• |
ide | kryesore

Zbulohet sherri mes ministrit Bledi Çuçi dhe Tërmet Peçit në Gjirokastër

Lajme, Të fundit



Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi dhe kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peci janë përplasur me njëri-tjetrin të enjten në Gjirokastër. Shkak është bërë përzgjedhja e kandidaturës që do të votohet për kryetar të Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës këtë të premte, shkruan Jugunews.

Kjo pasi të dy kishin alternativa të kundërta për të mbështetur kandidaturën për kreun e ri të Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës, pas konstituimeve të parlamenteve vendore produkt i farsës zgjedhore të 30 qershorit. Gjithçka ka ndodhur në orët e drekës së të enjtes kur kreu i Parlamentit Gramoz Ruçi, kishte mbledhur kryetarët e bashkive të jugut të dalë nga votimet e 30 qershorit si dhe krerët e degëve vendore të PS përfshirë edhe deputetët.

Përplasja mes Çuçi dhe Peçi ka ardhur pasi ky i fundit kundërshtoi ashpër propozimin e kryesuesit të listës së deputetëve socialistë në Qarkun e Gjirokastrës që Lindita Rova prej 6 vitesh drejtoreshë e DAR Gjirokastër, të jetë kandidaturë e vetme për kryetare të Këshillit të Qarkut. Ministri i është drejtuar Gramoz Ruçit duke i thënë se kandidatura e Rovës, ka marrë konsensusin e palëve brenda PS për të qenë kandidate e vetme për kryetare të Këshillit të Qarkut.

Mirëpo në moment është çuar kryebashkiaku i Tepelenës i mbështetur edhe nga kryetari i PS së Tepelenës Arben Gumeni, që denoncuan këtë gënjeshtër të Çuçit pasi sipas tyre, nuk është diskutuar dhe as të jetë vendosur me konsensus kandidatura e Rovës. Vetë Tërmet Peçi, ka propozuar Matilda Salën për kryetare të Këshillit të Qarkut Gjirokastër e cila ka qenë në listën e kandidatëve për deputetë të PS në zgjedhjet e 2017. Mbështetja ndaj propozimit të Pecit ka gjetur terren edhe tek të pranishmit e tjerë çka u krijua një konfuzion shoqëruar me ilaritet në sallë.

Ndërsa kryetarët e zgjedhur të njësive vendore në Gjirokastër, kanë qëndruar pasiv dhe në heshtje karshi këtij debati pasi po në heshtje, mbështesnin Bledar Kaçin si kandidat për kryetar të Këshillit të Qarkut. Debati ka zgjatur disa minuta por në fund triumfoi kandidatura e Çuçit i cili vuri veton për Rovën. Ndërkohë që kompromisi mes palëve mungoi, u la që në mbledhjen konstituuese të Këshillit të Qarkut këtë të premte, PS të paraqitet e vetme me një kandidaturë që do të jetë Lindita Rova, ndërsa nënkryetari do të jetë nga Tepelena dhe sekretari i Këshillit të Qarkut nga Përmeti.

Si shenjë e tensionit mes palëve, Tërmet Peçi dhe komplet përfaqësuesit e Gjirokastrës, refuzuan ftesën për drekë të organizuar nga Gramoz Ruçi në Vlorë.



3 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *