• |
ide | kryesore

“Të detyruar të kërkojmë rezultat”: Balaj e Strakosha optimistë përpara kualifikueseve ndaj Francës e Islandës

F1, Sport



Kampionë bote, ose jo, kundërshtarët e Shqipërisë në dy ndeshjet kualifikuese drejt Euro-2020 nuk i frikësojnë kuqezinjtë, që duan të vazhdojnë aty ku e lanë, pas suksesit ndaj Moldavisë në qershor. Vëmendjen kryesore në konferencën për shtyp të Bekim Balajt e Thomas Strakoshës natyrisht e ka marrë Franca, por përtej statistikave negative me Gjelat, me 5 humbje e një barazim në 7 përballje, entuziazmi me të cilën Shqipëria sfidon të mëdhatë i bën ata të shpresojnë. “Me Francën kemi eksperiencë deri diku pozitive. Jemi të detyruar të pretendojmë për pike – tha Balaj -. Do jetë një ndeshje ku do të kërkojmë vlerësim dhe përqendrim maksimal. Përqendrimi dhe vlerësimi është maksimal. Dihet forca e kundërshtarëve. Shpresoj që grupi të jetë gati dhe t’i përballojmë. Do të pretendojmë të marrim pikë edhe në Francë”.

Mbi Bekim Balaj do të bie me shumë mundësi pesha kryesore e ofensivës, pa harruar që shtatlarti duhet të përballet me mbrojtës të nivelit të lartë si Varane e Umtiti. Në fakt, shkodrani po kalon një formë të mirë dhe vjen nga një dygolësh në Austri me Sturm Graz gjë që e bën të shpresojë se mund të bëjë mirë edhe me kombëtaren: “Më vjen mirë që vij në ekip kombëtar me gola – shpjegoi shkodrani -. Forma dhe minutazhi ndikojnë. Vij nga një moment i mirë. Ndeshjet i kam luajtur të plotat. Shpresoj që ecuria pozitive të vazhdojë edhe në ndeshjet e ekipit Kombëtar”.

Dy ndeshje vendimtare, po për portierin e Lazios, që vjen nga barazimi në derbin me Romën, e vetmja gjë që ka rëndësi është kthimi i një grupi funksional, pikërisht ajo që i mungoi skuadrës me Panuccin. Strakosha ka bindjen se vetëm kështu kuqezinjtë mund të besojnë tek kualifikimi.
“Këto 2 ndeshje do të tregojnë nëse do të jemi në garë për t’u kualifikuar apo jo – u shpreh portieri kuqezi -. E dimë të gjithë që janë ndeshje të rëndësishme, por nuk duhet të mbingarkohemi. Ne kemi kualitetet, këtë gjë e kemi treguar. Tani thjesht duhet të bëjmë një grup të fortë dhe të jemi gjithmonë pozitivë. Vitin e kaluar humbëm grupin që kishim. Vetëm si grup mund të bëjmë diçka të mirë. Po të kemi grupin, kemi shans të kualifikohemi”.

Me 6 pikë pas katër ndeshjeve të para, Shqipëria duhet të përballet të shtunën në 7 shtator në transfertë me kampionët e botës, ndërsa të martën në datën 10, do të presë në shtëpi Islandën, që në Rekjavik ka dalë fituese 1-0 përballë skuadrës së Edy Rejas.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *