• |
ide | kryesore

Përplasja me Doshin? Bushati: Për të shpallurit “Non Grata” nga SHBA…

Lajme, Të fundit



Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ishte kritik në mbledhjen e kryesisë së PS-së për rolin që ka marrë deputeti (tashmë i PSD) Tom Doshi në Shkodër. Rama iu përgjigj se Doshi ishte një realitet në këtë qark, por Bushati tha se PS-ja nuk ka nevojë për të shpallurit “non grata” nga SHBA. Pa përmendur emra konkretë për këtë çështje, Doshi u pyet edhe në intervistën për Zërin e Amerikës, por përgjigja ishte e tërthortë.

“Debatet për sa i përket procesit të dekriminalizimit dhe influencës në politike të njerëzve me të shkuar të dyshimtë apo persona të cilët janë shpallur “non grata” nga SHBA, unë kam preferuar për ti zhvilluar brenda kryesisë që në vitin 2016.

E kam thënë edhe herë të tjera që, fillimisht problematikat shtrohen brenda një familje politike dhe më pas kam ndjerë nevojën që për çështje të tilla, është e rëndësishme që të kemi një debat politik më të sinqertë, në mënyrë kapilare brenda të gjitha strukturave të partisë socialiste, po pse jo dhe një debat ndërpartiak dhe një debat shoqëror për të pasur në fund të fundit një pakt kundër influencës të personave të tillë në jetën publike.

Natyrisht, nuk kam përjashtuar asnjë çast as veten nga përgjegjësi të tilla, edhe kur kam thënë që, ne nuk kemi pse mos të guxojmë të kërkojmë ndjesë për vendimmarrje të gabuara dhe kur kam deklaruar që askush prej socialisteve e progresisteve shqiptarë nuk ka pse të ndjehet i ligështuar prej vendimmarrjeve të gabuara nga ana jonë.

Por, pikërisht eksperienca e Shkodrës, më shtyn të mendoj që ne duhet të fillojmë të veprojmë seriozisht me një mentalitet të ri perëndimor, 30 vjet pas shembjes së regjimit komunist, duke krijuar garë të vërtetë brenda nesh, duke krijuar rregulla loje që duhet të respektuar brenda nesh, një sistem merite dhe vlere, modele frymëzuese.

Duke i dhënë mundësi kësisoj, jo vetëm bazës së partisë, por edhe komuniteteve për ta thënë fjalën e tyre, qoftë për kandidatët për deputetë, qoftë për kandidatët për këshillin bashkiak, qoftë për kandidatët për kryetar bashkie, kryetar partie apo kryetar organizatash në një fazë të hershme të këtij procesi. Besoj fuqimisht që gara e shëndetshme brenda familjeve politike do të stimulojë gjithashtu dhe garën në jetën ekonomike të vendit” – tha Bushati. ©LAPSI.al



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *