• |
ide | kryesore

Kushtetuesja refuzon kërkesën e Haradinajt për interpretim të dorëheqjes

Lajme, Planet



Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka shpallur si të papranueshme kërkesën e kryeministrit në largim, Ramush Haradinajt, lidhur me “definimin e kompetencave dhe funksionimit të qeverisë”, pas dhënies së dorëheqjes së parevokueshme nga detyra.

Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës, shkruhet se çështjet e ngritura nga Haradinaj nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Kushtetueses.

Vendimi i plotë:

Aktvendim Lënda: KO 124/19 Parashtrues: Kryeministri (në dorëheqje) i Republikës së Kosovës Objekt i çështjes së kërkesës ishte interpretimi i aktit të dorëheqjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe definimi i kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë, pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit. Kërkesa bazohej në paragrafin 10 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], në lidhje me nenin 113 [Jurisdiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. – Gjykata konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e jurisdiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, dhe me rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, Gjykata njëzëri vendosi: TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme.

Pas këtij vendimi, ka ardhur edhe reagimi i Haradinaj, i cili është shprehur teksa po mbante një konferencë për media me partnerin e tij në koalicionin parazgjedhor AAK-PSD, Shpend Ahmeti:

S’e kam lexuar vendimin. S’kërkojmë kompetenca. Ne kemi kërkuar zgjedhje, që mandati me iu kthy sovranit, e kjo ka ndodh. Por Kosova s’guxon të mbesë në vakum qeverisës. Për këtë arsye iu pata drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Për fat të mirë ka ndodh ajo që po kthehet vendimi te populli, por s’mundemi të mbesim pa qeveri. Kam dhënë dorëheqje në bazë të kushtetutës, e jo dezertim. S’mund të mbetet vendi pa kujdestar të temave të jetës.”

Ky vendim vjen në kohën e një vakuumi institucional që pasoi në Kosovë, pas tërheqjes së Haradinajt nga posti i kreut të ekzekutivit, pasi u thirr për të dëshmuar në Hagë si një nga ish-drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë janë caktuar të mbahen më 6 tetor.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *