• |
ide | kryesore

Merret vendimi, terroristi rus i arrestuar në Shqipëri do të ekstradohet në Rusi

Arkiva, Lajme, Të fundit



Gjykata e Durrësit i ka hapur rrugë ekstradimit të Rasul Mislaev, i akuzuar nga Rusia si pjesë e grupit terrorist ISIS. Vendimi është marrë nga gjyqtari Paulin Çera.

Rasul Mislaev, gjatë seancës për rivlerësimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Durrësit, ka mohuar akuzat nga autoritetet ruse. 34-vjeçari ka deklaruar se në Siri ka qenë për të krijuar një organizatë për t’u ardhur në ndihmë viktimave të luftës dhe jo për të luftuar krah ISIS-it.

“Kam krijuar një organizatë për të mbledhur ndihma për viktimat e luftës në Siri, nuk jam terrorist. Mos më dorëzoni në Rusi se më rrezikohet jeta“, është shprehur Mislaev. Mirëpo, sipas provave të autoriteteve ruse Mislaev ka qenë pjesë e grupimit terrorist të Jaish al Muhaxhirin al Answar, pjesë e ISIS-it.

Historia

34-vjeçari Rasul Mislaev, ka hyrë në Shqipëri 5 muaj më parë nga pika kufitare e Kakavijës. Ka qëndruar në qendrën e azilit në Karrec, në qytetin e Korçës.

Mislaev ka hyrë në Shqipëri bashkë me disa emigrantë të paligjshëm nga Lindja e Mesme. Ai ra në sy të autoriteteve shqiptare, pasi nuk kishte asnjë mjet identifikimi dhe u krijuan dyshimet se mund të ishte terrorist.

Në Qershor të vitit 2013 Rasul Mislaev, është larguar nga Rusia për në Siri, ku i është bashkuar një grupimi ilegal të armatosur, të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (ISIS), duke qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri.

Rasul Mislaev ka ardhur si emigrant i paligjshëm në Shqipëri dhe ishte shpallur në kërkim nga Interpol Moska, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Nadterechni, republika Çeçene / Rusi, me vendim penal të datës 08.04.2015, ka lëshuar urdhër – arrestin për këtë shtetas, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë terroriste”, parashikuar nga Kodi Penal rus.

Mislaev rezulton se ka udhëtuar në vitin 2013 nga Rusia në Turqi dhe më pas në Siri, ku në qytetin Kharitan i është bashkuar njësisë së armatosur të organizatës terroriste. Mislaev prezantohej përpara stafit të Kareçit në Korçë si “Diego Maradona”.

Vetë stafi dhe punonjësit e Policisë Kufitare ia kishin vendosur emrin X, ndërsa njëkohësisht agjentët e antiterrorit, të bindur se bëhej fjalë për një terrorist, vazhdonin të komunikonin me ndërkombëtaret dhe t’u kërkonin shenjat e gishtave.

Ajo që e tradhtoi nuk ishte karakteri i tij i çuditshëm apo fakti që qëndronte i mënjanuar nga të tjerët, por e një telefonatë. Një telefonatë e cila i çoi autoritetet shqiptare në një komunikim të vazhdueshëm me Rusinë, e cila nga ana e saj konfirmoi se ky shtetas ishte me kartelën ‘alarm i kuq’.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *