• |
ide | kryesore

Mavraj e Roshi jashtë, por nuk janë të vetmit: ky është revolucion i parashikuar i fanatikut të 3-5-2

F1, Sport



Një konferencë për shtyp me nerva të tensionuara, ashtu si edhe pritej pas një humbje si ajo e Francës. Edy Reja nuk ishte ai babaxhani i përhershëm, sepse në lojë ishte edhe emri i tij dhe ajo që i mbron me fanatizëm edhe më shumë se lojtarët, skema 3-5-2: “Ta sqarojmë këtë aspekt – sulmoi Reja që në fillim -. Skema 3-5-2 nuk është vetëm mbrojtës, ne mundohemi të mbrojmë duke sulmuar duke mbajtur kundërshtarin larg portës. Unë që kur kam ardhur i kam stërvitur lojtarët me këtë modul. Në Islandë skuadra humbi 4 raste, ndaj Moldavisë bëmë mirë dhe fituam. Skuadra më pëlqen të mbrohet duke sulmuar”.

Mund të jetë edhe kështu, vetëm se, duke iu referuar ndeshjes në
Stade de France, kuqezinjt jo vetëm nuk sulmuan, por nuk bënë dot as mbrojtjen, duke u shpartalluar shumë më shpejt se Reja të bënte lëvizjen e parë: “Më shumë se sa sistemi, janë lojtarë që e interpretojnë atë. Me Francën kam kërkuar që të bëjnë presing lart. Raporti sulm, mbrojtje nuk ishte ai që duhej. Hysaj dhe Roshi avancoi pak më shumë duke bërë disa inkursione në krah”. Në ndeshjen që ka parë 73 vjecari ndoshta dy krahët e skuadrës paskan avancuar, por statistikat janë kokëfortë, pa penalltinë, vetëm një goditje e Roshit në minutën e 92 u lëshua drejt portës së Lloris.

Reja mbron skemën, e mbron me bindje, por lojtarët të cilëve do tia besojë atë kundër Islandës të martën do të jenë të tjerë. Natyrisht jo të gjithë, por një pjesë e mirë po: “Formacioni 3-5-2 do më bëjë të ndryshojë disa lojtarë. Dermaku do të jetë titullar në vend të Mavrajt. Do mundohemi që të jemi më ofensivë”. Revolucioni nisi. I famshëm është ai i tetorit, por Reja e ka të detyruar ta bëjë në shtator. Jashtë Mavraj, ashtu si e anuncoi. Me shumë mundësi edhe Ramadani e dogji shansin të jetë nga minuta e parë, ashtu si Abrashi. Kondicioni fizik do të vlerësojë Baren, por tani Gjasula, i spikatur në minutat e aktivizuara në Francë, bashkë me Xhakën, që do të ketë mundësi të zbusë inatin për pankinën në Stade de France, janë kandidatët kryesorë për një fanellë titullari. Roshi, ai i kryqëzuari për gabimet difensive, në një rol që nuk është fare i tij, natyrisht që e ka parë pankinën me mendje, që pas 13 minutave të para në Paris: “Roshi është shumë i mirë në sulm, ndërsa në mbrojtje ka mungesë vëmendje. Me Moldavinë ai u fut dhe ndryshoi ndeshjen, por kjo kur është i përqëndruar”.

Mavrajt, në fakt, (“Është një zgjedhje teknike, do të bëjë një vlerësim të të gjithë grupit”), nuk është i vetmi nga lojtarët me peshë që mund të ndryshojnë vendin me pankinarët. Balaj e pati shansin: asnjë goditje në portë, asnjë rast i krijuar, asnjëherë i rrezikshëm. E kundërta me Cikalleshin. Sulmuesi është më tepër në profilin që kërkon Reja, por problemi janë minutat që nuk i ka në këmbë. E megjithatë, kundër Islandës niset favorit dhe dualizmin këtë herë ia ka lënë shkodranit dhe Uzunit, për të marrë një rezultat, në një ndeshje për jashtë ose brenda: “Kjo do të jetë ndeshja jonë më decizive, kjo do të tregojë nëse do të vazhdojmë ëndrrën tonë europiane. Kemi tre ndeshje në shtëpi, kalendari na favorizon për të bërë më të mirën. Do të kërkojmë të bëjmë më të mirën jashjtë fushë. Nesër do të japim 200% për të marrë fitoren”, përfundoi Reja.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *