• |
ide | kryesore

Skema e kredive fiktive/ Zbardhet debati në gjyq, shfajësimi i drejtoreshës: Isha në delir…

Lajme, Të fundit



Gjykata e Tiranës caktoi dje masën e sigurisë “arrest në burg” për 4 nga 7 të arrestuarit, të cilët nëpërmjet një skeme mashtrimi në fondacionin “Besa” që bazohej në kredidhënie fiktive, kishin përfituar afro 3.7 milionë euro.

Drejtoresha e filialit të fondacionit, Albana Imami, u la në burg, së bashku me oficerët e kredisë Blertina Kananin, Mihal Hanxharin dhe sekseren Orkida Drizi. Ndërsa për shkak të rrethanave familjare dhe shëndetësore, u dha masa  lehtësuese “arrest shtëpie” për Matilda Domin dhe Esmeralda Vason. Sipas Prokurorisë, Imami, në bashkëpunim me sekserë dhe oficerë kredie, jepnin kredi fiktive, shumat e të cilave i përvetësonin vetë.

Gjatë seancës dëgjimore që zgjati rreth dy orë, Imami pranoi dhënien e këtyre kredive, teksa u përpoq të shfajësohej duke u shprehur se nuk ka qenë e vetëdijshme, pasi “kam qenë në delir”. Sakaq, oficerët e kredisë pranuan në seancë se me kërkesë të drejtoreshës Imami, kishin firmosur një numër kredish.

Teksa shpjegoi rrethanat në të cilat kanë ndodhur veprimi i të dyshuarve, prokurori Kolë Hysenaj, u shpreh para togave të zeza se Imami ka patur rol kryesor në këtë aktivitet të kundërligjshëm. Prokuroria e akuzon për rekrutimin e njerëzve në punë, duke krijuar klientë fiktivë dhe duke përpiluar dokumente fiktive, që pranoheshin nga vartësit e saj në kushtet e influencës dhe epërsisë së Imamit.

Skema e mashtrimit, që u kuptua nga drejtuesit e fondacionit “Besa”, rezulton të ketë prekur mbi 800 persona, të cilët janë kredimarrës dhe klientë. Mbi të ndaluarit rëndojnë akuzat e skemës mashtruese dhe piramidale, si dhe të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën.

SEANCA

Avokati i së dyshuarës Albana Imami, Pjerin Deda: Shumat që ka marrë nga dhënia e kredive fiktive, i ka derdhur sërish në fondin “Besa”. Veprimet e saj janë të pakuptimta dhe i ka kryer në gjendje deliri.

Imami e ka denoncuar vetë tek eprorët e saj këtë praktikë. Në lidhje me kërkesën për masë sigurie, kërkojmë një masë më të butë, atë të “Arrestit në shtëpi”.

Albana Imami: Nuk kam qenë koshiente për çfarë kam bërë, jam dakord me avokatin për pjesën tjetër.

Avokatja e së dyshuarës Blertina Kanani, Andia Dragoi: Masa e kërkuar nga prokurori është shumë e ashpër. E mbrojtura prej meje ka rrezikshmëri të ulët, duhet të caktohet një masë më e butë. Ne ofrojmë edhe një garanci pasurore. Kanani është edhe sëmurë, gjatë vizitave i është konstatuar edhe një masë tumorale dhe duhet të jetë nën kujdes mjekësor.

Avokatja e së dyshuarës Matilda Domi, Violeta Pustina: Duke qenë se kam qenë që në momentin që oficerët e Policisë gjyqësore kanë kryer veprime në banesën e Domit, them me bindje se arrestimi duhet të konsiderohet i paligjshëm. Masa e dënimit që parashikohet për veprat penale që akuzohet e mbrojtura prej meje nuk parashikon arrest në flagrancë. Shtatë ditë para se të kryhej arrestimi, Matilda Domi ka dhënë shpjegime dhe nuk është larguar. Kjo nuk është lojë e Matildës, janë lojëra të të tjerëve më lart. Për shkak se Matilda ka kryer një operacion të rëndë dhe ka hekur në këmbë, ne kërkojmë një masë më të butë.

I dyshuari Mihal Hanxhari: Para tre muajsh kam dhënë dorëheqjen nga detyra që kam pasur, pikërisht për këtë punë. Unë nuk kam lidhje me këtë dhe e gjej veten kot këtu.

Avokati i së dyshuarës Orkide Driza, Enea Cenko: Orkide Driza nuk është person me rrezikshmëri të lartë, është me tetë klasë shkollë dhe nuk e dinte që po kryente vepër penale. Ajo është e vetmja që ka bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojë me prokurorinë për zbardhjen e të vërtetës. Ne kërkojmë një masë më të butë, atë të detyrimit për t’u paraqitur.

Orkide Driza: Mua më kanë mashtruar, nuk i dal dot fëmijëve të mi para. Kam futur edhe fëmijët e mi në këtë punë, merrja 20 mijë lekë të vjetra. Do të jem e gatshme të bashkëpunoj deri në fund. Më kanë thënë që t’i çoja dhe kam çuar edhe fëmijët e mi.

TË DYSHUARIT

1.Albana Imami arrest në burg

2.Blertina Kanani arrest në burg

3.Matilda Domi arrest në shtëpi

4.Mihal Hanxhari arrest në burg

5.Orkida Driza arrest në burg

6.Esmeralda Vaso arrest në shtëpi



1 Comment

  1. Car shteti qe kemi, e kane ber burgun si buk e djath. Po si futet direkt ne burg tjetri pa u gjykuar akoma me duket totalisht apsurde. Kjo eshte drejtesia qe duam, hajde ti mbushim burgjet me fukarenj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *