• |
ide | kryesore

Video/ Shënon edhe portieri Hidi: Bylis turpëron Skënderbeun në Korçë

Sport, Video



Dy javë e dy fitore për Skënderbeun kishin bërë befasinë, por Bylis zbret me këmbë në tokë bardhekuqtë, duke i dhënë një leksion të mirë në Korçë me rezultatin 3-0. Skuadra e ardhur nga Kategoria e Parë kishte vetëm një pikë në dy ndeshjet e para, por Dovedan e kishte bërë të qartë se organika e mallakastriotëve është me kualitet shumë më të lartë se reflektohet në pikë: përgjigja erdhi në javën e tretë, ku korcarët janë shkatërruar me lojë e me gola e janë ndëshkuar edhe nga portieri i Bylis Isli Hidi, që hoqi kënaqësinë e golit nga pika e bardhë.

Dominim absolut i ballshiotëve, në avantazh me Peposhin në minutën e 11, që nuk con dëm asistin e Muratajt. Kapiteni i Bylis ka qenë një nga protagonistët e takimit, me shumë topa të luajtur e me inteligjencën për ti krijuar të tijve hapësirat e duhura për të goditur. Skënderbeu nuk u fut kurrë në lojë e madje u kuptua që nuk do të ishte mbrëmja e duhur, kur ish-sulmuesi i tyre Guindo, dyfishoi shifrat para se skuadrat të zbrisnin në dhomat e zhveshjes.

Pak për të bërë për Dajën, që pavarësisht deklaratave optimiste që vinin nga Korca, ishte i vetmi që ka qendruar në heshtje, me shumë mundësi duke qenë se limitet e skuadrës së tij i kishte të qarta. Skuadra e Dovedan nuk e lëshoi kapjen, për ti dhënë mundësinë korcarëve të ktheheshin në lojë, por i mbylli llogaritë në minutën e 61, duke shënuar edhe golin e tretë nga pika e bardhë e penalltisë. Si për të bërë më të hidhur humbjen, përballë Kolicit u paraqit Hidi, që shënon golin e parë në kampionat.

4 pikë në 3 javë për Bylis, që nuk është distant nga grupi kryesues i skuadrave, të gjithë në kuotën e 7 pikëve. Skënderbeu mbetet në kuotën e 6 pikëve, ndërsa pas pauzës për shkak të impenjimeve të kombëtares do të ndeshet në transfertë ndaj Tiranës, ndërkohë që Bylis pret Kukësin në “Adush Muça”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *