• |
ide | kryesore

“Molla e kalbur duhet flakur”/ Zbulohet çfarë tha Rama në mbledhjen e fshehtë në Lezhë

Lajme, Të fundit

Fundi i pushimeve verore për kryeministrin Edi Rama u zyrtarizua sot në Lezhë, nga ku drejtoi një takim me deputetë, kryebashkiakë dhe drejtuesit e PS-së për veriun e vendit. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, por Rama ka folur edhe për çështjet e nxehta të rasteve të zyrtarëve me të shkuar kriminale të gjetur kohët e fundit.

“Kemi pasur një problem me Shkodrën dhe kjo ka ardhur për arsye se komisioni i verifikimit të pastërtisë së figurës që ngritëm edhe këtë herë në parti, nuk mund të shkojë përtej kufijve që kanë shtetet në lëshimin e statusit penal për çdo individ. Italia për shembull e ka deri 10 vjet më parë, dokumentin e pastërtisë. Mirëpo në rastin e Valdrin Pjetrit kjo nuk ka mjaftuar siç e kemi parë”, – ka thënë Rama për rastin e Valdrin Pjetrit.

“Të gjitha të dhënat përtej 10 viteve” – ka thënë kryeministri, – “janë të arkivuara dhe në to kanë akses vetëm autoritetet policore”.

Rama ka hedhur dyshime edhe për mënyrën se si Partia Demokratike arriti të nxjerrë dokumentet për Pjetrin.

“Në rast se letrat që nxori PD janë autentike, ato janë marrë në mënyrë të paligjshme. Janë fotografuar nga ekrani i kompjuterit duke dhënë ndonjë ryshfet. Ne s’mund ta bënim këtë dhe s’mund ta bëjmë, por duhet ta zgjidhim. Sepse s’mund të marrim asnjë kosto as ne as komuniteti, kur një vetëdeklarim rezulton i rremë, pasi kanë mbaruar zgjedhjet dhe krijohet boshllëk e zhgënjim”, – ka thënë kreu i qeverisë sipas asaj që raporton TCH.

“Do t’i propozoj parlamentit që kandidatët e partive për deputetë apo kryebashkiakë, të depozitohen më herët se sa afati i regjistrimit, në mënyrë që të ketë kohë për verifikim nga organet ligjzbatuese. Kush individ merr përsipër të gënjejë një parti e një shoqëri të tërë, të mbajë mbi kurriz të gjitha pasojat. Nuk është përgjegjësi e partisë politike kur del një “mollë e kalbur”, por ama është përgjegjësi e partisë të reagojë duke e flakur “mollën e kalbur”. Por me këto dy ndryshime ligjore, jo vetëm gënjeshtari apo shkelësi, do flaket nga partia, po s’do lërë asnjë boshllëk nga pas”, – është shprehur Rama që u ka kërkuar kryebashkiakëve të rinj të kenë sa më shumë gra në postet drejtuese.

3 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu