• |
ide | kryesore

Dy gola në një minutë, shishe në fushë e ndërprerje loje: Tirana padrone në Loro Borici

F1, Sport, Video



Dy gola në një minutë mund të kishin shkatërruar cdo kundërshtar, e nuk mund të ishte ndryshe për Vllazninë, që u dorëzua në Loro Borici përballë Tiranës, që justifikoi plotësisht statusin e pretendentit. Bardheblutë vuajtën një pjesë lojë tensionin e një ndeshje rivalizuese, por më pas bënë të vlenin kualitet, duke treguar njëkohësisht edhe gjithnjë limitet e një Vllaznie, që diti ti fshehë mirë në dy javët e para. E gjithë ajo që mund të bëjnë shkodranët është të kapen fort në dy moment të diskutueshme, që ndoshta mund të ndryshonin rrjedhën e lojës: kontakti Emerson Celhaka në të 8 dhe pengimi i Likës në nisje të pjesës së dytë.

Taktikisht me sjellje të njëjtë, formacionet kërkuan të viheshin në zotërim të mesfushës, duke krijuar shumë faulle e pak raste, edhe ato pa rrezikshmërinë e duhur: Lika godet mbi travresë, në sugjerimin e Zogajt, ndërsa Hasani gjeti të gatshëm portierin Sherri, në minutën e 19. Tirana ishte e bukur deri në pasimin e fundit, aty ku gjërat duhen ndryshuar, ndërsa në anën tjetër topat e ndaluar nuk mund ti jepnin përparësinë që shpresonte Vllaznia.

Impakti në rifillimin e lojës ishte shumë më i mirë për Tiranën, që u shty përpara edhe me mbrojtës, duke e kuptuar mundësinë që i jepej. Imami nuk gjeti kuadratin, por Hoxhallari gjeti kontaktin me Likën që për fatin e tij Jorgji nuk e gjykoi penallti, pavarësisht protestave të ashpra të kuqebluve, hedhjeve të shisheve në fushë e nervave që nuk dëmtuan askënd tjetër vec Vllaznisë. Pikërisht kështu sepse me rifillimin e lojës, ndoshta me mendjen ende tek episodi Gurishta gabon fatalisht në të 58, duke i dhënë mundësinë Halilit të merrte topin e të mposhte nga pranë Sherrin. Jonuz pa kapitullimin e të tijve, nga një veprim foshnjarak, që tronditi në themele kuqeblutë, që u përsëritën ende pa kaluar minuti. Presingu bëri diferencën dhe Ngo’o ekzaltoi pikën e tij të fortë, duke shënuar të dytin me kokë, për golin që vrau ndeshjen.

Shkodranët nuk mund të ringriheshin, edhe pse e provuan, por pa bindje, të dorëzuar mentalisht, duke i bërë tifozët të shfrynin inatin, duke dhënë shfaqjen më të shëmtuar në Loro Borici. Hedhje sendesh të forta, ndërprerje loje e invazion fushe, që nuk mund të bënin asgjë për të ndryshuar një ndeshje që Tirana e fitoi bindshëm, por që mund të shërbejë fare mirë për ti dënuar fushën. 7 pikë në 3 ndeshje për bardheblutë e me pauzën e kampionatit Mema mund të presë edhe Vangjelin e Lilën, për një skuadër që duket e aftë që pretendimet të mos i ketë vetëm në letër këtë herë…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *