• |
ide | kryesore

Ekzekutimi i Santiago Malkos, hetuesit drejt një tjetër piste, zbulohet takimi i fundit

Lajme, Të fundit



Santiago Malko u vra në një atentat mafioz mbrëmjen e 27 gushtit, ndërkohë që policia nuk ka asnjë të dyshuar apo arrestuar deri më tani. Grupi hetimor ka sekuestruar një sërë pamjesh filmike në zonë, që tregojnë dinamikën e ngjarjes, që nga ndjekja me makinë dhe deri te ekzekutimi pranë një lavazhi, në zonën e Kinostudios.

Policia po verifikon edhe takimin e fundit të ish-policit me një mikun e tij. Ai është takuar me një shok para se të vritej në atentat, por po verifikohet nëse Santiago Malko i ka thënë ndonjë detaj mikut të tij, që mund të tregojë se ai e kishte kuptuar që një automjet po e ndiqte.

Deri më tani asnjë dëshmi nuk ka rezultuar me vlerë për hetuesit. As të dhënat e celularit të ish-policit nuk kanë zbuluar detaje se ai mund të ishte kërcënuar kohët e fundit, apo të kishte patur ndonjë konflikt. Kamerat e sekuestruara nga policia tregojnë se Santiago Malko po ndiqej për më shumë se një orë nga autorët.

Pista kryesore e hetimeve është përqëndruar te hakmarrja dhe gjobëvënia. Santiago Malko dyshohet se ishte pjesë e një grupi me rrezikshmëri të lartë në Tiranë. Vetë Santiago mendohet si i përfshirë në disa ngjarje kriminale, por asnjëherë policia nuk ka patur prova për arrestimin e tij.

Edhe në ngjarjen e ish-Bllokut në 4 tetor të 2018-së, Santiago u shpall në kërkim policor, por pasi u mor në pyetje, u la i lirë, sepse nuk u gjetën prova se ai kishte qëlluar me armë.

Pavarësisht se ishte i dyshuar si kontigjent kriminal në Tiranë, Santiago Malko punonte si inspektor pyesh.

Ish-polici ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. Policia po vijon hetimet për një nga ngjarjet kriminale më të rënda në Tiranë përgjatë këtij viti, por kur kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga vrasja, duket se gjithçka ka ngelur në pistat e dyshimeve.

Burime policore shprehen se një grup i ri kriminal në Tiranë ka kryer ekzekutimin, por nuk kanë asnjë provë në dorë për të identifikuar autorët e vërtetë. /Mapo



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *