• |
ide | kryesore

Gara për Gjykatën Kushtetuese, KED refuzon kandidimin e Zhaklina Petos

Arkiva, Lajme, Të fundit



Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka refuzuar kandidaten për anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Zhaklina Peto. Fillimisht, pedagogia e Juridikut ishte përfshirë nga KED në garë si kandidate potenciale për të plotësuar vakancën në Kushtetuese. KED kishte vendosur më herët të zbatojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit për rikthimin e kandidates, Zhaklina Peto, në garën për emërim në Gjykatën Kushtetuese.

Por më pas rezultoi se gjyqtarja kishte probleme me pasurinë. Nisur nga ky fakt, KED urdhëroi riekspertim për deklarimet e Petos. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka thirrur ekspertin e caktuar për procedurën e verifikimit të pasurisë së kandidates, Zhaklina Peto, sipas orientimit të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, për të zhvilluar një seancë me pyetje dhe sqarime drejtuar ekspertit lidhur me mendimet e dhëna në aktin e ekspertimit.

Në përfundim, sipas KED ka rezultuar se Zhaklina Petos nuk plotëson kushtet për të qenë pjesë e garës për anëtare të Gjykatës Kushtetuese, duke rrëzuar kështu kandidimin e saj.

“Në lidhje me kërkesën paraprake të kandidates Zhaklina Peto, të paraqitur për pretendimin e saj mbi gjendjen e konfliktit të interesit dhe përjashtimit të të gjithë anëtarëve nga shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit të kandidaturave për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, përpara vijimit të bisedimit të Këshillit mbi gjetjet në procedurën e verifikimit të kësaj kandidateje, Kryetari dhe Zëvendëskryetari i Këshillit, në zbatim të neneve 222-225 të ligjit nr. 115/2016, pasi shqyrtuan motivet përkatëse, vendosën rrëzimin e kërkesës për përjashtimin e secilit anëtar të Këshillit nga procedurat e verifikimit të kandidaturave të kandidates Zhaklina Peto, si të pambështetur në ligj”, thuhet në vendim.

Përjashtimi i Zhaklina Petos bën që në garën për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të mbeten vetëm pesë kandidatë, të cilët po shqyrtohen aktualisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Aktualisht në Kushtetuese ka mbetur si anëtare e vetme vetëm Vitore Tusha e cila ka kaluar procesin e Vettingut më shumë se një vit më parë.

Për të nisur punën, Gjykatës Kushtetuese i duhet një trupë minimale me gjashtë anëtarë.

Njoftimi i plotë
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 09.09.2019, zhvilloi mbledhjen e radhës me këtë rend dite:
1. Shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit të kandidates Zhaklina Peto për kandidimin e saj për dy vende vakante për Gjykatën Kushtetuese.
2. Diskutimi dhe vendimmarrja mbi ecurinë e deritanishme të procedurës së verifikimit dhe vlerësimit në lidhje me vendin vakant për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, shpallur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Në përfundim të diskutimit të çështjeve të rendit të ditës, Këshilli vendosi :
1. Në lidhje me kërkesën paraprake të kandidates Zhaklina Peto, të paraqitur për pretendimin e saj mbi gjendjen e konfliktit të interesit dhe përjashtimit të të gjithë anëtarëve nga shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit të kandidaturave për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, përpara vijimit të bisedimit të Këshillit mbi gjetjet në procedurën e verifikimit të kësaj kandidateje, Kryetari dhe Zëvendëskryetari i Këshillit, në zbatim të neneve 222-225 të ligjit nr. 115/2016, pasi shqyrtuan motivet përkatëse, vendosën rrëzimin e kërkesës për përjashtimin e secilit anëtar të Këshillit nga procedurat e verifikimit të kandidatuarave të kandidates Zhaklina Peto, si të pambështetur në ligj.

2. Në vijim, pas bisedimit të gjetjeve në procedurën e verifikimit, Këshilli vendosi :
a) Ndalimin e kandidimit të kandidates Zhaklina Peto për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatës Kushtetuese, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018;
b) Ndalimin e kandidimit të kandidates Zhaklina Peto për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatës Kushtetuese, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018.

3. Gjithashtu, pas shqyrtimit të gjendjes lidhur me ecurinë e procedurës së verifikimit të kandidaturave për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke konstatuar se janë 4 kandidatë të lejuar për kandidim, në zbatim të nenit 147/d të Kushtetutës dhe nenit 201 të ligjit nr. 115/2016, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi:
a) Pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave për plotësimin e vendit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
b) Shpalljen e procedurës së thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Paraqitja e interesit për kandidim, së bashku me dokumentacionin shoqërues, depozitohet në zyrën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pranë Gjykatës së Lartë, deri në datën 20 Shtator 2019.
Teksti i shpalljes së thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, gjendet në në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, pjesa për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, në zërin K.E.D “Vende Vakante”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *