• |
ide | kryesore

Ligji për Akademinë e Shkencave, rrëzohet dekreti i Metës

Lajme, Të fundit



Komisioni i Medias ka rrëzuar në mbledhjen e sotme dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për rishikimin e ligjit mbi Akademinë e Shkencave.

Dekreti u hodh poshtë me 12 vota kundër. Vota e vetme pro është dhënë nga kryetarja e Komisionit, Fatjona Dhimitri, e cila më herët ka mbështetur akademikun Artan Fuga në nismën e tij kundër Reformës së Akademisë së Shkencave

Presidenti Meta e ktheu ligjin për Akademinë e Shkencave për rishqyrtim në Kuvend më datë 9 gusht. Kreu i shtetit argumentoi se projekti binte ndesh me parashikimet e Kushtetutën, cënonte autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, kompetencat e Presidentit të Republikës dhe se nuk qendronte në harmoni me kuadrin ligjor ekzistues të vendit.

Më tej, në kërkesën për rishikimin e ligjin, Meta vërente se Akademisë së Shkencave i jepej një status më i lartë në hierarkinë e kërkimit shkencor. Madje, në argument konstatohet se me këto ndryshime Akademia e Shkencave kthehet në institucionin e vetëm përsa i përket hulumtimit të gjuhës shqipe. Ndërsa, kreu i shtetit argumenton se ky është një proces vendimmarrës madhor që duhet të përfshijë edhe katedrat përbërëse të fakulteteve të gjuhës, të shkencave sociale, të gazetarisë etj.

“Akademia e Shkencave nuk mundet dhe, në fakt, nuk do duhej të trajtonte e vetme problematikat delikate të përshtatjes, unifikimit, ndryshimit të simbolit kryesor të identitetit të kombit tonë, me ndryshimet e vrullshme që jeta ka sjellë që nga kongresi i fundit gjuhësor i mbajtur në vitin 1972”, shkruehet në dekret.

Një tjetër pikë që kërkohej të rishihej ishte mbivendosja e funksioneve të Aademisë së Shkencave me ligjin për arsimin e lartë, ku institucionet e arsimit humbasin autonominë. Në vijim, Meta tërheqte vëmendjen në ndryshimet për marrjen e statusit të anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku theksoj se pranimi i kandidatëve prezumohet se kryhet individualisht dhe jo në grup. Po ashtu, kreu i shtetit shtonte se shqyrtimi kryhet nga Asambleja, rast pas rasti dhe mbi bazën e kritereve jo diskriminuese pozitive ose negative me karakter etnik për secilin kandidat të paraqitur.

Vërejtje janë paraqitur dhe lidhur me faktin se në Ligjin e ri të Akademisë së Shkencave shkelet Kushtetuta sa i përket kompetencave të Presidentit. Kjo pasi synohet vendosja e një afati 10-ditor, brenda të cilit presidenti duhet të kryejë emërimin e kryetarit, e paparashikuar në Kushtetutë.

 

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *