• |
ide | kryesore

Xhelal Mziu: Nuk do lejoj gjakderdhje, por zyrën nuk e liroj

Lajme, Të fundit



I bindur për të mos hequr dorë nga beteja e nisur me drejtësinë për atë që e cilëson farsë elektorale në 30 Qershor, Xhelal Mziu nuk ka ndërmend të lërë zyrën, nga ku drejtoi për tre mandate radhazi Bashkinë e Kamzës.

Ndonëse Gjykata e Tiranës legjitimoi socialistin Rakip Suli si kryebashkiakun e ri të Kamzës, Mziu vijon të firmosë vendime e projekte deri ditën kur thotë se në respekt të dekretit të Presidentit do të mbahen zgjedhje legjitime.

“Ne presim datën 13 Tetor dhe s’e shoh ligjore. Do drejtoj qytetin deri në zgjedhje të lira e të ndershme” – tha Mziu për Tv Klan.

Rrëzimin e kërkesës së tij nga Gjykata e Tiranës e konsideron politik dhe për këta arsye, thotë se drejtësinë do ta kërkojë në shkallët më të larta të gjyqësorit.

“Kjo dosje do shkojë në Gjykatën e Apelit, do e çoj edhe në Gjykatën Kushtetuese, do bëj kallëzim ndaj kancelares dhe gjykatëses se shkelën ligjin. Do ta kallëzoj edhe në KLGJ se zgjodhën sistemin elektronik” – thotë Mziu.

Ndonëse një ndër kryebashkiakët më të ashpër, Mziu premton se nuk do t’i çojë qytetarët në përplasje.

“Nuk më intereson një mbajtje e karriges edhe pse është ligjore. Ju kam sugjeruar mbështetësve që mos e kthejmë në një betejë. Nuk do lejoj gjakderdhje, por s’do lë instrument ligjor pa përdorur ndaj këtij sistemi të kalbur që ka një emër, Ramën e Rilindjen”.

Luzlim Basha ka thënë se kryebashkiakët demokratë s’do t’i lirojnë zyrat deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike, por një pjesë e të zgjedhurve socialistë tashmë janë ulur në karriget e paraardhësve të tyre, diku me forcë si në rastin e Kavajës e Devollin ku u shënuan jo pak përplasje, e në bashki si ajo e Kukësit dhe Rrogozhinës rotacioni kaloi edhe me shtrëngime duarsh.



4 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *