• |
ide | kryesore

Ku gabojnë Calavera dhe OMN për reformën në drejtësi?

Blog



Në një intervistë më 8 gusht, për Zërin e Amerikës, Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) për reformën në drejtësi, Genoveva Ruiz Calavera deklaroi:

“Sulmet në rritje ndaj reformës në drejtësi, vetingut dhe ONM-së, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe misioneve tona të asistencës së BE në këtë drejtim janë shumë domethënëse. Këto pretendime janë të pabazuara dhe të papranueshme, por ne i shohim si konfirmimin se vetingu po trondit themelet e sistemit të korruptuar.”

Kjo është një deklaratë e jashtëzakonshme nga i njëjti person që në shkurt 2017 deklaroi se “i vetmi zë që do të komentojë punën tonë është [zëri] i publikut” dhe se ajo vetë, pra Calavera, nuk do të binte pre e “politizimit.”

Shumë gjëra paskan ndyshuar nga koha e këtyre deklaratave të mëparshme!

Po bëhet gjithnjë e më e qartë se kuadri ligjor, me të të cilin po funksionon reforma në drejtësi, është i kalbur deri në rrënjë. Çdo afat i mundshëm i parashikuar nga Kushtetuta është shkelur.

Vendi ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, një situatë krejtësisht e pallogaritur dhe e paparashikuar kur u miratua reforma.

Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) u zgjodhën pa përfunduar vetingun. Disa prej tyre u shkarkuan në  nivelin e apelit të vetingut, por ndërkohë kishin marrë pjesë në vendime të rëndësishme të këtyre institucioneve.

Në shkelje të Kushtetutës është vendosur që anëtarët e Gjykatës së re Kushtetuese dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD) nuk do të kenë nevojë ta kalojnë vetingun. Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGj) duket se ka miratuar një rregullore që lejon zgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën e Lartë pa veting.

Të gjitha këto paraqesin rrezik të madh për besueshmërinë e reformës në drejtësi, në një kohë kur besimi i shqiptarëve te Bashkimi Evropian ka rënë ndjeshëm.

Megjithatë, Ruiz Calavera mendon se të gjitha pretendimet janë “të pabaza”. Ndërsa unë mendoj se faktet flasin me zë të lartë dhe qartë. Këto fakte e drejtojnë gishtit drejt Komisionit Evropian joprofesional dhe të paaftë, bashkë me të gjithë “asistencën” e tij, si dhe drejt qeverisë së prirur për ta kapur gjyqësorin. Qeveria me siguri që do ta arrijë këtë qëllim, pasi aktualisht ka shumicën e nevojshme në Parlament, pasi i plotësoi vendet e opozitës, pas lënies së mandateve, me individë të dëshpëruar për ca përfitime financiare dhe imunitet.

Ndryshe nga sa mendon Ruiz Calavera, ata që kritikojnë reformën në drejtësi nuk e bëjnë këtë ngaqë u janë tronditur “themelet e sistemit të korruptuar”. Përkundrazi, kritika rrjedh—të paktën në rastin tim—nga një shqetësim i vërtetë për qëndrueshmërinë e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe për efektet negative afatgjata që mund të ketë për vendin zbatimi i gabuar dhe i politizuar i reformës në drejtësi.

Ky ndoshta është edhe më tepër sesa shqetësim. Është frikë se reforma në drejtësi do të jetë kthyer në një mjet për të krijuar shtetin njëpartiak.

Fatkeqësisht, deklaratat e zonjës Ruiz Calavera janë një shembull ilustrues i asaj që unë e kam quajtur “Reformizmi Drejtësist“. Një besim i gënjeshtërt se ata që tregojnë prova faktike të dështimit të politikave janë të korruptuar.

Ky është i njëjti lloj besimi që bëri që shumë studiues “heretikë” të digjeshin në zjarr.

Ideja e zonjës Ruiz Calavera se do të ishte “e papranueshme” çdo lloj goditjeje ndaj saj, apo ndaj misionit ndihmës që ajo administron, në thelb tregon se ajo pretendon se ata janë të pagabueshëm—sikur papët dhe kardinalët e Komisionit Evropian, në gjithë mençurinë e tyre, të kishin urdhëruar zbatimin e ligjeve të përjetshme në tokat përtej kontinentit “të tyre”.

Po të mos ishte kaq e parashikueshme, arroganca e një deklarate të tillë do të kishte qenë tronditëse.

Exit.al/ Vincent W.J. van Gerven Oei



5 Comments

  1. I ndërgjegjshëm, unë nuk mendoj aspak si ju. Ju mbaheni tek pasojat dhe bëni sikur harroni shkakun. Është pikërisht ky këndvështrim dashakeq i juaji që ndikon në çoroditjet e mëndjeve të atyre njerëzve që nuk njohin realitetin e faktorit institucional të ecjes së përfundimit të reformës dhe institucioneve opozitare (opozita +presidenca) që vënë shkarpa në rrotat e karrocës së Dylit. Zotëri, nëse dy opozitat tona do të godisnin fort sistemin e drejtësë së kalbur të 29 viteve dhe të kryenin detyrat kushtetuese në shpejtimin e reformës, sot do të kishte përfunduar reforma, dhe institucionet përkatse të saj. Nuk po zgjatem me numurin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë përjashtuar nga Vettingu, sepse dihen, por po i kujtoj artikull bërësit se gjykata kushtetuese deri dje me 9 anëtarë, për turp të Zitit ka mbetur me një anëtar. Kjo sepse të tjerët ishin të korruptuar, kanë përdorur “shkopin e magjishëm” , jo për të bërë drejtësi por për të nxjerrë nga burgjet dhe mos dënimin e kriminelëve, vrasësve etj. duke u zhvatur atyre milionat në vlerë dhe mijra m2 hapësira të gjelbërta.
    Zotëri dhe zotërinj, pyes: “Pse nuk shkruani për këtë fenomen që ka qelbur sistemin e drejtësisë dhe atë apo ata plolitikanë që me dashje kanë lejuar një qelbje të tillë? Këtu është shkaku që ju duhet të qendroni fort dhe jo tek pasoja, e cila ka sjellë bashkë me shkrimet tuaja vonesat me pengesa të qëllimshme për zgjatjen e reformës, bile për ju do ishte mirë që kjo reformë të degjeneronte, gjë të cilën e keni përzëmër.
    Arbëror Epiroti

  2. te lumte

    shkrim i sakte. Po ta kishte shkrujt bushati do ishin hedh ne zjarr fugshpumat e bashkise. ngaqe lali eri eshte pak investim hollandezo protestant, dhe doemos sorrosist , te sulmosh nje hollandez eshte sakrilegj per mendjet e tyre kapsllek

  3. @ Arberori ti i ke thene te gjitha me vend,por ky gazetari thote se keshtu do vazhdoni dhe nja dy dekada
    Ata qe po’ zgjidhen Kane qene Brenda ketij sistemi.
    Dhe ti e shikon edhe vete kush eshte ne klp ,klgj e ku ta dime me ne.
    Vetingu Ca’ po’ i heq e Ca’ po’ i le
    Po ne fakt ata qe duhej Lene Jane me Pak se gishtat e dores.

  4. Komenti nga Arber epirioti me duket I shkruar nga ndonje prej atyre qe me lidhjet e tyre te nenedheshme e kaluan vetingun e famshem. Per mendimin tim nuk ka te ndershem ne ate qe u quajt drejtesi keto 30 vjet Me e mira ishte te vendosej kriteri moshe jo me te vjeter se 35 vjet qe do te thote prokuroret dhe gjykatesit e rink te ishin 5 vjec kur ra sistemi komunist dhe te thireshin juriste nga diaspora njerez qe kane studiuar dhe jetuar jashte ketij batakut tone

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *