• |
ide | kryesore

Performancë super-pozitive për 6 ndryshimet e teknikut Edy Reja: ja vlerësimet

Sport



Ndryshimet ishin të pashmangshme pas një humbje si ajo me Francën, pavarësisht se flitet për kampionët e botës. Surpriza ishte se të gjithë revolucionarët e përzgjedhur nga tekniku Edy Reja impresionuan, duke fshirë hezitime apo skepticizëm e duke dhënë garancinë për të ardhmen.

Kastriot Dermaku, një shkëmb në qendër të mbrojtjes. Siguri e maturi në prapavijë, duke fituar cdo kontrast direkt. E nuk ishte fare e lehtë të mbaje mbi supe peshën e zëvendësimit të Mavraj. Dukej sikur kishte një jetë që luante krah Ismajlit e Gjimshitit. Goli i shënuar i dha besim lojtarit dhe konfirmimin Rejas se Dermaku në goditjet standarte është një armë më shumë.

Klaus Gjasula, një digë e pakalueshme. I mungonte kuqezinjve një lojtar si ai. I fortë fizikisht, agresiv, një që nuk e tërheq këmbën pas kur loja bëhet e ashpër. Gladiatori i Paderborn tregoi edhe anën tjetër të medaljes, qetësi, shpërndarje loje, me pasime të shpejta e lojë të thjeshtë. I nevojshëm.

Ermir Lenjani, ushtari i pafjalë i krahut të majtë. Bëri atë që di të bëjë më mirë, vrapoi në të gjithë linjën, mbrojti me kujdes dhe u mundua të bëhej i rrezikshëm me krosimet nga fundorja. Në mesfushën me pesë ndihet komod, ndoshta në tranzicionin ofensiv duhet të ketë më shumë saktësi.

Ledjan Memushaj e Keidi Bare u alternuan si njohje të vjetra, edhe pse nuk ishte kështu. Fantazisti tregoi se ishte lojtar i fituar që në ndeshjen me Francën, por konfirmimin e mori në infiltrimet mes linjave islandeze. Mungoi goli, një rast i shpenzuar atëherë kur sduhej, por lëvizja ishte efikase. Vlonjati i Pescara tregoi se është lojtar me peshë, e meritoi shiritin e kapitenit në daljen e Hysajt dhe I shtoi mesfushës sasi e cilësi.

Rey Manaj, i palodhur e me kualitet. Sulmuesi u riprezantua surpizisht në fushë, por pas minutave të para, askush nuk u kujtua pse ishte ai në fushë e jo Balaj apo Uzuni. Inisiativë, driblim e forcë, ndonjëherë e tepronte me mbajtjen e topit, por asist I dhënë për Hysaj në rastin e golit të dytë ishte magjik. Mungoi vetëm goli, ia mohoi në fakt shtylla, por ndeshja ka shumë e Manaj tregoi se është gati…

Sokol Cikalleshi, dinamiku i rizgjuar nga Reja. Një britmë clirimi në golin e shënuar. E priste prej kohësh momentin dhe tani sulmuesi ka kapur trenin e kombëtares, duke u kandiduar për një vend të përhershëm titullari. Lufton për cdo top dhe ndryshon pozicion, duke u sakrifikuar deri në mesfushë. Para portës nuk humbet asgjë dhe është kjo ajo që i duhet kuqezinjve. Efikas.

Odise Roshi, hakmarrësi fisnik. Askush të mos e gjykojë për Francën. Gjesti i bërë ishte pikërisht për këtë. Erdhi nga pankina edhe njëherë si ndaj Moldavisë dhe bëri diferencën. Imponues, i shpejtë e në korsinë e tij i pandalshëm, fieraku kur është puna tek sulmi, nuk gabon asgjë. Për mbrojtjen…po punon.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *