• |
ide | kryesore

Analiza/ Loja që po bën Salvini për të marrë pushtetin

Arkiva, Kryesore



Ministri i Brendshëm i Italisë, njëherësh zëvendëskryeministër, Matteo Salvini, po rreket të shtjerë në dorë kontrollin e plotë të ekzekutivit, teksa bashkëkombasit e tij u janë drejtuar plazheve.

Nisur nga shifrat e kënaqshme në sondazhet e opinionit publik, që tregojnë një mbështetje të gjerë të elektoratit për partinë djathtiste “Lega”, politikani italian më popullor bëri të enjten e shkuar thirrje për zgjedhje të parakohshme, duke shpërbërë “de facto” koalicionin qeverisës “të frakturuar” “de jure” me populistët e majtë të “Cinque Stelle” (“Pesë Yjet”), në përpjekje për të fituar shumicën në Parlament. Kjo është një lëvizje politike dyfish e guximshme, pasi vjen në mes të muajit gusht, kur pjesa dërrmuese e italianëve u janë dorëzuar nxehtësisë së verës për të pushuar, ndonëse falë parave të marra borxh (sikurse konkludonte një studim i publikuar së fundmi).

“Unë nuk kam lindur për të ngrohur karrigen e një ministri. Po pyes italianët nëse duan të më japin fuqi të plotë për të bërë atë që kemi premtuar të bëjmë, deri në fund, pa vonesa.”- ka thënë Salvini në një ndalesë në Pescara në kuadër të nisjes së beftë të fushatës elektorale.

Tani shtrohet pyetja nëse retorika karakterizuese anti-emigrim e Salvini-t do të kandisë mbështetësit e tij aq sa duhet për të kapërcyer rezistencën ndaj një votimi të parakohshëm, që tashmë po “gatuhet” midis partive opozitare dhe brenda sallave të pushtetit roman. Sakaq, Salvini arsyeton se shqetësimi për krizën ku kolapsoi qeveria italiane, nga e majta në të djathtë e përshkuar nga një diametër populizmi, është i gabuar.

“Ju duhet të trembeni nëse do thonim se nuk duam zgjedhje. Ne nuk po e lejojmë njerëzit të votojë. Ne jemi duke ardhur me qeveri të çuditshme. Ne thjesht duam që njerëzit të votojnë.” tha kreu i “Lega”-s në një intervistë për Televizionin “Bloomberg”.

Entuziazmi i Salvini-t ishte i dukshëm në vendpushimin siçilian të “Taormina” të dielën. I nxirë nga dielli dhe i vetëdijshëm për barkun e rrumbullt të ekspozuar ndaj kamerave dhe aparatëve, ministri i Brendshëm pozoi “selfie” me kraharor të zhveshur dhe bisedoi me dashamirësit e tij. E gjithë vizita zgjati pak më shumë se një orë, por “tifozët” e tij me gjasë nuk i kushtuan shumë rëndësi këtij detaji, domethënës në të vërtetë.

“Unë kam pritur për një kohë të gjatë për një politikan si Salvini që ka ‘common sense’. Ne kemi nevojë për veprim për emigracionin, kundër të gjithë atyre njerëzve që vijnë në Itali pa kontroll, pa respektuar rregullat.”- u shpreh për “Bloomberg” 68-vjeçari ish-polic, Eugenio Anselmo, votues i “Lega”-s.

46-vjeçari Salvini ka qeverisur duke ndejkur një linjë të ashpër ndaj rivalëve të tij gjatë gjithë vitit, duke sulmuar aleatin e tij të koalicionit, Luigi di Maio-n në zgjedhjet evropiane të fundmajit dhe duke imponuar agjendën e tij mbi qeverinë e kryesuar zyrtarisht nga kryeministri Giuseppe Conte. Shifra prej afro 40% në sondazhe, masazhoi egon dhe ambicien e Salvini-t, i cili ndoqi moton “carpediem” dhe bëri lëvizjen taktike në momentin e duhur dhe të shumëpritur.

Pas dy ditësh të ndërkryera kur lokalizohej në mes të Romës dhe në tubimet e mbrëmjes në rivierën e lakmueshme të Italisë, Salvini të enjten befasoi mbështetës dhe armiq me vendimin e tij për të braktisur koalicionin dhe për të matur forcat i vetëm. Çmimi që dëshiron të fitojë është një shumicë parlamentare, pa pasur nevojë të mbështetet tek aleatët problematikë- e paprecedentë në Itali për mbi 40 vjet.

Për ta arritur këtë, Salvini po u dërgon italianëve zemërbutë, të prirur ndaj sensacionit dhe manipulimit emocional: Unë jam ashtu si ju.

Vera e tij italiane- dhjetra ndalesa lartë e poshtë Italisë në më shumë se 7,000 kilometra vijë bregdetare- kanë në thelb këtë qëllim. Në shëtitjet e tij të shkurtra në plazh, vetëm herë pas here, ashtu shkarazi ai përmend politikën. Shumicën e kohës  i është kushtuar fotografimit dhe zhvillimit të bisedave të çastit me votuesit. Në mbrëmje, pas kuvendimit, nganjëherë si DJ në diskot e plazhi me modele rrotull- i veshur vetëm me rroba banje dhe paradoksalisht me një zinxhir në qafë me një kryq, symbol i krishtërimit. Një kardinal i pyetur lidhur me politikat e Salvini-t nga një gazetar i medias britanike “Channel 4”, u gjegj se nëse Krishti do të kishte qenë italian, nuk do ta kishte votuar dhe pikë.

Basti i tij është që italianët do të vazhdojnë të përkrahin retorikën e tij kategorikisht përjashtuese kundër emigrantëve dhe Bashkimit Evropian, dhe të harrojnë premtimet e tij për të rregulluar ekonominë e tyre të dobët, shërbimet publike joefikase dhe papunësinë kronike të lartë. Dhe se mesazhi i tij do të jehojë edhe jashtë “fortesave” tradicionale të “Lega”-s.

Drejtuesit e mëparshëm të Lidhjes preferuan pjatat tipike të zonave malore dhe panairet e ushqimit në rajonet veriore të Italisë, ku ligjëronin për votuesit e palëkundur. Ndërsa, turneu i plazhit u përbë kryesisht nga ndalesa në jug, ku kjo parti ka hasur shpeshherë pengesa.

Nëse Salvini do të ketë sukses në rigjenerimin e “Lega”-s, e cila dikur favorizonte shkëputjen e veriut nga vendi, një nocion separatist si në Katalonjën e para pak vjetësh, në një forcë kombëtare, do të mund të ishte fatale për Lëvizjen “Pesë Yjet”.

Shumica e mbështetësve të Pesë Yjeve- dhe shumë prej ligjvënësve të saj -vijnë nga jugu i varfër. Përfshirjet e “Lega”-s në rajon mund t’i japin dërrmën Di Maio-s, udhëheqësit të “Pesë Yje”-ve, i cili është përpjekur të shndërrojë kryengritjen populiste në një parti me apel më të gjerë.

Di Maio “është një dështak” thotë Anselmo, ish-polici, i cili njëjtë si politikani në fjalë vjen nga rajoni jugor i Campania. Nga ana tjetër, Salvini sipas tij është “i vetmi që mund t’i japë këtij vendi një drejtim”.

Marrë nga: Bloomberg

Përshtati: Kristi KABA

 



4 Comments

  1. Te djathtet populiste po pushtojne bastionet e majta kudo. Te majtet e kane humbur komplet lidhjen me njerezit e thjeshte. Salvini eshte komunikues i lindur, dhe pertej natyres provokative, thote gjera qe qendrojne.

      1. 40% e Italianeve mendojne se thote gjera qe qendrojne, dhe italianet jane popull qe nuk kandisen lehte, o doktor shtegetar. Qendron kerkesa per takse te sheshte; qendron ndarja e pergjegjesise p ne nivel europian per emigrantet; qendron fakti qe euro e ka demtuar ekonomine; qendron venia ne dukje e deshtimit te se majtes; qendron ideja qe nuk mund te bashkeqeverises me nje cunak si Di Maio; qendrojne dhe disa gjera ne aspektin ekonomik, qe nuk ia vlen t’i diskutosh me doktore si zotrote, qe vendosin diagnozen pa marre anamnezen. Italianet mund te jene shume gjera, por budallenj nuk jane.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *