• |
ide | kryesore

Raporti i OSBE/ Rama kufizoi qasjen e mediave në fushatë

Lajme, Të fundit



Në skanimin e përpiktë të votimeve të 30 qershorit të dokumentuar në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, është konstatuar se praktika e përdorur nga Partia Socialiste me shpërndarjen nëpër media të materiale filmike prej takimeve elektorale, në të vërtetë ka kufizuar qasjen e tyre në fushatë.

Kjo formë transmetimi “brutto” e propagandës së partisë qeverisëse, që garonte me vetëbesim në një garë pa kundërshtarë, ka kufizuar po ashtu sipas OSBE-së edhe aksesin e publikut në një informacion objektiv. Problematik është interpretuar edhe mbulimi i fushatës, që u  përqendrua tek kryeministri Edi Rama, i cili  në një tur elektoral të mbajtur në mbarë vendin, prezantonte kandidatët socialistë nëpër rajone, si edhe kandidatin e rikonfirmuar në detyrë  në Bashkinë më të madhe dhe më të rëndësishme të vendit, Erion Veliajn.

Raporti i OSBE-së pohon gjithashtu e zeza mbi të bardhë se ndonëse mjedisi mediatik është i larmishëm, mediat “mbeten të varura nga përafria me politikën dhe interesat e biznesit të pronarëve”, një qëmtim ky i artikuluar dhe i denoncuar prej kohësh nga njohësit e fushës. Komprementimi i mediave gjer në palcë mund të vërehet kollajshëm duke u mjaftuar me vëzhgimin e faqeve të para të të përditshmeve që hiqen si “të pavarura”, si edhe në lajmet kryesore që hapin edicionet e televizioneve gjeneraliste apo të atyre informative, që në dukje operojnë duke ruajtur interesin e publikut.

Pjesë nga raporti:

Mediat janë të shumëllojshme, por mbeten të varura nga përafria me politikën dhe interesat e biznesit të pronarëve. Në mungesë të një mekanizmi vetë-rregullues efektiv, gazetarët punojnë në kushte të pasigurta dhe shpesh ‘strehohen’ tek vetë-censura.

Mbulimi i kufizuar i fushatës u përqendrua tek kryeministri aktual, Edi Rama, drejtues i Partisë Socialiste, i cili prezantoi kandidatët nëpër rajone, si edhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Praktika e përdorur nga Partia Socialiste dhe zyrtarët për t’i siguruar medias pamjet nga takimet elektorale, ka kufizuar qasjen e tyre në to, si edhe aftësinë e votuesve për të marrë informacion objektiv.”

 



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *