• |
ide | kryesore

Dënimi i pretenduar në Greqi, Kajmaku dorëzon gjurmët e gishtave

Lajme, Të fundit



Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, ka depozituar gjurmët e gishtave në Policinë Shkencore, pas kërkesës së Partisë Demokratike për verifikimin e figurës së tij,  për arsye se dyshohet të ketë “llogari të hapura” me drejtësinë greke.

Këto gjurmë, të marra nën administrim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Njësia e Dekriminalizimit, do të krahasohen me gjurmët që pritet të mbërrijnë nga Greqia, ku është dërguar më herët një letërporosi.

Njësoj si në rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të dorëhequr të Shkodrës, Valdrin Pjetri, PD-ja i është referuar të dhënave të sistemit TIMS, nëpërmjet të cilave, sipas selisë blu rezulton se Kajmaku nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë.

Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto ka deklarur se ka jetuar për 5 vite në Greqi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro nga periudha 2004 – 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”- argumentonte PD në kërkesën adresuar Prokurorisë, të shoqëruar nga 500 firma qytetarësh.

Në këto kushte, sipas PD-së, Kajmaku duke qenë subjekt i Ligjit të Dekriminalizimit, nuk mund të ushtrojë funksione publike. Ndërkohë, përkundër pretendimit të ngritur nga selia blu, Kajmaku ka deklaruar për mediat se nuk është dënuar dhe as është dëbuar ndonjëherë nga shteti grek dhe sipas tij, këto akuza kanë sfond politik. Kajmaku është shprehur se emrin e ka ndryshuar si “një pjesë e mirë e shqiptarëve”, për t’iu dhënë mundësia e qendrimit në shtetin fqinj.

Pak javë më parë, selia blu ka publikuar “dokumentin autentik” të Gjykatës së Janinës, sipas të cilës kandidati i Partisë Socialiste dalë nga zgjedhjet vendore monopartiake të 30 qershorit, është arrestuar në territorin grek në vitin 2003 për veprën penale “për përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsfikuara”, për të cilën parashikohen më së paku 10 vjet burg.

 

 

Po ashtu, PD-ja ka krahasuar foton e pasaportës me të cilën Kajmaku pretendohet se është arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, me foton e pasaportës që kryebashkiaku ka me identitin shqiptar. “Ky dokument, i marrë nga sistemi TIMS (dokumenti 1) është me foton e Jorgo Totos në pasaportën me nr. Z 0148497, me të cilën dhe është arrestuar.   Dokumenti i dytë është po ashtu i nxjerrë nga sistemi TIMS tregon pasaportën me emrin Agim Kajmaku, por me të njëjtën foto si edhe Jorgo Toto në pasaportën me të cilën është arrestuar. Krahasimi i dy fotove që janë të të njëtit person,  vërteton se personi i kërkuar nën emrin Jorgo Toto, në fakt është Agim Kajmaku”, shkruhej në një deklaratë për shtyp të selisë blu.

 

 

 

 



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *