ne cdo seance per te mos lejuar demarkacionin. Ishte jashtezakonisht e bukur dhe e thell fjala e tij e mbajtur se fundmi ne rramallah dhe tel aviv. Eshte unik albini. Intektual mirfilli. I pergjegjshem dhe njerzor si dhe i pakomprometueshem. Shpresoj dhe uroj prej nje kohe te gjate ta shoh kryeminister te kosoves per nje kohe inshAllah te gjate. Fat qe e keni. Nese e dini se cfare keni……. por besoj se e doni se jeni ndryshe nga ne.

    1. As Marksi qe shpiku marsizmin nuk ishte i pakorruptueshem; dhe ti kerkon te na sugjerosh qe nje marksist eshte i pakorruptueshem, qofte ky edhe Albini te cilit ia cmoj retoriken? Marksistet jane qenia me e korruptueshme ne bote.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *