• |
ide | kryesore

Kontradikta tek Juventus: Sarri e Paratici janë përplasur me fjalë të rënda

Sport



Është vërtetë një fillim sezoni i cuditshëm në kampin e Juventus. Jo sigurisht për rezultatet, dy suksese në po aq ndeshje kundër Parma e Napoli, por për atmosferën që mbretëron në Torino, nga merkato që nuk shkoi si duhej, e deri tek semundja e teknikut. Organika e vënë në dispozicion të Maurizio Sarri nuk është e lehtë të administrohet nga askush. Disa faktorë në fakt kanë kontribuuar për ta bërë fillimin e sezonit, atë të rinovimit bardhezi, jo pa ndonjë telash. Nga zgjedhjet e formacionit, tek administrimi i të vjetërve e të rinjve, tek përjashtimet e paevitueshme në listën europiane, deri tek raporti me një merkato pushtuese që Sarri, për të thënë të vërtetën, nuk e ka duruar kurrë, që kur bën këtë profesion. Aq sa të arrijë deri në një konfrontim me drejtuesit e klubit.

Emre Can është përjashtuar nga lista Champions e ka shfryrë duke fajësuar trajnerin. E cuditshme po të mendosh, që mesfushori gjerman, vetëm dy vjet më parë, kishte mbërritur në finalen e kompeticionit më të rëndësishëm kontinental për klube. Juventus nuk arriti ti shiste lojtarët e tepërt e Maurizio Sarri u detyrua të merrte vendime të vështira si ajo e përjashtimit të ish-lojtarit të Liverpool.

Sipas asaj që bën të ditur Corriere dello Sport, Maurizio Sarri e Fabio Paratici, gjatë verës, kanë patur përplasje të forta mbi merkaton. Argumenti ishte i zakonshmi: zbrazja e organikës. Tekniku dëshironte që zgjedhjet ti bënte merkato e nuk besonte se duhet ti komunikonte Emre Can vendimin e tij për të mos e përfshirë në listën Champions.

Pika e dobët e merkatos juventine ishte ajo e mungesës së shitjes së lojtarëve të tepërt prezentë në organikë. Tekniku do të donte të punonte me një grup me më pak lojtarë e ia ka shprehur pakënaqësinë Paratici. Mes të dyve, sipas asaj që raporton Corriere dello Sport, kanë fluturuar fjalë të forta, ka patur një debat të ndezur, i ashpër, pak diplomatik. Maurizio Sarri e kishte deklaruar që në verë se 28 lojtarë ishin shumë, por drejtuesit e Juventus nuk kanë arritur ta reduktojnë skuadrën.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *