• |
ide | kryesore

Skema e mashtrimit/ Zbuloni kush është drejtoresha e filialit të fondit “Besa” (FOTO)

Lajme, Të fundit



Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 4 nga 7 të arrestuarit, të cilët nëpërmjet një skeme mashtrimi në fondacionin “Besa” që bazohej në kredidhënie fiktive, kishin përfituar afro 3.7 milionë euro.

Drejtoresha e filialit të fondacionit, Albana Imami, u la në burg, së bashku me Blertina Kananin, Mihal Hanxharin dhe Orkida Drizën, ndërsa masa “arrest shtëpie” u vendos për Matilda Domin dhe Esmeralda Vason. Sipas Prokurorisë, Imami, në bashkëpunim me sekserë dhe oficerë kredie, jepnin kredi fiktive, shumat e të cilave i përvetësonin vetë.

Klientët që kanë përfituar kreditë, paraqiteshin në zyrat e fondacionit vetëm në momentin që disbursohej kredia, për të bërë tërheqjen e parave në bankë. Këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë, ndërsa pjesa tjetër merrej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe Sekserët që siguronin klientët. Në përfundim të këtij procesi, Drejtoresha e degës lëshonte një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti.

Gjatë seancës gjyqësore, Imami pranoi dhënien e këtyre kredive, teksa u përpoq të shfajësohej duke u shprehur se nuk ka qenë e vetëdijshme, pasi “kam qenë në delir”. Sakaq, oficerët e kredisë pranuan në seancë se me kërkesë të drejtoreshës Imami, kishin firmosur një numër kredish.

Skema e mashtrimit, që u kuptua nga drejtuesit e fondacionit “Besa”, rezulton të ketë prekur mbi 800 persona, të cilët janë kredimarrës dhe klientë. Mbi të ndaluarit rëndojnë akuzat e skemës mashtruese dhe piramidale, si dhe të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *