• |
ide | kryesore

Loja e koalicioneve, skadon afati/Albin Kurti sfidon Isa Mustafën

Kryesore, Lajme



Albin Kurti ka hedhur sot një hap të guximshëm për një ndryshim rrënjësor të pushtetit në Kosovë.

Pikërisht në ditën kur skadojnë afatet e regjistrimit të koalicioneve, ai i ka bërë një ofertë maksimaliste LDK-së, për të hyrë së bashku në zgjedhje. Por kjo kërkesë e përsëritur, që synon ti marrë frenat e pushtetit atyre që janë për ndarjen e Kosovës, ka të re lëshimet që ka vendosur të bëjë Vetëvendosja.

Ndryshe nga mitet e rreme që qarkullojnë për Kurtin, se ai nuk do ta lëshojë kurrë vendin e të parit, ai i ka propozuar homologut Mustafa, si premisë për koalicion të përbashkët, që listës ti prijë kandidatja e Lidhjes Demokratike për kryeministre: “Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm…ka shkruar Kurti në letrën e tij të hapur. Ndërsa çështja e kryeministrit të ardhshëm sipas propozimit do të vendoset më pas, nga partia që merr më shumë vota.

Propozimi i Albin Kurtit në finalen e regjistrimit të kualicioneve niset nga qëllimi taktik që i jep prioritet aleancave. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, koalicioni i parë zgjedh automatikisht kryeparlamentarin dhe mer të drejtën e krijimit të qeverisë (përndryshe shkohet në zgjedhe të reja).

“Bashkëpunimi opozitar LVV-LDK ka qenë faktor i rëndësishëm, mbase vendimtar, i shpëtimit të Kosovës nga pazaret territoriale me Serbinë. Hapat e bashkërenduar opozitar duhet t’i avansojmë në projekt të përbashkët për qeverisje të mirë”, ka shkruar Kurti duke theksuar se sëbashhku dy partitë sigurojnë 70 deputetë (per krijimin e qeverise mjaftojne 60).

Nuk dihet ende se cili do të jetë qëndrimi i LDK’së lidhur me ofertën e Kurtit, kur kanë mbetur edhe pak orë drejt përmbylljes së afatit të vendosur nga KQZ’ja për koalicionet parazgjedhore. E shndëŕruar në një kullë babiloni, me shumë rryma dhe pak vendimarrje, ish partia hegjemonike e Rugovës i friksohet marrjes së më pak votave se Vetëvendosja, gjë që do ia jepte kësaj të fundit postin e shefit të qeverisë. Por edhe po u përgjigj negativisht, LDK del e humbur në publik, sepse ajo bën figurën e një partie që sheh vetëm interesat e veta meskine, duke mos i dhënë një shanc koalicionit që do varroste përfundimisht planin e coptimit të Kosovës dhe që do i jepte fund mbretërimit 11 vjeçar të PDK të Hashim Thaçit në pushtet.

©Lapsi.al

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

I nderuari Kryetar i LDK-së, Isa Mustafa,

E di që ne pajtohemi se Kosova është shtet i dobët sepse është shtet i kapur.

Sot, çkapja e shtetit nga mujsharët shpërdorues, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, është nevojë jetike dhe urgjente për Kosovën si dhe pritja themelore e qytetarëve të Republikës. Po ashtu, sjellja e investimeve në ekonomi, zhvillimi që rrit punësimin, nuk janë të mundura pa çlirimin e prokurorisë dhe gjyqësorit nga Klani Pronto.

Sot, koalicioni parazgjedhor i dy subjekteve tona është ajo që dëshirojnë dhe shpresojnë qytetarët tanë. Në zgjedhjet e fundit të 11 qershorit 2017, LAA fitoi 29 deputetë kurse LVV 32 deputetë. Ne atëherë i kishim së bashku 61 deputetë. Dalja e AKR-së nga LAA atëbotë e formoi qeverinë e PAN-it. Po u bëmë ne bashkë, efekti i sinergjisë është i garantuar dhe do të mund t’i arrinim 70 deputetë nga zgjedhjet reja dhe qeverisje stabile.

Në ofertën time të tetorit 2018, nuk jeni përgjigjur, mirëpo, ndërkohë kemi pasur takime e komunikime të rregullta e konstruktive. Bashkëpunimi opozitar LVV-LDK ka qenë faktor i rëndësishëm, mbase vendimtar, i shpëtimit të Kosovës nga pazaret territoriale me Serbinë. Hapat e bashkërenduar opozitar duhet t’i avansojmë në projekt të përbashkët për qeverisje të mirë.

I ngelur pa përgjigje për ofertën time të kahmotshme për bashkëqeverisje me LDK-në, vendimin e kryesisë së LDK-së për kandidatin e partisë suaj për kryeministër e mësova nga mediet. Takimet tona kanë qenë partneritet vleror. Kjo u ndryshua me fakte të njëanshme partiake që neve na u hodhën fytyrës.

Ne nuk mund t’ju nënshtrohemi vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të një partie tjetër. Ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kushtëzimet për kandidatin për kryeministër nuk mund t’i pranojmë.

Mirëpo, sot, duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicion tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj.Vjosa Osmani, ose, kandidati ynë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota.

Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit.

Sot, le ta bëjmë këtë marrëveshje politike parimore e le ta dorëzojmë bashkë në KQZ. Në ditët në vijim e formojmë listën e plotë të kandidatëve dhe platformën tonë qeverisëse. Lista të jetë e baraspeshuar midis dy subjekteve ndërsa sipas numrit të deputetëve të fituar marrim përgjegjësitë në ekzekutivin e ardhshëm.

Dallimet që kemi janë të vogla përballë sfidave që na presin.

Duke shpresuar në përgjigjen tuaj pozitive, pranoni përshëndetjet tona.

Me nderime,

Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Prishtinë, 30 gusht 2019



2 Comments

  1. Bravo shqipe Albin Kurti, te gjithe miqte fake te kombit tone po pompojne dhe promovojne nje sharabajke kokeboshe nga ato yes man duke i dhene kolltukun e kryeministrise qe kjo ufo t’i japi Kosoven shkive. Nuk ka kryeminister ne tavolline futu ne zgjedhje dhe te shohim sa i vlen lekura kesaj bullices.

  2. Demokracia duhet te vendose, por ndoshta dilemat e LDK kane edhe origjine nderkombetare.
    Edhe ne Italine e madhe, me frymezim dhe mbeshtetje nderkombetare (perfshire amerikane), u injorua e drejta e popullit per te zgjedhur qeverine e tij, ne emer te stabilitetit. Personalisht, Albini s’me bind hic, por vota ka rendesi primare. Po zhvleresuam edhe voten, per cfaredolloj arsye, qofte dhe me fisniken, i kemi dhene fund jo vetem demokracise, por edhe shoqerise.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *