• |
ide | kryesore

Bushati në VOA: “Kordon sanitar” për personat e inkriminuar, dihet kush e solli Pjetrin

Lajme, Të fundit



Ish-ministri i Jashtëm dhe anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste Ditmir Bushati flet për nevojën e një “kordoni sanitar” apo filtrave të rreptë për të parandaluar kandidimin e personave me të kaluar të dyshimtë.

“Ne kemi përgjegjësinë e madhe para qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, në radhë të parë, për të vendosur një kordon sanitar dhe për ta luftuar në mënyrë agresive këtë fenomen. Integriteti i jetës publike duhet mbrojtur me çdo kusht dhe refuzimin për ta parë një gjë të tillë, do të mund të quhej pa ngurrim, një katastrofë shtetërore” – tha Bushati në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Sa i takon skandalit me Valdrin Pjetrin në Shkodër, Bushati thotë se duhet ndarë përgjegjësia.

“Është e rëndësishme fillimisht që të ndajmë përgjegjësinë ligjore e cila në çdo rast është individuale për çdo person që ka shkelur ligjin dhe çdo person duhet të përballet me drejtësinë, me përgjegjësinë politike që ne e kemi si politikan dhe si forcë politike. Besoj se ne, jo vetëm duhet të njohim përgjegjësinë politike në raste të tilla, por edhe ta ushtrojmë atë” – tha ai.

“Është me rëndësi që t’ia besojmë bazës së partisë, në mënyrë që të sigurojmë që kemi zgjedhur personat e duhur dhe në mënyrë që gara që duhet të zhvillohet brenda radhëve të Partisë Socialiste në këtë rast, të sjellë jo vetëm ofertën më të mirë politikë, programatike, shoqëruar me një vizion përkatës, por t’i krijojë mundësi në radhë të parë anëtarësisë së PS-së dhe më pas komuniteteve lokale për të ushtruar një mbikëqyrje më të madhe në lidhje me integritetin e çdo kandidati që synon që të ketë një karrierë politike.

Kjo do të na bënte që të ndërtonim një sistem imunitar brenda radhëve tona, por nga ana tjetër do jepnim një shembull më të mirë, sepse kam besuar dhe vazhdoj të besoj se Partia Socialiste është një forcë që e ka kapacitetin për tu vetëkorrigjuar.

Ka energjinë dhe burimet njerëzore për të qenë forcë e ndryshimit dhe çdo garë brenda nesh do duhej të zhvillohej duke respektuar librin e rregullave të shtëpisë tonë, sistemin e meritës, të vlerës dhe natyrisht duke iu ofruar komuniteteve modele më të mira” – tha Bushati.

I pyetur për deklarimet e bëra më pas nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, sipas të cilit kandidatura e zotit Pjetri në Shkodër ishte propozuar nga ish-ministri i Jashtëm, Bushati tha se “Shkodra e di kush e kandidoi Valdrin Pjetrin. Asambleja e Partisë Socialiste propozoi 3 kandidatë të tjerë” – u shpreh ai. ©LAPSI.al



1 Comment

  1. Shume mire qe del nje ze opozitar (nqse mund te quhet i tille) brenda Rilindjes, por nuk mund te mos harrojme qe ky ish-ministri eshte po ai qe lagte me uje opositen kur protestonte kunder prokurores se pergjithshme “te perkohshme “…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *