• |
ide | kryesore

Stuhi disiplinore mbi Vllazninë: katër ndeshje pa tifozë për ‘shiun’ në Loro Boriçi

F1, Sport



Komisioni i Disiplinës ashtu sikurse pritej ka goditur Vllazninë duke i mbyllur dyert për tifozët në katër ndeshjet e ardhshme brenda në shtëpi. Sjellja e tifozerisë shkodrane: hedhje shishesh në fushë, invazion të saj nga një tifoz dhe ndërprerje për disa minuta të takimit për shiun e shisheve plastike në minutën e 85 të sfidës Vllaznia-Tirana, i ka kushtuar rëndë klubit kuqeblu që tani do të humbasë pikën e fortë të saj, tifozerinë, për katër takime radhazi.

Tensioni, prezent që në fillim të ndeshjes, u agravua me kalimin e minutave në stadiumin Loro Borici, për javën e tretë të Superiores, sidomos pas dy episodeve të kontestuara nga Vllaznia për 11 metërsha të mohuar, në pengimin e Emerson dhe Gilman Likës. Por më e keqja duhet ende të ndodhte, sepse pas ndeshjes autobusi i bardhebluve është sulmuar me gurë e sende të forta nga tifozë shkodranë, në kohën kur po dilte nga qyteti.

Fatmirësisht nuk pati të lënduar nga lojtarët apo stafi, që vetëm kanë pësuar tronditje nga kjo ngjarje, që ka rezultuar me vetëm dëme materiale. Tirana e ka bërë publike situatën përmes zyrës së shypit, duke njoftuar edhe denoncimin mbi atë cfarë ndodhi në sfidën mes Vllaznisë e Tiranës. Shkodranët, e humbën ndeshjen 0-2 e bashkë me të edhe tifozët për katër të tjera, me vendimin e Disiplinës.

Vendimi i Komisionit të Disiplinës së FSHF datë 04.09.2019

1. KF “Vllaznia”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke shkaktuar akte dhune dhe ndërpreje të përkohëshme të lojës, në bazë të Nenit 65/3 dhe Nenit 65/4/b të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshja pa tifozë në fushën përkatëse.
Në zbatim të Nenit 32/3 të KDS, urdhërohet pezullimi i zbatimit të dënimit për ½ e dënimit me kusht për një periudhë 6 mujore.
2. Lojtari i KF “Kukësi”, Olsi Teqja, për publikimin e deklaratave kundër interesave të FSHF, në bazë të Nenit 10/1/d. të Statutit të FSHF dhe Nenit 18 të KDS, dënohet me pezullim nga 2 (dy) ndeshje prej aktivitetet futbollistike.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *