• |
ide | kryesore

Iu kërkua mendim për shkarkimin e Metës, Komisioni i Venezias “zbarkon” në Shqipëri

Lajme, Të fundit



Një delegacion i Komisionit të Venecias pritet që të mbërrijë në Shqipëri në javën e dytë të shtatorit, pasi i është kërkuar mendim nga Kuvendi mbi nismën e ndërrmarrë nga një grup deputetësh socialistë për  shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Delegacioni parashikohet që të zhvillojë takime me anëtarët e Komisionin Hetimor të ngritur enkas për të shqyrtuar kushtetueshmërinë e vendimeve të Metës, me kryeministrin Edi Rama dhe me disa parlamentarë, për t’u njohur me kontekstin e kërkesës për shkarkimin e kreut të shtetit.

Po ashtu, mësohet se kjo përfaqësi do të ketë një takim dhe presidentin Meta, për të dhënë më pas një mendim mbi legjitimitetin e kërkesës.

Rreth një muaj më parë, fillimisht me kërkesë të mazhorancës dhe më pas të Komisionit Hetimor, Kuvendi i kërkoi opinion urgjent nga Komisioni i Venecias për shkarkimin e presidentit. Në letrën dërguar më datë 22 korrik me firmën e kryeparlamentarit, Gramoz Ruçi, drejtuesit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, i adresohen 8 pyetje:

Cili është roli i Presidentit të Republikës bën regjimet parlamentare si Shqipëria, në raport me pushtetet e shtetit sa i takon proceseve zgjedhore?

Cilat janë detyrimet kushtetuese dhe konventore që i imponohen Presidentit të Republikës në regjimet parlamentar, siç është Shqipëria, në ushtrimin e kompetencës për caktimin e datës së zgjedhjeve?

A ka kufizime në ushtrimin e kësaj kompetence që rrjedhin nga e drejta demokratike e zgjedhësve për ta ushtruar këtë të drejtë sipas marrëveshjes kushtetuese, me siguri dhe parashikueshmëri?

Kompetenca e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, është një e drejtë për të vendosur ushtrimin e sovranitetit të popullit, apo një detyrim i tij për të garantuar cilësisht ushtrimin e sovranitetit popullor nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve të tij, brenda kufizimeve që sovrani ka vendosur nëpërmjet Kushtetutës së miratuar prej tij?

Nëse Presidenti i Republikës pasi ka caktuar datën e zgjedhjeve dhe organet e administrimit të zgjedhjeve janë duke kryer veprimet sipas ligjit, e anulon dhe cakton një datë tjetër, a kemi cenim të parimeve të së drejtës për të zgjedhur dhe të sigurisë kushtetuese, në funksion të respektimit të shtetit të së drejtës?

Në rastin e mësipërm a kemi ndërhyrje të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor, duke cënuar të drejtën e subjekteve zgjedhore për të konkurruar në mënyrë të barabartë dhe të lirë?

Nisur nga pranimi se qeverisja duhet të dalë nga një sistem zgjedhjesh periodike, që mbahen çdo katër vjet, nxjerrja e Dekretit të Presidentit që anulon datëen 30 qershor 2019 si datë të mbajtjes së zgjedhjeve vendore dhe që zgjat qëndrimin në detyrë të përfaqësuesve në këshilla bashkiakë dhe kryetarë të bashkive, tej mandatit katër vjeçar, a e respekton parimin e periodicitetit të zgjedhjeve?

Duke patur parasysh se ndryshimi i datës së zgjedhjeve ndikon tek pritshmëritë ligjore për subjektet zgjedhore dhe zgjedhësit, a konsiderohet se cënohet siguria juridike në këto raste? A është i lidhur cënimi i sigurisë juridike me pasojat që vijnë apo mjafton shkelja e parashikimeve kushtetuese dhe cënimi konsiderohet i kryer?

Bashëkngjitur pyetjeve, Kuvendi ka përmbledhur në letër situatën politike që prej djegies së mandateve nga opozita e bashkuar joparlamentare dhe deri tek dy dekretet e kreut të shtetit për anuliminn e 30 qershorit dhe caktimin e 13 tetorit si datë kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *