• |
ide | kryesore

VOA: Ekonomia shqiptare në krizë

Lajme, Të fundit

Ekonomia shqiptare është duke kaluar një periudhë të vështirë, ku rritja ekonomike pritet të tkurret ndjeshëm, investimet vendase dhe të huaja janë në rënie dhe ku deficiti dhe borxhi vazhdojnë të mbeten në nivele kritike, bashkë me disnivelin e eksport-importeve.

Kështu i përshkruajnë me pak fjalë zhvillimet ekonomike të vendit studiues të ekonomisë. Studiuesit pohojnë se thatësira e sivjetme nxori zbuluar brishtësinë e ekonomisë shqiptare, sepse rritja e vjetshme ekonomike erdhi kryesisht prej shirave dhe shitjes masive të energjisë elektrike.

“Nëse rritja ekonomike udhëhiqet vetëm nga sektori i energjisë elektrike, kur i gjithë prodhimi i energjisë elektrike është krejtësisht në dorë të tekave të natyrës, atëherë ne nuk kontrollojmë dot dhe nuk jemi në gjendje të projektojmë zhvillimet ekonomike të vitit. Kjo brishtësi është një nga problemet serioze që ka ekonomia e Shqipërisë. Shumë nga problemet e këtij viti kanë ardhur prej thatësirës dhe sigurimit të energjisë elektrike, po ashtu edhe me ndikime të forta mbi bujqësinë, që zë 20 për qind të prodhimit kombëtar” – tha studiuesi Selami Xhepa.

Ndërsa drejtuesja e revistës ekonomike Monitor, Ornela Liperi thotë se vjet nuk pati rritje ekonomike, sa kohë që ajo u sigurua vetëm nga shirat dhe shitja e energjisë elektrike.

“Sipas të dhënave zyrtare, kemi një përgjysmim të rritjes ekonomike nga 4% vjet në 2 për qind në 6 muajt e parë të këtij viti. Dua ta theksoj se nuk ka një përgjysmim të rritjes ekonomike, por rritja e vitit të kaluar ishte fiktive. Thjesht ra shumë shi dhe u shit shumë energji, por kjo nuk është rritje ekonomike reale” – tha zonja Liperi e Revistës Monitor.

Mungesa e investimeve të huaja shihet po ashtu si një problem kryesor, sepse Shqipëria nuk është tërheqëse prej taksave të larta, dhe investimet e huaja po shkojnë në vendet fqinje.

“Burimet që financojnë rritjen e ekonomisë, investimet e brendshme dhe ato të huaja, vazhdojnë të mbeten problematike. Mungojnë investime të huaja të rëndësishme, ndërsa investimet vendase janë të dobëta, gjykuar nga indikatori i kredisë. Kredia e re në ekonomi vazhdon të mbetet e dobët, dhe sistemi bankar më shumë vazhdon të mbetet i angazhuar në kthimin e kredive të mëparshme. Ndaj zhvillimi më i dukshëm i ekonomisë do të dojë një periudhë më të gjatë kohe” – tha zoti Xhepa.

Ekspertët thonë se e vetmja shpresë po mbetet turizmi, i cili duket se ka lëvizje, por fitimet e tij nuk po shfaqen në përmirësimin e treguesve, ose se ka evazion fiskal dhe fitmiet fshihen, ose se konsumi i turistave ka zëvendësuar konsumin e shqiptarëve tashmë të larguar nga vendi.

Papunësia është një tjetër problem kryesor. Zonja Liperi thotë se në 6 muajt e parë të vitit janë punësuar vetëm 1 mijë e 200 persona, ose 200 vetë në muaj.

“Duke parë gjithë këto lëvizje me turizmin, mendoj se rritja ekonomike duhet të kishte qenë më e lartë. Ose ka evazion, se, pavarësisht aksionin anti-informalitet, të ardhurat nga tatimet nuk janë rritur, përkundrazi tvsh-ja e brendshme, si matës kryesor, është në rënie, ose kanë ikur njerëzit dhe turistët që kanë ardhur kanë zëvendësuar atë konsum të munguar nga emigracioni shqiptar i përshpejtuar” – tha zonja Liperi.

Ekspertët pohojnë se paqëndrueshmëria e ligjeve ekonomike dhe trazirat politike janë faktorë shtesë që dëmtojnë ekonominë, po edhe kur ato kanë qenë të qëndrueshme, shifrat nuk kanë patur ndonjë përmirësim domethënës e të ndjeshëm. /VOA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu