• |
ide | kryesore

Ngjarja e Fierit/ Policia shpjegon si ndodhi sherri i përgjakshëm mes 2 familjeve

Lajme, Të fundit



Detaje të reja janë zbuluar rreth ngjarjes së rëndë të shënuar këtë mbrëmje në Fier, ku si rezultat i një konflikti të përshkallëzuar mes dy familjeve, kanë mbetur të plagosur 4 persona.

Në njoftimin për shytp, Policia sqaron se në Levan të Fierit, gjatë një konflikti mes dy familjeve janë dëmtuar me sende të forta dy shtetasit me iniciale G.ZH dhe D.Zh, ndërsa shtetasit K.L. dhe E.M. janë lënduar me mjet prerës.

Të plagosurit janë transportuar për në Spital, për ndihmë mjekësore. Në Urgjencën e spitalit një prej shoqërueseve të të dëmtuarve i ka marrë armën e zjarrit nga brezi punonjësit të policisë, i cili po ndihmonte për të futur të plagosurit në Urgjencë dhe ka plagosur me armë zjarri një prej familjarëve të palës tjetër, shtetasin A.ZH.

Në ndihmë të punonjësve të Policisë kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie duke kanë bërë bllokimin e dy shtetasve E.B. e D.B. dhe shoqërimin në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë për veprime të mëtejshme.

FNSH dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen edhe të një shtetasi tjetër të përfshirë në këtë ngjarje.

Për hetimin e kësaj ngjarje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor me Specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.

Njëkohësisht me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vendngjarje kanë shkuar edhe specialistët e Drejtorisë së Standarteve Profesionale në Polici, për të verifikuar veprimet e punonjësve që ishin në momentet e para në Urgjencën e spitalit.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, motivit të konfliktit si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *